Beteja-djathtas


Selia blu shpall nisjen e një faze të re anëtarësimesh, kryesisht të rinj


Fatjona Mejdini


Edhe pse Berisha flet me optimizëm për zgjedhjet e ardhshme, selia blu ka nisur të shqetësohet për ballafaqimin elektoral dhe kryesisht, nga kahu i djathtë, ku rrezikohet më shumë prej dy partive të reja, FRD dhe Aleanca Kuqezi. Pas një faze “injorimi” publik, për të parën herë, Partia Demokratike po imiton dy rivalet e saj djathtas, duke shfaqur në publik garën e anëtarësimeve të reja. Partia Demokratike po kërkon të afrojë sa më shumë të rinj në elektoratin e saj, në një kohë kur vendin e ndajnë rreth gjashtë muaj nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Fakti që PD-ja në zgjedhjet e qershorit të vitit 2013 kërkon një mandat të tretë qeverisës, e bën të vështirë suksesin, ndaj për këtë arsye, mobilizimi i të rinjve në mbështetje të demokratëve konsiderohet i nevojshëm. Përmes një njoftimi mësohet se Forumi Rinor i PD-së ka nisur një fushatë anëtarësimesh në të gjitha qarqet e vendit. Sipas njoftimit, FRPD ka arritur që brenda 15 ditësh t’i japë karta anëtarësie 1 mijë e 182 të rinjve në katër qytete të vendit. “Forumi Rinor i Partisë Demokratike të Shqipërisë ka marrë një lëvizje anëtarësimesh të reja në të gjithë Shqipërinë. FRPD ka prezantuar anëtarët më të rinj të tij. 1 mijë e 182 të rinj demokratë në Pukë, Bulqizë, Kukës e Berat u bënë anëtarë në një periudhë të shkurtër 15-ditore.


Nënkryetarja e FRPDSH, Greta Koçi, ka marrë pjesë në këto aktivitete për të prezantuar 225 anëtarët e rinj në Rrethin e Bulqizës, 201 anëtarët e rinj në Rrethin e Pukës, 262 anëtarët e rinj në Rrethin e Kukësit dhe 494 anëtarët e rinj në Rrethin e Beratit, të cilët janë bërë pjesë e familjes së të rinjve demokratë”, theksohet në njoftimin e bërë dje nga Partia Demokratike. Drejtuesit e forumit të PD-së deklarojnë se procesi i anëtarësimeve të reja do të vijojë në të gjithë vendin dhe të të rinjtë e interesuar mund të marrin kartën e anëtarësisë. Duket se në fundin e mandatit të saj të dytë, PD ka nevojë të zgjerojë mbështetjen tek të rinjtë, të cilët shikohen si një potencial i mirë elektoral. Nisja e fushatës së anëtarësimeve të reja në këtë parti, duket se është motivuar jo vetëm nga lëvizjet e Partisë Socialiste në bazë, por dhe nga fakti se aktualisht në skenën politike kanë dalë dy parti të reja, përfaqësuesit e të cilave kanë qenë pjesë e së djathtës në vend. Duket se Fryma e Re Demokratike e Bamir Topit dhe Aleanca Kuqezi e Kreshnik Spahiut, po i bëjnë presion politik PD-së, që në fakt ka hasur dje reagimin e parë. Reagimi vjen siç duket pasi në këto dy parti të reja, pjesa dërrmuese e aktivistëve janë të rinj. Beteja elektorale për zgjedhjet e ardhshme pritet të jetë e fortë dhe pak e paparashikueshme, si rezultat i forcave të reja politike që kanë hyrë në skenë dhe po kështu, nevojës së Partisë Socialiste për të kryer rotacionin e pushtetit.


Kufizimi – PD e ka mbajtur të kufizuar numrin e anëtarësimeve të reja gjatë mandatit të dytë në pushtet


Rinia – Të rinjtë konsiderohen si një shtresë e rëndësishme elektorale për partitë politike


E djathta – Dy partitë e reja në vend, FRD dhe AK, i kanë të rinjtë një pjesë të rëndësishme të elektoratit