Serveri i Tatimeve, Paloka letër ambasadorëve dhe dy europarlamentarëve


Edi PalokaPartia Demokratike, në një letër drejtuar kryeparlmaentarit Ilir Meta, kërkon që Kuvendi të lejojë shtyrjen e afatit të komisionit hetimor parlamentar për Serverin e Tatimeve. Pas refuzimit të bërë në konferencën e kryetarëve të kësaj kërkese, opozita ka ndërmarrë një tjetër iniciativë, ku me anë të kësaj letre publike, për këtë bllokim, vë në dijeni dhe ambasadorët e SHBA-së, Donald Lu, si dhe të BE-së, Romana Vlahutin. Për këtë shkelje dhe të drejtë, siç pretendon opozita, në dijeni janë vënë dhe dy europarlamentarët Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein, të cilët pritet të vizitojnë Tiranën të hënën. “Çdo pretendim i pabazuar në ligjin nr. 8891/2002 dhe në Rregulloren e Kuvendit, është thjesht një justifikim për motive politike, që synojnë të mohojnë në mënyrë antikushtetuese të drejtën e pakicës parlamentare për ushtrimin e kontrollit parlamentar. Në këtë pikë, sjellim në vëmendje se përveçse një qëndrim i tillë nga ana e mazhorancës parlamentare bie ndesh me nenin 77 të Kushtetutës dhe ligjin nr. 8891/2002, si dhe cenon rëndë Rezolutën e marrëveshjes politike midis palëve të datës 24 dhjetor 2014, të arritur me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Parlamentit Europian. Në këto kushte, ju bëjmë me dije se çdo tentativë për cenimin e të drejtave kushtetuese të pakicës parlamentare, është e papranueshme nga ana jonë. Gjejmë rastin t’ju shprehim qëndrimin tonë se opozita parlamentare nuk do të lejojë që në seancën plenare të datës 11 shkurt 2016, të diskutohet dhe shqyrtohet asnjë çështje tjetër, pa u miratuar më parë me konsensus zgjatja e afatit të veprimtarisë së Komisionit Hetimor ‘Për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi për administrimin e bazave të të dhënave shtetërore tatimore’”, thuhet në letrën e firmosur nga kreu i grupit të PD-së, Edi Paloka.