Deklarata
“Athina tenton të fshehë tendencat irredentiste për territorin”
Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitetet i cilëson si të papranueshme deklaratat e ministrit grek Avramopulos për detyrimin që ka Shqipëria për zbatimin e paktit detar. “Deklaratat e ministrit të Jashtëm grek, mbi “detyrimin e palës shqiptare” për të pranuar marrëveshjen antikushtetuese të detit, është një qëndrim i papranueshëm që nuk përputhet në asnjë rast me parimet bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare. Një marrëveshje e tillë nuk ekziston për aq sa nuk është ratifikuar nga të dyja vendet. Tendenca e ministrit grek për të deklaruar se një marrëveshje e tillë ekziston, elektrizon marrëdhëniet dypalëshe dhe tregon se Greqia tenton të fshehë interesat e saj irredentiste ndaj territorit shqiptar”, thuhet në reagimin e PDIU-së. Më tej, PDIU-ja thekson se “na vjen mirë se boshti i deklarimeve të zotit Panariti ditëve më parë i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit, ishte vendimi i Gjykatës Kushtetuese, vendim që, sipas tij, “është i prerë dhe pikë referimi për negociatat e ardhshme. Ne duam të besojmë se kështu do të jetë në rast negociatash me fqinjin tonë jugor”. Por, PDIU-ja beson se Greqia po luan me një skenar tjetër, atë të faktit të kryer. “Greqia ka filluar kërkimin e naftës në Jon, dhe për herë të parë në gazetën zyrtare greke është botuar harta e zonës ekskluzive ekonomike me Shqipërinë.
PDIU pyet: Mbi bazën e kujt e ka bërë Greqia një përcaktim të tillë, nëse s’ka asnjë marrëveshje të ratifikuar me Shqipërinë? Në cilat koordinata po bëhen kërkime dhe pse në vitet 1994 ishte Shqipëria që kërkonte naftë në Jon? Nëse Greqia po zhvillon kërkime në Jon, atëherë negociatat s’do të kenë ndonjë vlerë praktike. Greqia kërkon të na vendosë para faktit të kryer, ku hapësira e veprimit tonë shtetëror është e kufizuar, vetëm te mjetet gjyqësore ndërkombëtare. Shqipëria duhet të kërkojë urgjentisht në mënyrë publike sqarime Greqisë, për vendndodhjen e punimeve kërkimore, para se të kryhet takimi i ministrave të Jashtëm të Shqipërisë me atë të Greqisë në Athinë në tetor”, thuhet në deklaratën për shtyp të PDIU-së.