Faktet


Kushtet – Shqipëria pritet të marrë statusin e vendit kandidat vetëm në momentin kur partitë politike të kalojnë me shumicë të cilësuar votash tri ligje


Ligjet – Ligji për statusin e nëpunësit civil, ai për Gjykatën e Lartë dhe mbyllja e reformës parlamentare, janë ligjet me shumicë të cilësuar që i hapin rrugë statusit


Afati – Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka deklaruar se këto ligje duhet të miratohen deri në datën 20 nëntor, si pasojë e kohës që i duhet Këshillit të BE-së të marrë vendimin


Këshilli – Ministrat e Jashtëm të 27 vendeve anëtare të BE-së do të vendosin në dhjetor për t’i dhënë Shqipërisë statusin që kërkon prej tre vitesh tashmë


Opozita – Përfaqësuesit e opozitës kanë theksuar se ata nuk do t’i votojnë ligjet që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash pa zhbllokimin e situatës në Qarkun e Fierit


100-vjetori 


Partia, pjesë e koalicionit qeverisës, kërkon edhe diskutimin e kërkesës së opozitës


Fatjona Mejdini


Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet i bëri një ftesë publike dje Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, të mbledhë tryezën e partive politike për të gjetur konsensus në lidhje me miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar votash në kuadër të nevojës për integrim. Kjo thirrje publike e partisë që drejtohet nga Shpëtim Idrizi, argumentohet me ngjarjen e madhe të festimit të 100- vjetorit të Pavarësisë nga ana e vendit dhe po kështu me vizitat e rëndësishme të dy përfaqësuesve kyç të diplomacisë amerikane dhe europiane, përkatësisht Hillari Klintonit dhe Katherin Ashtonit. PDIU-ja bën thirrje për një konsensus të madh mes palëve dhe, nga ana tjetër, nuk harron të theksojë edhe faktin se kërkesat e opozitës duhet të gjejnë trajtim në tryezën e përbashkët që pritet të drejtohet nga Presidenti Nishani. Kjo kërkesë e PDIU-së është edhe një thirrje e një partie që është pjesë e qeverisjes, për të lënë mënjanë qëndrimet e ngurta mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste e për të gjetur konsensus në lidhje me përfundimin e procesit të marrjes së statusit të vendit kandidat. Nga ana tjetër, thirrja vjen në një kohë kur vetë Presidenti Nishani u ka bërë ftesë partive parlamentare për takime në kuadër të përcaktimit me konsensus të datës, në të cilën do të mbahen zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.


Kërkesa


PDIU-ja e konsideron si të pajustifikueshëm faktin që sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, dhe shefja e diplomacisë europiane, Katherin Ashton, gjatë vizitave të tyre në nëntor në Tiranë ta gjejnë vendin në krizë politike. Sipas PDIU-së, Presidenti Nishani, si kreu i shtetit, duhet të jetë njeriu i cili përmes një tryezë të posaçme duhet të mbledhë partitë politike, me qëllim miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar, që po mbajnë ende peng statusin e vendit kandidat. “Ne i kërkojmë Presidentit të Republikës që sa më shpejt të thërrasë një tryezë politike të partive kryesore parlamentare, apo të gjithë subjekteve politike që kanë rol në zgjidhjen e krizës parlamentare, nga ku duhet të dilet me një vendim të vetëm: miratimin e ligjeve që na kërkohen me shumicë të cilësuar”, thekson PDIU-ja në deklaratën e bërë dje publike për mediat. Nisur nga vetëdija se në këmbim të votës për ligjet PS-ja kërkon plotësimin e disa kushteve të vendosura, PDIU-ja thekson se tryeza mund të shërbejë për të vendosur edhe rrugët sesi do të zgjidhen këto kërkesa. “Në këtë kuadër, tryeza le të vendosë gjithashtu për një zgjidhje të problemeve që shtron opozita. Ligjet e integrimit dhe problemet e opozitës mund të shtrohen në atë tryezë, por duhet të zgjidhen veç e veç”, thekson PDIU-ja në deklaratë.


Nishani


Kjo kërkesë e PDIU-së nuk dihet ende sesi do të pritet nga ana e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, por ky i fundit ka vendosur që në datën 5 nëntor, të presë në takime të ndara përfaqësuesit e partive parlamentare. Zyra e shtypit e Presidencës ka bërë të ditur pak ditë më parë, se “Presidenti Nishani fton partitë politike parlamentare të bisedojnë e të konsultohen për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme për Kuvendin”. Kreu i shtetit do të realizojë kështu takime të veçanta me drejtuesit e grupeve të partive parlamentare, si nga e majta, ashtu dhe nga e djathta. Patozi i PD-së, Ruçi i PS-së dhe Koka i LSI-së, si tre drejtues të grupeve parlamentare janë të ftuar në këtë takim. Burime nga Presidenca bëjnë të ditur se ftesa u është drejtuar kryetarëve të PR-së, Fatmir Mediut të PBDNJ-së, Vangjel Dules dhe Idrizit të PDIU-së.


 


Nisma për Kod


Nishani takim me Wollfarth për etikën në zgjedhje


Presidenti Bujar Nishani zhvilloi një takim dje me kreun e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadorin Eugen Wollfarth, me kërkesë të këtij të fundit. Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, gjatë takimit u bisedua në lidhje me përgatitjen e një kodi etike, i cili do t’i shërbente shmangies së një gjuhe të papërshtatshme gjatë zhvillimit të fushatës për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2013. Ai e ftoi gjithashtu Presidentin Nishani të marrë pjesë në ditën e OSBE-së, ftesë të cilën Presidenti i Republikës e priti me kënaqësi.