Partia Demokratike ka mbajtur sot pasdite në Pallatin e Kongreseve Konventën e Gruas.
Duke folur përpara disa qindra grave dhe vajzave demokrate që kishin mbushur sallën, kreu i qeverisë, Sali Berisha u shpreh se kjo konventë është homazh për vajzat dhe gratë shqiptare që edukojnë çdo ditë fëmijët shqiptarë dhe i ftoi të gjitha gratë që të bëhen e PD për të shembur hendekun e pabarazisë gjinore.
“Çështja e grave është çështje e potencialit kombëtar, prandaj ftoj gratë e Shqipërisë që të bashkohemi për shkollimin e vajzave tona, që shkolla jonë të kap horizontet më të larta. Sot gratë dominojnë me 10 % më shumë në universitetet tona”, u shpreh Berisha
Kryeministri vlerësoi se zgjedhjet e 23 qershorit janë të një rëndësie të veçantë për vendin dhe theksoi se fitorja e PD është në duart e grave dhe do të ketë emrin e tyre.
“Ne po ecim drejt zgjedhjeve të cilat janë përcaktuese për ëndrrat dhe të ardhmen tuaj dhe të fëmijëve tuaj. Në 23 qershor fitorja është në duart tuaja, fitorja është vepra juaj. Fitorja e Partisë Demokratike ka pasur dhe do të ketë vetëm një emër, grua, vajzë, zonjushë”, u shpreh Berisha.
3 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)