gert-bogdaniDeputeti demokrat Gert Bogdani, në një deklaratë për media u shpreh se ‘javën e kaluar, Rama telefonoi e solli në Tiranë shokët e tij humbës të Internacionales Socialiste, që kanë të njëjtin fat si ai, në një përpjekje te dëshpëruar për te shuar rebelimin që ka nisur ne partinë e tij dhe përpjekjen për të ardhur në pushtet me çdo kusht’.


“Dihen botërisht arsyet pse Rama dhe shokët e tij janë humbës. Sepse ata kanë të njëjtat ide dështake të së shkuarës, si rritja e taksave, pengimi i biznesit, rritja e papunësisë. Humbësit që Rama ftoi janë braktisur nga qytetaret e tyre sepse ata kane refuzuar me kohë këto ide të rrezikshme, bashkë me ideatorët e tyre.


Ai i ftoi këto ditë për ta shpëtuar nga rebelimi i njerëzve të tij që deklarojnë se duan të shpëtojnë nga Rama, por nuk po e heqin dot dhe mezi presin 23 qershorin t’i japin duart. Edi Rama ka një zakon të vjetër; ai merr këshilla vetëm nga humbësit, lista e të cilëve është shumë e gjatë. Ndaj nuk është çudi që këshillat e tij tani të vijnë edhe nga Kuba apo Venezuela”, tha Bogdani.

8 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)