Berisha pritet të konkretizojë strategjinë nacionaliste në fushatë


Deklaratat nacionaliste të Kryeministrit Sali Berisha, që me nisjen e përkujtimit të jubileut njëshekullor të shtetit shqiptar, tashmë po duken se përbëjnë një projekt politik të një platforme që pritet të formësohet në fushatën e zgjedhjeve të 23 qershorit 2013. Por kjo platformë duket se nuk do të jetë thjesht një album deklaratash, por një projekt që do të përkthehet në nisma ligjore e akoma më shumë në përfaqësime politike për ta bërë më konkrete politikisht. Siç mësohet në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, Partia Demokratike do të prezantojë në listën prej 140 kandidatëve për deputetë edhe personalitete të njohura shqiptare që kanë bërë emër jashtë vendit, përkatësisht në trojet shqiptare, por edhe në diasporë. Kjo strategji nuk është thjesht një përballje me taktikën e Aleancës Kuqezi që pritet të kandidojë disa nga shqiptarët e famshëm në botë, por do të jetë pjesë e një projekti politik që do të shpallet së shpejti nga Kryeministri Berisha për “qeverisjen e shqiptarëve të bashkuar”. Ky projekt është ende në draft-ide dhe së shpejti do të kryhen bisedimet për ta kthyer këtë platformë në një slogan elektoral që do të marrë shkas nga deklarata e Sali Berishës në mitingun e 12 dhjetorit 1991 në Qytetin Studenti, që “çështja kombëtare është ylli polar i Partisë Demokratike”. Një elaburim të kësaj ideje pritet që Kryeministri Berisha ta bëjë sot në një manifestim të madh që do të mbahet në pallatin e sportit “Asllan Rusi” me rastin e 8 dhjetorit, që është zyrtarisht Dita e Rinisë dhe realisht përbën ditën kur u legalizua lëvizja studentore që solli ndryshimet politike në vitin 1991, kjo si pasojë imediate solli përmbysjen e sistemit njëpartiak komunist dhe legalizimin e Partisë Demokratike. Pikërisht të mërkurën e ardhshme, më 12 dhjetor, PD-ja do të zhvillojë një megaaktivitet me rastin e 22-vjetorit të themelimit të saj, ku sërish do të jepet mesazhi i dytë dhe më i fortë i platformës që do të dominojë fushatën e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013. Kjo platformë do të përbëhet nga nisma ligjore, projekte politike, propozime programore, por edhe kandidime fizike nga personazhe të njohura të diasporës shqiptare.


Nismat ligjore


Në mbledhjen e qeverisë që u zhvillua të martën në Vlorë, Kryeministri Sali Berisha deklaroi nismën e parë që synon dhënien e shtetësisë për të gjithë ata shqiptarë jashtë vendit që e dëshirojnë atë. Efekti i kësaj deklarate, edhe pse në nivelin verbal, pati efektet e para. Në ambasadën shqiptare në Prishtinë, pati grumbullim njerëzish që kërkonin info mbi marrjen e pasaportave shqiptare. Së shpejti pritet që të shpallen edhe iniciativa të tjera të aspektit arsimor, ekonomik, por edhe kulturor, në shërbim të idesë nacionaliste të kreut të Partisë Demokratike.


Programi


Në programin elektoral të Partisë Demokratike të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, pritet të elaborohet në fusha konkrete si ekonomia, tregu, arsimi, shkenca, kultura e turizmi, ideja e kombëtarizimit, pra pjesëmarrja e të gjithë shqiptarëve në politikëbërjen e Republikës së Shqipërisë. Dhe “qershia mbi tortë” do të jetë ekipi që Partia Demokratike do të prezantojë para zgjedhjeve. Si lista e deputetëve, apo e grupit që do të hartojë programin elektoral pritet të përzgjidhen nga figurat e njohura shqiptare të shkencës apo kulturës, edhe pse ata nuk jetojnë në Republikën e Shqipërisë, por në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë, apo edhe në diasporën shqiptare në botë.


 


Zhvillimet


Deklarata


1991 – Pritet që slogani kryesor i PD-së të bëhet deklarata e Berishës më 12 dhjetor 2012, se “çështja kombëtare do të jetë ylli polar” i programit


 


Kremtimet


8 dhjetori – Sot, në pallatin e sportit “Asllan Rusi” do të mbahet një manifestim për Ditën e Rinisë, ku Berisha do të avancojë tezën e tij


12 dhjetori – Të mërkurën pritet të zhvillohet një aktivitet i madh me rastin e 22-vjetorit të themelimit të PD-së, ku do të lançohet platforma e re


 


Propozimi


Kreu i PDIU: Të pajisen me pasaporta shqiptare edhe çamët ortodoksë dhe arvanitasit


Idrizi: Qeveria nuk ka bërë asgjë deri tani për çështjen çame


“T’u japim pasaportën të gjithë shqiptarëve në Greqi, të cilët deri sot kanë qenë të shtypur e të pamundur të deklarohen si shqiptarë. T’u japim kurajë çamëve ortodoksë dhe arvanitasve që ta deklarojnë veten si shqiptarë”


