Bisedimet me Greqinë dhe deklarata e ministrit të jashtëm grek Nikos Kotzias mbi marrëveshjen e re të detit, duket se kanë “ndezur në flakë” mjedisin politik në Shqipëri.


Lidhur me 12 miljet detare që do të përfitojë Greqia dhe mos hedhjen për diskutim të çështjes çame në takimet Bushati-Kotzias, reaguan ashpër PDIU dhe kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili.


PDIU kërkoi nga kryeministri dhe ministri i Jashtëm të informojë shqiptarët për ecurinë e bisedimeve me Greqinë për çështjen çame, duke sjell në vëmendje edhe rezolutën në fuqi që u miratua në 2012, ndërsa Vasili atakoi kryeministrin Rama duke e quajtur gënjeshtar.


“Kërkojmë publikisht nga Kryeministri dhe Ministria e Jashtme të informojnë shqiptarët dhe në veçanti ata çamë – për ecurinë e bisedimeve për një nga çështjet më të ndjeshme për mbi 300 mijë qytetarë të tyre, të cilët presin që autoritetet shqiptare të trajtojnë me detyrim kushtetues e reciprocitet zgjidhjen e kësaj çështje, ku u masakruan 20 përqind e popullsisë dhe 80 përqind e saj u shpërngul në një pastrim etnik të paparë në Europë”, thuhet në deklaratën e PDIU.


Pikërisht në drejtim të këtyre dy deklaratave shkon edhe përgjigjia e Edi Ramës me një postim në Facebook, ku i cilëson zërat kundër bisedimeve si patriotë me çizme.


“Patriotë me çizme e çamëristë të sapongjizur në kazanin politik e mediatik, pasi i lanë poturet për çerekshekulli varur në telin e fqinjit dhe harruan edhe detin në shtëpinë e tij, na janë ndezur sot flakë e zjarr për të bërë shkrumb e hi qeverinë, në turrën e akuzave për tradhëti!”, shprehet Rama.


Sipas kreut të ekzekutivit ata “janë të mjerë që meritojnë veç mëshirë” dhe bën thirrje për durim deri në finalizimin e marrëveshjes me Greqinë.


“Kujt ndër ju shqetësohet prej çizmeve të patriotizmës së tyre pa din e as iman, i them bëj durim edhe pak e prit, sa të shkruhen gjërat e zeza mbi të bardhë në dokumentet e marrëveshjes së re me fqinjin. Dhe ndërkohë mos dysho hiç fare se ne që ditëm t’i hapëm me kurajo e dinjitet, hesapet e 70 vjetëve me fqinjin, ne dimë edhe t’i mbyllim ne dinjitet e mirëkuptim, në interes të Shqipërisë e të shqiptarëve pa dallim”, thekson kryeministri.


30 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)