Takimi
Dokumenti përmban kthimet e paligjshme të çamëve në kufi nga Athina
Çështja e kthimit të shqiptarëve të lindur në Çamëri në kufirin grek pritet të ngrihet dhe në Parlamentin Europian. Kjo për shkak të një takimi që u mbajt dje mes një përfaqësie të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe reporterit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, Nikolaos Hundis, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë. Në këtë takim PDIU u përfaqësua nga
Adri Nurellari, sekretar politik, Abas Hado, zëvendësministër i Kulturës, Ardian Tana, zëvendësministër i Arsimit dhe Ardit Bido, sekretar i marrëdhënieve me publikun, një rëndësi e veçantë iu vendos çështjes së kthimeve në kufi. Duke e quajtur këtë një çështje të rëndësishme të të drejtave të njeriut, përfaqësia e PDIU-së i dorëzoi Hundis një dosje të plotë me të gjithë shqiptarët e Çamërisë të kthyer në kufirin shqiptaro-grek, duke kërkuar që kjo çështje të gjejë përfaqësim edhe në Parlamentin Europian. Po kështu, raportit të PE-së iu paraqitën dhe projektet e PDIU-së për sa i përket zgjidhjes ligjore dhe diplomatike të çështjes çame, si një çështje legjitime e të drejtave të njeriut. Po kështu, në takim u prezantuan prioritetet kryesore të PDIU-së në proceset integruese dhe hapat e mëtejshëm që duhet të hidhen në këtë drejtim. Me këtë rast, përfaqësuesit e PDIU-së e informuan raporterin Hundis mbi kuadrin programor të partisë, patriotizmin shtetformues dhe rolin konstruktiv të PDIU-së mbi zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, në kuadër të procesit integrues të Ballkanit Perëndimor. Një tjetër çështje e diskutuar mes palëve ishin dhe 12 rekomandimet e Bashkimit Europian dhe statusi i vendit kandidat. Si një parti parlamentare me dy deputetë në Kuvend, përfaqësuesit e PDIU-së prezantuan aksionet dhe qëndrimet e PDIU-së në këtë proces, duke nënvizuar nevojën e heqjes së imunitetit si edhe faktin se deputetët e PDIU-së ishin ndër të parët që kanë nënshkruar projektligjin për heqjen e imunitetit.
Në këtë kuadër, palët ranë dakord se procesi i integrimit të Shqipërisë është i pandalshëm dhe se nevoja për marrjen e statusit kandidat është jetike për prosperitetin e kombit shqiptar. Çështja e kthimit në kufi të shqiptarëve që kanë lindur në Çamëri prej pak vitesh është bërë një ngjarje e përsëritur për të cilën diplomacia shqiptare ende nuk ka gjetur një zgjidhje. Kjo çështje e ngritur rishtazi si problem nga pala greke ka sjellë probleme të shumta për këtë kategori individësh për sa i përket të drejtës së tyre për të lëvizur lirshëm. Pavarësisht denoncimeve të herëpashershme të PDIU-së për këtë çështje, ende nuk është gjetur asnjë zgjidhje.
F.Mejdini