Pas deklaratës së prerë të Ministrisë së Jashtme greke, ku theksohej se nuk ekziston çështja çame, ka reaguar Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Në një deklaratë për mediat kjo parti ka sqaruar se çështja çame tashmë ka hyrë në axhendat e bisedimeve mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe ka kërkuar që Athina zyrtare të kërkojë falje publike për gjenocidin grek ndaj çamëve.
“Çështja çame tashmë ka hyrë në axhendat e bisedimeve mes dy shteteve dhe do të jetë gjithnjë në tavolinën e bisedimeve. Kjo konfirmon edhe një herë frikën e Greqisë për të pranuar se është përgjegjëse për një prej gjenocideve më të përgjakshme në histori. PDIU i kujton zotit Delavekouras se çështja çame nuk është vetëm një çështje ligjore që i takon të gjejë zgjidhje në gjykatë, por në radhë të parë është çështje politike, që i takon të zgjidhet mes dy shteteve.
Dhe së dyti është një çështje njerëzore, ku Greqia së pari duhet të kërkojë një falje publike për masakrën e kryer nga ushtritë zerviste dhe të lejojë qindra mijëra pjesëtarët e komunitetit çam që të mund të shohin shtëpitë e tyre dhe të vendosin lule mbi varret e të parëve të tyre”, thuhet në njoftimin për shtyp të PDIU-së. Më tej, PDIU shprehet e bindur për depozitimin në Kuvendin e Shqipërisë të nismës për rezolutën e çështjes çame.
8 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)