Mazhoranca miraton megjithatë kandidaturën e Presidentit në Gjykatën e Lartë
Mazhoranca e ka sulmuar fort Bamir Topin në ditën e fundit të tij në zyrën e Presidentit të Republikës. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit Parlamentar të Çështjeve Ligjore ka kaluar vetëm me votat e mazhorancës propozimi i Topit për anëtar të Gjykatës së Lartë, Artan Zenelin. Por Ilir Rusmali, armiku i vjetër i Bamir Topit në PD, ka shfrytëzuar auditorin publik për të shpallur një fitore politike ndaj Presidentit të Partisë Demokratike, të cilin selia blu nuk e deshi që të nesërmen e zgjedhjes. Rusmali deklaroi se “ne ke kemi fituar betejën kushtetuese me Topin në lidhje me emërimet”, që në fakt nuk ka qenë ashtu, pasi Gjykata Kushtetuese u ka dhënë dy institucioneve kryesore të shtetit, Presidentit dhe Parlamentit, të drejta të barabarta dhe jo prefalim të njëanshëm. Megjithatë, Artan Zeneli, i propozuar nga Presidenti Topi, mori dje bekimin e mazhorancës për të qenë anëtari i ri i Gjykatës së Lartë. Komisioni i Ligjeve miratoi dekretin e Bamir Topit, që propozonte kryetarin aktual të Gjykatës së Tiranës, si anëtar të hallkës kryesore të gjyqësorit.
“Gjykata e Lartë, në momente të caktuara ka nevojë për njerëz të doktrinës, për njerëz të shquar dhe nëse arrihet që nëpërmjet sistemit përfshirës në karrierë të merren dhe njerëz jashtë sistemit gjyqësor, atëherë me të vërtetë do të kishim një Gjykatë të Lartë profesionale”, deklaroi Zeneli. Në seancë, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, deklaroi se beteja me Presidentin në ikje, Bamir Topi, për dekretet e gjyqësorit ka qenë për procedurat antiligjore të tij dhe jo për emrat konkretë që propozonte. “Duhet ta pranojmë, në ditën e fundit të mandatit të tij të Presidentit që po largohet, betejën kushtetuese për procedurat për emërimin e gjyqtarëve, Parlamenti e ka fituar. Ka ngadhënjyer mbi vizionin e Presidentit në ikje me kokëfortësinë e një njeriu, që në fakt kokëfortësinë nuk e kishte presidenciale. Jemi në vigjiljen e presidencës së re dhe unë shpresoj shumë që presidenti që vjen, gjëja e parë që do të bëjë në detyrën e tij është që të korrigjojë gabimet e Presidentit në ikje”, deklaroi Rusmali. Kandidatura e Zenelit, që u dekretua nga Bamir Topi më 1 shkurt të këtij viti, do t’i nënshtrohet dhe votimit në seancë plenare. Në 2009-n, Zeneli u zgjodh nga KLD-ja, kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, detyrë të cilën e mban dhe aktualisht. Në seancën e djeshme të Komisionit të Ligjeve, opozita ka abstenuar, ndërsa deputeti i mazhorancës, Enkelejd Alibeaj, ish-ministri i Drejtësisë, votoi kundër.
Dekorimet
Presidenti nderon Klosin, Muratin dhe futbollin e Tiranës
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në ditën e fundit të tij si kryetar i shtetit, ka nderuar disa figura të rëndësishme të jetës së vendit, por edhe shoqëri që kanë lënë mbresa në jetën e qytetarëve. Më i rëndësishmi ka qenë dekorimi i Ardian Klosit (pas vdekjes) me urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin “Intelektualit të shquar antikonformist që ia kushtoi gjithë veprimtarinë e tij si publicist, studiues, veprimtar shoqëror, krijues e përkthyes çështjes së demokracisë në vend duke e konsideruar atë si rrugën drejt drejtësisë shoqërore, së vërtetës, moralit e progresit, ndaj dhe refuzoi deri në fund të jetës kompromisin me atë lloj politike që i bie ndesh këtij qëllimi”. Po dje, Presidenti nderoi edhe diplomatin e njohur Shaban Murati me titullin “Mjeshtri i madh” me motivacionin: “Për shërbimin e çmuar që i ka bërë shtetit në veprimtarinë e tij si diplomat. Shaban Murati është një diplomat karriere dhe gazetar”. Presidenti Topi ka nderuar me urdhrin e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” ekipin e futbollit të Tiranës dhe shumë nga legjendat e këtij ekipi.
Dekorimet
1. Klubin e Futbollit Tirana me
Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
2. Agustin Kola me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”.
3. Arben Mingën (Pas vdekjes) me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”.
4. Petrit Dibra me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”.
5. Ali Mema me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”.
6. Fatmir Frashëri me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”.
7. Skënder Halili (Pas vdekjes) me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”.
8. Adem Karapici (Pas vdekjes) me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”.
9. Selman Stermasin (Pas vdekjes) me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”.
10. Ardian Klosin (Pas vdekjes) me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”.
11. Shaban Murati me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”.