Deputeti demokrat, Mark Marku, kërkon nga Kryeministri Berisha të kujdeset për demokratët në bazë
Fatjona Mejdini
Koalicioni mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim duket se ka sjellë konflikte mes drejtuesve lokalë të të dyja kampeve, nisur nga ndarja e pozicioneve për punësimin në administratën shtetërore. Por dje, në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, deputeti i Qarkut të Mirditës, Mark Marku, ka ngritur për diskutim një problem lokal të ndodhur në qytetin e Rrëshenit, duke kërkuar zgjidhje nga Kryeministri i vendit, Sali Berisha. Kështu, burimet bëjnë të ditur se Marku i kërkoi Berishës të interesohej për atë çfarë ndodh në spitalin e Rrëshenit, ku sipas tij mbështetës të Partisë Demokratike po largohen nga detyra e tyre nga drejtuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Deputeti demokrat theksoi në mbledhjen e grupit se bëhet fjalë për shtatë punonjës të këtij spitali, të cilët mbajnë pozicionet e infermierëve dhe sanitarëve. Ata janë larguar, sipas tij, në mënyrë të padrejtë nga ana e drejtuesit të këtij spitali, që është edhe përfaqësues i LSI-së. Deputeti demokrat i Mirditës ka theksuar se ai e ndiente detyrim moral ta ngrinte këtë çështje në mbledhjen e grupit, nisur edhe nga fakti se këta punonjës tashmë të shkarkuar janë pjesë e elektoratit demokrat në këtë zonë. Nga ana e tij, kreu i qeverisë, Berisha, e dëgjoi shqetësimin e deputetit demokrat dhe i premtoi Markut se do të interesohej në strukturat përkatëse në lidhje me këtë situatë. Aktualisht spitali i Rrëshenit drejtohet nga ish-kandidati i LSI-së për kryetar bashkie në këtë zonë, Gjovalin Bushi. Burime të gazetës bëjnë të ditur se drejtuesi i këtij spitali i ka argumentuar këto lëvizje me ndryshimin e strukturës dhe jo për shkaqe të tjera personale apo politike. Gjithsesi, kjo nuk është hera e parë kur në bazë dhe në qendër krijohen përplasje, si pasojë e drejtimit të institucioneve të ndryshme nga ana e aleatëve të Partisë Demokratike në qeverisje. Shpesh tensioni për çështje të punësimeve apo shkarkimeve shkarkohet te deputetët apo të zgjedhurit e tjerë vendorë të Partisë Demokratike. Por në pjesën më të madhe të rasteve, shqetësimet e mbështetësve të PD-së në bazë mbeten pa përgjigje, për shkak edhe të marrëveshjes së bashkëqeverisjes që dy kryetarët e forcave politike kanë lidhur në vitin 2009. Sipas kësaj marrëveshjeje, përfaqësuesit e LSI-së kanë të drejtën të administrojnë 20% të pozicioneve në administratën publike. Në shumë raste, përfaqësuesit e LSI-së janë të emëruar në pozicione kyçe për sa u përket mundësive për punësim në të gjithë vendin. Ky fakt është bërë shkak për debate dhe tensione të herëpashershme mes palëve.
Marku: LSI po e shantazhon PD-në
Deputeti demokrat Mark Marku është i njohur për qëndrimet e tij shpesh të ashpra ndaj aleatëve të Partisë Demokratike në qeverisje. Pak muaj më parë, në një intervistë me mesazhe të forta politike dhënë në emisionin “Shqip” në “Top Channel”, Marku ka theksuar se LSI-ja po e shantazhon në mënyrë të dukshme PD-në. Në këtë kuadër ai e ka konsideruar si të domosdoshëm një rithemelim të PD-së si forcë e djathtë politike. “Duhet ta rithemelojmë që të rivitalizojë partinë. Të gjithë ata që janë jashtë PD-së të gjejnë veten brenda PD-së. PD-ja është një parti dukshëm e shantazhuar nga LSI-ja. Këtë e vërtetoi me ndryshimin e ministrave të vet, sikur LSI-ja të ketë një qeveri të vetën dhe PD-ja një qeveri të vetën. Në këtë kuptim unë kërkoj që PD-ja të rivitalizohet. Nuk jam kundër aleancave, madje as me PS-në. PD-ja duhet t’i bëjë këto kombinime politike, pasi e ka humbur dukshëm përfaqësimin e së djathtës tradicionale brenda PD-së”, ka theksuar Mark Marku.