Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe Klubi i Patriotëve riapelojnë për zhvillimin e një tryeze të përbashkët mes mazhorancës dhe opozitës. “Sekretarja e Shtetit të SHBA-së, Hillari Klinton, vizitoi Shqipërinë. Ne si komb, PDIU, përfaqësuesja kryesore e komunitetit çam në Shqipëri i shprehin mirënjohjen zonjës Klinton, e cila si kongresmene e ka ngritur çështjen çame në Kongresin Amerikan. Ne sot, duam të shprehim dhe keqardhjen tonë, që klasa politike e të dy krahëve nuk i dha zonjës Klinton sihariqin e madh, realizimin e një tryeze politike ku të vendoset zgjidhja e krizës që mban peng legjislacionin që do të përmbyllë detyrimet tona për marrjen e statusit të kandidatit për në BE. Ne e kemi theksuar dhe një herë tjetër rëndësinë e marrjes së këtij statusi. Shumë mirë që qeveria po përgatitet për festimet e 100-vjetorit, por qeveria duhet të bëjë propozime konkrete për zgjidhjen e krizës. Shumë mirë që opozita iu bashkua nismës sonë për ngritjen e flamurit në çdo ballkon, por duhen dhe veprime konkrete për zgjidhjen e krizës”, thuhet në deklaratën për shtyp. Më tej, theksohet se “ne do dëshironim që kjo tryezë të ishte lajmi pozitiv për zonjën Klinton që erdhi këtu për të theksuar mbështetjen për integrimin europian të Shqipërisë. Mbeten dhe pak ditë. Do të ishte e turpshme nëse nuk do të bëhej kjo tryezë, apo nëse kriza nuk do të zgjidhej në një mënyrë ose në një tjetër. Ne e përsërisim thirrjen tonë: nesër do të jetë shumë vonë dhe dikush do të përgjigjet në gjyqin e historisë”.