Zgjedhjet


Shkon në 21 numri i kandidatëve, Xhindoli në Lushnjë, Karriqi në Përrenjas dhe Belishta në Maliq


Herion Mesi


Lulzim Basha & aleatetNdërsa një pjesë e emrave për zgjedhjet e 21 qershorit janë bërë publikë, tre emra të rinj u janë shtuar zyrtarizimeve të kampit opozitar. Dje, Partia Demokratike konfirmoi kandidatin për kryebashkiak në Lushnjë, Darien Xhindoli, i cili është dhe djali i ish-deputetit dhe ish-kryetarit të PD-së së Lushnjës, Mevlan Xhindoli. Krahas tij, është zyrtarizuar kryebashkiaku aktual i Përrenjasit, Bajazit Karriqi, i cili kandidon sërish për këtë post. Ndërsa kandidati i tretë i zyrtarizuar paraditen e djeshme është ai për kreun e Bashkisë së Maliqit, ku për Partinë Demokratike do të garojë Xhevdet Belishta. Sa i përket përballjes së 21 qershorit që do të zhvillohet në këto bashki, Xhindoli do të ketë përballë Fatos Tushën, kandidati i propozuar pak ditë më parë nga PS-ja. Në Bashkinë e Përrenjasit përballja do të zhvillohet mes Karriqit të PD-së dhe ish-deputetes së LSI-së, Miranda Rirës. Ndërsa në Maliq, ku PD-ja prezantohet me Xhevdet Belishtën, e majta përfaqësohet me Gëzim Topçiun e propozuar nga Partia Socialiste. Këtë javë pritet që të bëhen publike të gjithë emrat e kandidatëve që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 21 qershorit. Sa i përket prezantimit të kandidatëve të saj zyrtarë, opozita ka zgjedhur një tjetër strategji nga ajo e mazhorancës, ku kandidatët shpallen pa prezantime mediatike në publik nga selia e PD-së. Procesi i shpalljes së kandidatëve nis pas diskutimeve me strukturat e partisë dhe deputetët në qarqe të kryedemokratit Lulzim Basha, dhe më pas Kryesia e PD-së zyrtarizon emrat e saj për bashki të veçanta. Por ajo që bie në sy gjatë gjithë këtij procesi, ndryshe nga e majta që ka zyrtarizuar kandidatët e saj thuajse në të gjitha bashkitë kryesore, përveç Vlorës dhe Tiranës, demokratët duket se janë më mbrapa në këtë proces. Kjo për faktin se ende mungojnë emrat e kandidatëve me të cilët opozita do të sfidojë mazhorancën qeverisëse thuajse në të gjitha bashkitë kryesore të vendit. Përveç kandidatëve të saj për Bashkinë e Elbasanit dhe Kamzës, PD-ja nuk ka shpallur asnjë emër për Bashkinë e Lezhës, Fierit, Korçës, Shkodrës, Vlorës, Durrësit apo edhe Tiranës. Një tjetër arsye që ka shkaktuar këtë vonesë është dhe fakti tjetër se partitë e djathta ende nuk kanë përcaktuar edhe se cilat zona do t’u lënë të lira aleatëve. Por e përbashkëta e këtij procesi mes mazhorancës dhe opozitës është mosshpallja e kandidatëve të tyre që do të përballen për drejtimin e bashkisë më të madhe të vendit, që është ajo e Tiranës. Në PD vijojnë të jenë katër kandidatë favoritë: Halim Kosova, Jorida Tabaku, Grida Duma dhe Besnik Aliaj, mes të cilëve Basha do të përzgjedhë njërin.


Përballjet zyrtare


Prej ditësh, mazhoranca dhe opozita kanë nisur të propozojnë një nga një kandidatët për 61 bashkitë e vendit dhe deri më tani janë zyrtarizuar 14 nga përballjet e 21 qershorit, nga 61 që do të zhvillohen në të gjithë vendin. Përveç tre përballjeve të zyrtarizuara dje nga PD-ja për Bashkinë e Përrenjasit, Maliqit dhe Lushnjës, në Elbasan përballja do të jetë mes Qazim Sejdinit të PS-së që kërkon mandatin e 3-të dhe Ardian Turkut të PD-së që synon rikthimin pas 8 viteve në krye të kësaj bashkie; në Bashkinë e Kamzës gara do të zhvillohet mes Safet Gjicit të PS dhe kryebashkiakut aktual Xhelal Mziu të PD-së; në Gjirokastër përballja do të jetë mes Zamira Ramit të LSI-së përballë Igli Kokalarit të PD-së; në Bashkinë e Tropojës do të garojnë Rexhë Biberaj i PS-së përballë Besnik Dushajt të PD-së; për Bashkinë e Matit, Adelia Farrici e PS-së, garon për mandatin e dytë përballë Nezir Rizvanit të PD-së; në Bashkinë e Klosit do të përballen Basir Çupa i PD-së dhe Valbona Kola e PS-së; në Bashkinë e Divjakës, Fredi Kokoneshi i PS-së, kreu aktual i kësaj bashkie do të ketë përballë Irakli Gorean e PD-së. Gorea dhe Kokoneshi, edhe më 8 maj të 2011-s, garuan përballë njëri-tjetrit, por fitorja shkoi për Kokoneshin; në Bashkinë e Pukës do të jenë Rustem Struga i PS-së përballë Rrok Dodës të PD-së; në Bashkinë e Vaut të Dejës, Gjok Lleshi i PS-së do të jetë përballë Zef Hilës të PD-së; në Bashkinë e Belshit, Arif Tafani i PS-së do ketë përballë Asqeri Kuqja e PD-së dhe në Malësinë e Madhe do të përballen Tonin Marinaj i PS-së me Anton Kokën e PD-së.


Zgjedhjet vendore/ KQZ regjistron PD-në si subjekt zgjedhor


Një ditë para skadimit të afatit të përcaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për regjistrimin e partive politike për zgjedhjet lokale të 21 qershorit 2015, partia më e madhe opozitare është regjistruar dje pranë institucionit më të lartë zgjedhor në vend. Gjithashtu, KQZ-ja pranoi kërkesat për regjistrim të: LSI-së, PDK-së, PBDNJ-së, Lëvizjes Demokratike për Vlera, Mirëqenie, Progres, Partisë Ardhmëria Shqiptare, Partisë “Personat me Aftësi të Kufizuar”, Partisë Forca Rinia, Partisë Lidhja Demokristiane Shqiptare, PLD-së, Partisë Lëvizja Demokratike për Ndryshim, Partisë Aleanca Demokristiane e Shqipërisë, PKSH-së, Partisë Socialiste të Moderuar, Partisë të të Drejtave të Mohuara-e Re, Partisë Fronti i Majtë, Partisë së Reformave Demokratike Shqiptare, Partisë Aleanca Popullore, PBKD-së, PAD-së, PLL-së, Partia Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet, PBK, LZHK-së, PPSH-së, PDS-së, PAA-së dhe PDIU-së.