Partia Demokratikë, përmes zëdhënëses Silvi Bardhi i është rikthyer akuzave ndaj opozitës dhe kreut të saj, Edi Rama duke deklaruar se votimi i heqjes së imunitetit në parlament nga ana e opozitës është bërë nën presion dhe se Rama i është rikthyer traditës së tij të bllokimit të reformave të rëndësishme në parlament që kërkojnë tre të pestat e votave.
Zëdhënësja e PD ka renditur më tej një sërë faktesh në bazë të të cilave vërtetohen sipas saj, përpjekjet e liderit të, PS Edi Rama për të bllokuar marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, duke u nisur nga përfitime tërësisht personale, në kohën kur qeveria po përpiqet t’i përmbushë të gjitha detyrat e lëna nga Brukseli lidhur me këtë çështje.
Ajo i bëri thirrje PS të mos bllokojë ligje të rëndësishme në reformën e pushtetit gjyqësor dhe të mos bllokojë ngritjen e kolegjit Administrativ në Gjykatën e Lartë, i cili sipas Bardhit, është propozuar nga vetë deputetët e Partisë Socialiste në Komisionin e Ligjeve.
“Partia Demokratike i bën thirrje kryetarit të Partisë Socialiste, z.Edi Rama të heqë dorë nga politika e bllokimit të reformave të drejtësisë, ngritjes së Kolegjit Administrativ dhe Gjykatës Administrative, jetike dhe e domosdoshme për bizneset dhe qytetarët shqiptarë, zgjidhjen e problemeve të tyre të shumta me Administratën shtetërore dhe mbrojtjen e tyre nga arbitrariteti i kësaj të fundit”, – theksoi zëdhënësja e PD para mediave.
Sipas Bardhit, qëndrimi i socialistëve në bllokimin e reformave kyçe për vendin do ta ndëshkojë me votë PS në zgjedhjet e ardhshme.
23 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)