Braho: Je një vlerë e shtuar që nga koha e pluralizmit e deri më sot


Artemisa Hoxha


Mesila Doda dhe deputeti i PDIU, Shpetim Idrizi_1Nuk është aspak surprizë fakti që ish-deputetja demokrate, Mesila Doda, t’i bashkëngjitet grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Pak orë pasi vetë demokratja Doda njoftoi nëpërmjet një letre të hapur largimin nga partia që ajo së bashku me disa nga studentët grevistë të lëvizjes së dhjetorit ’91 themeluan, ka ardhur oferta nga PDIU-ja për të qenë pjesë e kësaj partie, ku sipas drejtuesve të lartë të kësaj partie do të ishte nder nëse deputetja Doda do t’i bashkohej pesë deputetëve të tjerë që ka në Parlament. Ka qenë Vjollca Braho, kryetarja e Forumit të Gruas në PDIU, e cila nëpërmjet një mesazhi e ka ftuar Dodën t’i bashkohet kësaj partie, duke vlerësuar kontributet dhe përvojën e dhënë jo vetëm si deputete nga ana e Mesila Dodës nga koha e pluralizmit e deri më tani. Edhe pse kreu i kësaj partie, Shpëtim Idrizi, nuk e ka konfirmuar zyrtarisht ftesën që do t’i bëhet deputetes Doda për t’iu bashkëngjitur partisë që ai drejton, duket se dera e PDIU-së është e hapur në çdo moment për deputeten Doda.


Mesazhi


Mesazhi i Brahos drejtuar deputetes Doda nis me fjalët që ajo i drejtohet një mikeje, tek e cila vlerëson çdo vlerë të saj e për të arritur në fund te ftesa që i bën për të qenë pjesë e PDIU-së. “Mikja ime, ti je një nga politikanet femra që ke dhënë një kontribut shumë të madh në politikën shqiptare. Je kurajoze për ta thënë hapur mendimin tënd e je një vlerë e shtuar që nga koha e pluralizmit e deri më sot, kontributi dhe përvoja jote do të ishte nder për çdo parti. Derën e PDIU-së e ke të hapur…”, shkruan funksionarja e lartë e PDIU-së në mesazhin drejtuar deputetes Doda. Nuk kanë qenë të paktë zërat që kanë folur për një kalim të tillë të deputetes demokrate, e cila së fundmi kishte shkëputur marrëdhëniet me Partinë Demokratike, duke mos marrë pjesë për disa muaj me radhë në mbledhjet e grupit parlamentar të saj. Në disa raste, ligjvënësja ka deklaruar se nuk ishte njoftuar, në disa të tjera ajo nuk ka marrë pjesë, duke thelluar në këtë mënyrë hendekun me partinë më të madhe opozitare. Doda u përjashtua de fakto nga fushata për zgjedhjet vendore të 21 qershorit, kjo për faktin se ligjvënësja demokrate ishte e vetmja ndër deputetet e PD-së që theu vendimin politik, duke marrë pjesë në seancën parlamentare ku u hoq imuniteti për deputetët Tom Doshi dhe Mark Frroku. Edhe pse në letrën e saj ajo ka theksuar se do të votojë çdo nismë të Partisë Demokrate që do t’i shërbejnë shtetit ligjor, tashmë Doda do të jetë pjesë e mazhorancës, duke i dhënë një votë më shumë mazhorancës në Parlament. Deputetja Doda është e dyta që largohet në radhët e opozitës, ku më herët, Partisë Demokratike i është larguar edhe deputeti Gjovalin Kadeli i Qarkut të Lezhës, tashmë deputet i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim. Afrimi i deputetes Doda me PDIU-në ka ndodhur pikërisht me nismën e saj së bashku me kreun e kësaj partie, Shpëtim Idizmi, duke depozituar në Kuvend, një projektligj për hapjen e dosjeve dhe lustracionit, i cili nuk u mbështet nga mazhoranca por as nga opozita. Pas gjithë përplasjeve brenda partisë, deputetja e ka njoftuar largimin e saj nga grupi parlamentar i djathtë nëpërmjet një letre postuar në profilin zyrtar në Facebook, ku shpjegon dhe arsyet që e çuan në këtë vendim, i cili nuk është aspak surprizë referuar mungesave të saj në mbledhjet e grupit apo dhe qëndrimet kritikuese ndaj opozitës. “E gjetur në këtë udhëkryq, ku mungon çdolloj komunikimi e bashkëpunimi reciprok, e përjashtuar de facto nga veprimtaria politike e deputetit, më duhet të lajmëroj veprimet e mia më të fundit të shkëputjes së marrëdhënieve formale me grupin parlamentar të Partisë Demokratike. Më duhet të siguroj të gjithë votuesit se çdo propozim që PD do të sjellë në Kuvend e që do jetë në funksion të reformave dhe shtetit ligjor, në përkrahje të shtresave në nevojë dhe shtresave tradicionale të djathta, do përkrahet e votohet pa asnjë mëdyshje nga unë. Votimi im, ashtu si deri më sot, do të vazhdojë të jetë vetëm në përputhje me ndërgjegjen time qytetare, politike e njerëzore dhe nuk do ndikohet në asnjë rast nga vendime partiake, arbitrare a të ndikuara nga interesa”, shkruan Doda, duke mos kursyer as akuzat mbi klientelizmin në këtë parti.


 


Gjana: Jemi në demokraci, dorëheqja vendim individual


Ish-deputeti demokrat, Jemin Gjana, e konsideron largimin e Mesila Dodës nga PD-ja si një gjest, pjesë e politikës, e cila nuk duhet parë aspak në një këndvështrim shqetësues për njërën palë të politikës apo për një palë tjetër. “Është normale që në demokraci të ketë veprime të tilla, dorëheqje nga një parti e caktuar, pasi këto janë më tepër individuale si veprime sesa kolektive. Janë gjëra të zakonshme që ndodhin në politikë. Nuk e shikoj aspak si një veprim të jashtëzakonshëm këtë që ka bërë znj. Doda. Në parti ka pasur largime, por ka pasur edhe rikthime. Gjithsesi, çdo veprim është individual”, thotë Gjana duke shtuar se veprime të tilla, pra kundërshtime në parti kanë ndodhur edhe në kohën e Enver Hoxhës, e jo më tani në demokraci.


 


Paloka: Mesila Doda ka ikur me kohë nga PD, do ketë kaluar nga PDIU


Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, duke hedhur poshtë pretendimet e deputetes Doda se ka ndikuar ai në përjashtimin e saj nga partia, është mjaftuar vetëm me një ironi duke thënë se Doda mund të ketë ikur nga PDIU te LSI-ja. “Mesila Doda ndoshta ka ikur nga grupi parlamentar i PDIU-së te grupi parlamentar i LSI-së, sepse nga grupi parlamentar i PD-së ka kohë që ka ikur”, deklaroi Paloka. Doda, nëpërmjet një letre të hapur, deklaroi largimin nga PD, duke renditur arsyet e ndarjes me partinë që, siç shprehej, e krijoi bashkë me studentët e pedagogët 25 vite më parë. Ajo pretendonte se thyerja me PD kishte nisur që nga anatemimi i qëndrimeve të saj për çështje të rëndësishme, si armët kimike, dekriminalizimi me çdo kusht i Kuvendit, refuzimi i bojkotit apo çuarja përpara e procesit për hapjen e dosjeve.