Aleancat lokale, në dëm të koalicionit të majtë
Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim bashkojnë votat për të zgjedhur kreun e ri të Këshillit të Qarkut Dibër. Pas debateve mes PS-së dhe LSI-së në Këshillin Bashkiak të Peshkopisë pak ditë më parë, ftohja e marrëdhënieve mes këtyre dy forcave u pasqyrua edhe në mbledhjen e këshillit të Dibrës, konkretisht në zgjedhjen e kryetarit për katër vitet e ardhshme. 17 këshilltarë të këshillave bashkiakë, përkatësisht të Burrelit, Klosit dhe Bulqizës, pas votimit zgjodhën kryetar Hajri Laçin e LSI-së me 10 vota, kundrejt shtatë të kandidatit socialist Qazim Gjoni dhe asnjë votë për kandidatin demokrat. Laçi ishte kandidat i propozuar nga LSI-ja, por arriti të zgjidhej pas marrjes së votave të këshilltarëve të PD-së. Në minutat e fundit, PD-ja e tërhoqi nga gara kandidatin e saj, Sabri Laçi, ndërsa shumicën përballë kandidatit të PS-së, e fitoi emri i propozuar nga LSI-ja. Laçi ka garuar përballë kandidatit të PS-së, Qazim Gjoni, duke u votuar në unanimitet me 17 vota. Në votimin e djeshëm kanë qenë katër këshilltarë të PD-së që iu bashkuan gjashtë votave të LSI-së dhe shtatë të PS-së, duke i dhënë në këtë mënyrë fitoren përfaqësuesit të LSI-së. Me zgjedhjen e djeshme, kjo është hera e parë në 24 vite që Qarku i Dibrës do të drejtohet nga e majta. Ndoshta kemi të bëjmë me një “hakmarrje” të LSI-së ndaj PS-së. Kjo e fundit i mori kryetarin e Këshillit të Qarkut Gjirokastër, me një votë më shumë. Në këtë qark, LSI-ja votoi kundër kandidatit të propozuar nga PS-ja. E njëjta histori ndodhi edhe në Shkodër. Të gjitha këto dëshmojnë që marrëdhëniet në bazë mes dy partive të koalicionit nuk janë të mira. Ftohja vërehet edhe mes Ramës e Metës. Gjatë gjithë kësaj vere mediat kanë folur për krisje të raporteve mes tyre, megjithatë ata vazhdojnë ta mohojnë diçka të tillë.