Komisioni i jashtëm i Parlamentit Evropian i ka hapur “dritën jeshile” Shqipërisë për marrjen e plotë të statusit të vendit kandidat në BE. Deputetët në këtë komision miratuan me 61 vota pro, një kundër dhe dy abstenime rezolutën me këtë rekomandim.


Megjithatë sipas deputetëve të komisionit të jashtëm të Parlamentit Europian, zgjedhjet parlamentare të 2013-ës do të jenë një test i rëndësishëm për demokracinë në Shqipëri. Në rezolutën për Shqipërinë, ata i bëjnë thirrje partive politike që të zhvillojnë një fushatë të mirë dhe të punojnë së bashku për të përmirësuar klimën politike në vend. Ata kërkojnë nga politika shqiptare që të finalizojë një proces zgjedhjesh të lira e të drejta.


Në rezolutë, një vend të veçantë , i kushtohet edhe lirisë së mediave, ku theksohet se duhet të jetë i standardeve ndërkombëtare dhe zbatimi i plotë legjislacionit. Deputetët e komisionit të jashtëm të PE, shprehën rezervat e tyre mbi progresin e ngadaltë që ka bërë Shqipëria në drejtim të reformës në gjyqësor duke theksuar rëndësinë e një sistemi gjyqësor transparent, të pavarur dhe të pakorruptuar.  Rezerva ka pasur edhe me nivelet e  trafikimit të qenieve njerëzore, nivelit të lartë të papunësisë  dhe nivelti ekonomik.


23 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)