Deputetja e Partisë Demokratike, Rajmonda Bulku nëpërmjet një deklarate për shtyp akuzoi kreun e PS-së, Edi Rama se u mor shumë me zëdhënësen e PD-së, Laura Vropsin, mbrëmë në emision “Opinion” në TV ‘Klan’, duke shmangur përgjigjen për çështjet e vërteta.
“Rama bëri xheloz edhe Nastradinin kur në ‘Opionin’ u mor me zëdhënësen 26-vjeçare. Sipas analizës leksikore, 141 herë përmendi Berishën, 437 herë emrin e saj. Pse e zure me gojë emrin e saj, pse nuk shpjegove se pse i ngre taksat për njerëzit që krijojnë vende pune, pse nuk shpjegon sesi do i punësosh 1 milion të papunët e imagjinatës tënde, por merresh me Vorspin. Pse nuk tregon sesi do i trajnosh 73 mijë gratë, sa do shpenzosh, kush do jenë trajnerë, po merresh me Vorpsin?
Si ka mundësi që pas një dekade beson se me sulme nastradinësh do fshehësh mungesën e një programi të nisur në 2005-n dhe nuk e ke mbaruar akoma. I paaftë t’u përgjigjesh dhe pyetjeve të lehta të zëdhënëses për faturat e ndërtimit të pallatit pajë, si e bleve tokën për vilën në periferi të Tiranës, se si do i punësosh 250 mijë gratë e tyre e zëvendësove tytën e pushkës nga burrat të gratë. E ke bërë në prag të çdo fushate zgjedhore, edhe në 2003-shin u more me Palomën e Fiks Fare”, – tha deputetja e PD.
Më tej deputetja e PD-së u shpreh se “Rama është i njohur për mungesën e dashurisë ndaj grave dhe i përvuajtur nga mungesa e adhurimit të tyre. Ti ke vërtetuar se ndjehesh mirë vetëm mes 99–shave dhe Mjaft–ushëve të tu, që të ndryshuan jo vetëm ngjyrën e kollares, nga të kuqe në manushaqe, por dhe muret e Selisë së Partisë Socialiste, madje edhe ato të vilës luksoze që po ndërton në Dajt”, u shpreh Bulku.
1 mars 2013 (gazeta-Shqip.com)