Rezoluta – Shpëtim Idrizi ka theksuar se rezoluta për çështjen çame do të përcaktojë edhe koalicionet e ardhshme të kësaj partie


Një aleat i rëndësishëm i mazhorancës në pushtet ka sfiduar Kryeministrin Berishë në qëndrimin për çështjen e shtetësisë, por edhe ka lëshuar një kritikë të fortë ndaj PD-së. Kryetari i Partisë Drejtësi Unitet dhe Integrim, Shpëtim Idrizi, deklaroi dje, se qeveria shqiptare nuk ka bërë asgjë deri tani për çështjen çame dhe se çfarë është realizuar ka ardhur vetëm nga presioni pozitiv i partisë së tij. Këtë deklaratë, Idrizi e bëri gjatë një debati të zhvilluar me nismën e një universiteti privat, ku përveç tij, si të ftuar nderi ishin ish-studentët e Dhjetorit ’90, Spiro Çura dhe Ilir Dizdari. I pyetur për procesin e fundit që pritet të ndërmarrë qeveria në kuadër të dhënies së shtetësisë për të gjithë shtetasit me origjinë shqiptare, Idrizi theksoi se e mirëpriste këtë nismë, por i bëri një sfidë të fortë Kryeministrit Sali Berisha. Kështu Idrizi i bëri thirrje Berishës që në hartën e marrjes së shtetësisë shqiptare të përfshinte edhe çamët ortodoksë dhe arvanitasit. Madje, sipas kreut të PDIU-së, pasaportën shqiptare duhet ta marrë edhe presidenti grek, Karolos Papulias, i cili është një çam ortodoks. “T’u japim pasaportën të gjithë shqiptarëve në Greqi, të cilët deri sot kanë qenë të shtypur e të pamundur të deklarohen si shqiptarë. T’u japim kurajë çamëve ortodoksë dhe arvanitasve që ta deklarojnë veten si shqiptarë. Madje ne si shtet shqiptar duhet t’ia japim pasaportën shqiptare edhe Presidentit grek, Karolos Papulias, i cili është çam ortodoks. Ka ardhur koha për reciprocitet me Greqinë. Ka ardhur koha që Greqia t’i njohë realitetet etnike dhe minoritetet që jetojnë në Greqi”, deklaroi Shpëtim Idrizi. Por kjo nuk është sfida e parë që kreu i PDIU-së bën për Kryeministrin Berisha dhe forcat politike në vend. Idrizi ka theksuar se shumë shpejt PDIU-ja do të paraqesë në Kuvend një rezolutë për çështjen çame, e cila do të jetë edhe “prova e zjarrit” për politikën shqiptare. Sipas Idrizit, mbështetja për këtë rezolutë do të përcaktojë edhe koalicionet e ardhshme për PDIU-në. Nuk dihet ende sesi do të shkojë procesi i votimit për rezolutën çame në Kuvend, por ajo që dihet lidhet me faktin se miratimi i saj brenda këtij viti shihet si prioritet kryesor i PDIU-së. Një tentativë për miratimin e kësaj rezolute është bërë edhe në vitin 2004 në Parlamentin shqiptarë, por pa arritur sukses në miratim. Pavarësisht se partitë në vend janë shprehur parimisht për mbështetjen e çështjes çame, nuk dihet se cili do të jetë qëndrimi i tyre për miratimin e një rezolute të tillë.


 


 


BE


EurActiv konfirmon lajmin e “Shqipit” për statusin


Ministrat e Bashkimit Europian, të cilët do të mblidhen të hënën në Bruksel, nuk pritet t’i japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat këtë vit. Kjo është bërë publike dje në Agjencinë EurActiv, e cila ka cituar burime të sigurta diplomatike.


Diplomatët perëndimorë kanë deklaruar se ata për momentin nuk presin një vendim për Shqipërinë, duke shtuar se vendi duhet të bëjë “më shumë” për t’u kualifikuar, veçanërisht në plotësimin e 12 rekomandimeve të lëna nga komisioni në raport-progresin e tetorit. Mbajtja e zgjedhjeve është një tjetër çështje shqetësuese, theksojnë ata për EurActiv. Po kështu, në lajmin për këtë zhvillim theksohet se Holanda ka kundërshti të ashpra për marrjen e statusit nga ana e Shqipërisë, duke deklaruar se një status i tillë nuk meritohet ende nga vendi ynë.


 


Mbledhja


KQZ, asnjë afat për numërimin elektronik


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar dje planin e veprimit për procesin zgjedhor të 23 qershorit të vitit të ardhshëm. Përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj, ka kërkuar në mbledhje që pjesë e këtij plani të jetë edhe përdorimi i teknologjisë në zgjedhje, duke përcaktuar edhe afate konkrete. Sipas Gjonçajt, fillimi i janarit duhet të shënojë përfundimin e procedurave të tenderimit për teknologjinë. Por sipas administratës së KQZ-së, afatet nuk mund të vendosen, pasi procesi rregullohet nga ligji për prokurimet publike. Sipas Kodit Zgjedhor, në Qarkun e Fierit procesi i numërimit duhet të jetë elektronik, ndërkohë që në Tiranë procesi i identifikimit të zgjedhjeve do të jetë elektronik.