Rrëfehet në gazetën “Shqip”, tre civilë e detyrojnë ta përgënjeshtrojë ose do ta ketë pisk
Shpresa Mezini
Vijon “Seriali” i luftës për plehra në kryeqytet… Kësaj here me kërcënime për jetën. Pasi i urdhëruan të mos mbledhin më mbetje në kazanët e mbeturinave, i konfiskuan mjetet e transportit, ndërsa sot trokasin në dyert e shtëpive të tyre për t’i detyruar të heshtin, në të kundërt do ta kenë punën pisk. Përndjekja që po u bëhet romëve ngjan me një serial që sa më shumë zgjatet në kohë, aq më i frikshëm bëhet. Kështu ka ndodhur me personazhin e disa ditëve më parë, historia e të cilit u publikua në faqet e gazetës “Shqip”, si një nga viktimat e “luftës” për plehra. Teksa rrëfente sesi Policia Bashkiake i kishte konfiskuar dumdumin me 706 kg mbetje, më datë 20 korrik, më kërkoi me përulje që të mos publikoja identitetin e tij të plotë. Shkak, rreziku apo pasojat që mund të shkaktonte zbardhja e kësaj historie. Ndonëse zgjodhi të ruhej, duke përmendur vetëm inicialet e emrit dhe të mbiemrit, përsëri nuk shpëtoi. Tre persona të veshur civil, tre ditë pas bërjes publike të këtij rrëfimi trokitën në derën e zotërisë me inicialet H.R. duke e kërcënuar të përgënjeshtrojë lajmin, në të kundërt ai dhe familja e tij do të kenë pasoja për jetën. Ndonëse përballë këtij rreziku, ai nuk ndalet të tregojë detaje nga dita kur tre persona i trokitën në derë në vakt dreke dhe i kërkuan të dalë jashtë pragut. Edhe pse këmbëngul të denoncojë këtë ngjarje të tmerrshme, frika e tij dallohet lehtësisht. Kjo për faktin se edhe pse tashmë ai është identifikuar nga personat përgjegjës, kundërshton të identifikohet me emër dhe mbiemër. Ai është kërcënuar. Ka frikë. Fyen. Urren, por përsëri tërhiqet…është i pafuqishëm.
Pensionisti me inicialet H.R., i cili punoi 10 ditë për të grumbulluar 706 kg mbetje, por fatkeqësisht ato nuk shkuan asnjëherë në pikën e grumbullimit, pasi Policia Bashkiake ia konfiskoi rrugës, pa i dhënë asnjë shpjegim. Zotëria me inicialet H.R. rrëfeu disa ditë më parë për gazetën “Shqip” konfliktin me Policinë Bashkiake, e cila i ka konfiskuar 1.000.000 lekë mbetje. “Zgjodha të mos identifikohem me emër e mbiemër të plotë, sepse jam i moshuar, i pafuqishëm për t’u përballur publikisht me shtetin. Mendova se, duke përmendur vetëm inicialet e emrit, do të ishte më i vështirë identiteti im i plotë, por jo. Dy ditë më parë, në mesditë, rreth orës 13.26 minuta ra dera. Sapo kisha ngrënë drekë me gruan dhe po pushonim. E hapa derën pa pyetur kush ishte se po prisja njërën prej vajzave për vizitë. Kur hapa derën, pashë tre burra civilë që më kërkuan me ton të ashpër të dilja jashtë shtëpisë. Dola. S’po u besoja më as veshëve, as syve. Më kërcënuan se do të më digjnin shtëpinë, se do të humbja gjithçka kisha në rast se nuk do të përgënjeshtroja shkrimin që dhashë disa ditë më parë për ju”, rrëfen pensionisti.
“Kush tjetër do të ma kërkonte këtë përveç atyre që u prekën nga historia që unë rrëfeva për gazetën tuaj?”, tregon 66-vjeçari.