Partia Demokratike ka reaguar pas deklaratave të mbajtur opozitës në lidhje me pasurinë e fëmijëve të kryeministrit Sali Berisha. Përmes një deklarate për shtyp ditë e sotme, zëdhënësja e kësaj partie, Silvi Bardhi i cilësoi shpifje këto deklarata, të cilat sipas saj thuren nga lideri i PS, Edi Rama për të maskuar qëndrimin e tij antishqiptare pas mosvotimit të tre ligjeve të kërkuara nga Komisioni Europian.


“Sot, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, njeriu që në krye të neobllokmenëve në një akt antishqiptar dhe antikombëtar, bllokoi në Parlament votimin e 3 ligjeve për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtar të Bashkimit Europian për Shqipërinë, detyrohet që edhe natën e Krishtlindjeve të vazhdojë përmes çakenjëve të tij fushatën e ulët të shpifjeve, të denja për amoralitetin e tij kundër familjarëve të Kryeministrit. Me këtë fushatë shpifjesh dhe trillimesh z.Rama, beson se do të mund të maskojë përpara shqiptarëve qëndrimin e tij primitiv e hakmarrës në emër të etërve të tij të bllokimit të votimit të 3 ligjeve në Parlament, të kërkuara nga Komisioni Evropian, Këshilli i Ministrave i BE-së, Parlamenti Evropian, por edhe nga miqtë tanë në Washington për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë”, deklaroi zëdhënësja e PD.


Sipas PD, me këto deklarata Rama po përpiqet të fshehë pasurinë e tij, të vënë në mënyrë të paligjshme dhe të pandershme.


“Z. Rama në betejën qesharake të maskimit të vendimit të tij antikombëtar dhe antishqiptar të bllokimit të statusit të vendit kandidat për llogari të atyre që nuk duan kurrë integrimin e Shqipërisë në Europë, ka angazhuar me shtrëngim zëdhënës të akuzuar për trafiqe droge, prostitucioni dhe larje parash të pista të cilët i fshihen si minj organeve të drejtësisë që i kanë nën gjykim për shpifje dhe vepra të tjera penale. Partia Demokratike garanton zotin Rama se ai mund të gënjejë vetveten, se ka fshehur pasuritë e qytezave të ndërtuara me Fidelët e tij, apo se është i pastrehë, por kurrë nuk do të mund të gënjejë shqiptarët për bllokimin që po i bën statusit të vendit kandidat për Shqipërinë”, thuhet në deklaratën e PD.

24 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)