Mazhoranca
Ç’po ndodh brenda selisë blu pas mënjanimit të deputetëve më të rëndësishëm
Herion Mesi
Një muaj pasi zyrtarizoi çeljen e fushatës elektorale, të larguarit dhe të përjashtuarit nga listat e kandidatëve për deputetë, parlamentarët demokratë, që për një javë do jenë ish-deputetë, vijojnë heshtjen e tyre. Dhe kjo në respekt ndaj elektoratit të djathtë, jo për respekt të krerëve të Partisë Demokratike, apo më keq akoma ndaj kryetarit të tyre Sali Berisha. Ndërkaq, kjo kohë e fushatës ka riaktivizuar një skemë ndryshe të marrëdhënieve brenda lidershipit demokrat, duke ushqyer xhelozi të reja apo dhe probleme të rëndësishme komunikimi.
Spastrimet
Rruga e spastrimeve dhe “eklipsimeve” të figurave të rëndësishme dhe historike të Partisë Demokratike, që është ndjekur nga kreu i selisë blu, është bërë nën etiketimin si klan i njërës palë në PD, apo i palës tjetër. Burime pranë selisë blu theksojnë se Berisha ka bërë këtë spastrim me qëllim që të eliminojë zërat kundër tij dhe të përfolurit si pasardhës të tij, Lulzim Bashës. Edhe pse zyrtarisht kryebashkiaku i Tiranës është caktuar si shefi i fushatës së PD-së në kryeqytet, mesa duket përkrahja ndaj e tij në PD është më e fortë se kaq. Kjo për shkak se pavarësisht takimeve që po zhvillojnë nëpër zonat e tyre elektorale si për shembull numri 2 i PD-së Jozefina Topalli në Shkodër, apo sekretari i përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode, në Korçë, aktiviteti politik i Lulzim Bashës në Tiranë është ai që po trumbetohet më shumë se fushatat e të tjerëve. Nga ana tjetër, Basha ka eklipsuar dhe figura të tjera të rëndësishme në PD në këtë fushatë elektorale që PD-ja po zhvillon në Tiranë, atë të ministres së Integrimit, Majlinda Bregu.
Kundërshtitë
Vendosja e kryetarëve të partive aleate, apo edhe të ish-deputetëve socialistë, në listat e sigurta të PD-së, ka bërë që baza në këto katër qarqe e sidomos në Shkodër, ku nënkryetarja e PD-së Topalli ka një influencë të madhe, të mos pranojë dhe kundërshtojë hapur në forumet e partisë kandidaturat si Nard Ndoka. Burime nga Dega e PD-së në Shkodër theksojnë se kandidimi i Nard Ndokës është i gabuar, pasi sipas tyre, ai është i pabesueshëm dhe pas votimeve mund të shitet sërish te Partia Socialiste, menjëherë pas mandatimit të tij në Kuvend.
Të larguarit
Lista e deputetëve të larguar nga radhët e PD-së është komentuar mjaft. Është folur se përjashtimi i tyre është bërë për shkak të kundërshtive të herëpashershme në mbledhjet e grupit parlamentar të PD-së. Ata nuk duken të interesuar më për fushatën elektorale që partia e tyre po zhvillon gjatë këtyre ditëve për zgjedhjet e 23 qershorit, të cilën duket se e kanë braktisur përfundimisht. E njëjta situatë mund të thuhet edhe për deputetët e ulur në renditje nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, të cilët nuk do të jenë më pjesëtarë të legjislaturës së ardhshme, pasi tashmë ata janë vendosur në listë në vende që nuk kanë shpresa për të rimarrë mandatin e deputetit. Pjesa më e madhe e të kandiduarve në vende jo të sigurta për deputetë, gjatë këtyre ditëve nuk janë parë të dalin në fushatë për PD-në, ose kanë qenë prezent vetëm në momentet kur kryetari i PD-së Berisha ka zhvilluar takime dhe tubime në zonat e tyre elektorale. Kjo do të dobësojë shumë votimin pro PD-së në zgjedhjet e ardhshme, sipas deputetëve, pasi aksesi i tyre në bazë është i madh.
Paralajmërimi
Duke mos dashur të komentojnë vendimin e kreut të mazhorancës, i cili vendosi të mos i përfshijë në listat e PD-së për deputetë, të përjashtuarit nga këto lista deklarojnë se një gjë e tillë do të ndodhë pas 23 qershorit. “Tani për tani nuk kam se çfarë flas, vetëm pas 23 qershorit do të prononcohem në lidhje me fushatën dhe zhvillimet brenda PD-së”-u shpreh pak kohë më parë, ish-deputeti i PD-së Selami Xhepa për gazetën “Shqip”. Por, mësohet se i njëjti vendim është marrë edhe nga kolegët e tjerë të Xhepës, të cilët pritet që ata të dalin publikisht për të folur mbi eliminimin e tyre nga listat e PD-së si dhe futjen në radhët e kandidatëve të tre ish-socialistëve si Kastriot Islami, Gjovalin Kadeli dhe Asllan Dogjani. Vetë kreu i PD-së është shprehur për pakënaqësitë e shkaktuara brenda grupimit politik të tij me zyrtarizimin e listave, por në të tilla kushte, siç tha ai në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, kjo formë është më e ndershme dhe organike e koalicionit.
Box lart
Pranimi
Katër prej deputetëve që nuk janë përfshirë në listat e PD-së, si Jemin Gjana, Rrahim Çota, Paulina Hoti dhe Ismail Hoxha i janë bindur verdiktit të kreut të PD-së, Berisha, për mospërfshirjen e tyre në listat e demokratëve për deputetë.
Keqardhja
“E kuptoj që ka njerëz zemërthyer se kanë mbetur në pozicionin që s’e meritojnë. Por PD-ja në zgjedhjet e 2009-s ka marrë 11 deputetë nga votat e këtyre aleatëve, për shkak të sistemit”, u shpreh Berisha.
Boxe anash
Aleatët
Kryetarët e partive aleate si Fatmir Mediu i PR-së, i katërti në listën e PD-së në Qarkun e Korçës, Shpëtim Idrizi i PDIU-së, i katërti në Fier, Dashamir Shehi i shtati në Tiranë dhe Nard Ndoka i PDK-së, i katërti në listën e PD-së në Shkodër, do të jenë deputetë të sigurt pas 23 qershorit në Kuvendin e Shqipërisë.
Ligjet
Në opinionin publik, lista e PD-së është cilësuar edhe si “shkrirje e Komisionit të Ligjeve”, pasi deputetët kryesorë të tij, duke nisur nga kryetari Rusmali, anëtarët: Gumi, Hoxha, Trashani, Hoti nuk janë kandiduar në lista ose janë vënë në vende të ulëta.