Teferi Hamzaraj, 62 vjeçe, ndihmoi dy djemtë e saj, trafikantë droge në Angli. Dosja në gjyq 


Edmond Hoxhaj


fatos hamzarajEdhe pse ka pasur dijeni të aktivitetit të paligjshëm të kryer nga i biri në Angli, nëna e tij 62-vjeçare dyshohet se ka bashkëpunuar të pastrojë në Shqipëri paratë e fituara prej tij. Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet paraprake ndaj të dyshuarve për pastrimin e parave të Fatos Hamzarajt, i cili është vënë në pranga nga policia londineze tri vite më parë dhe dosja i është përcjellë gjykatës për shqyrtim.


 


Dosja në gjykatë


Në kërkesën për gjykim, prokuroria ka parashtruar provat e siguruara nga hetimet e kryera në kuadër të këtij procedimi penal në ngarkim të të pandehurve Arsen, Pëllumb dhe Teferi Hamzaraj, të tre familjarë të Fatos Hamzaraj i akuzuar në shtetin anglez për vepra penale të furnizimit të drogave të klasit A dhe C. Të pandehurit e sipërcituar akuzohen se kanë kryer veprime aktive, që konsistojnë në investimin e lekëve që dihet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale në zhvendosjen e pronësisë së aktiviteteve tregtare, në blerje të pasurisë së paluajtshme apartament, në krijimin e depozitave rrjedhëse apo me afat, duke mbuluar origjinën e këtyre produkteve. Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se transfertat bankare me dërgues Fatos dhe Arsen Hamzarajn, kanë pasur si përfituese kryesore të pandehurën Teferi Hamzaraj. Gjithashtu, dyshohet se ka qenë ajo që ka kryer riciklimin e tyre në mënyra të ndryshme, si krijim të depozitave bankare, tërheqje të lekëve për blerje makine, mobilim shtëpie dhe dërgime të lekëve që dihet se rrjedhin nga një krim prej Shqipërisë në Itali. Në kërkesën për gjykim të prokurorisë, thuhet se të gjitha këto transaksione, duke i vlerësuar në raport me personin që i ka kryer, janë të pajustifikuara ekonomikisht dhe si të tilla janë produkt i veprimtarisë kriminale të shtetasit Fatos Hamzaraj”.


 


Transfertat dhe pronat


Ndërkaq, hetimet tregojnë se nëna 62-vjeçare së bashku me djemtë e saj, me paratë e përfituara prej veprimtarisë së paligjshme kanë ngritur disa biznese, më konkretisht një pikë të shitjes së karburanteve, një bar, një palestër dhe një lavazh në fshatin Cakran të Fierit. Nga verifikimet e hetuesve është konkluduar se vlera e investimit të tyre në kohën e ndërtimit, referuar aktit të ekspertimit kontabël, është 23 635 314 lekë të reja. Po ashtu, ka rezultuar se 62-vjeçarja Teferi Hamzaraj ka blerë një apartament në qytetin e Fierit në një shumë monetare prej 48 000 eurosh.


Në kërkesën për gjykim thuhet se, dërgesat e parave të Fatos Hamzarajt tërhiqeshin nga e ëma pensioniste. Ndërkohë ajo rezulton të jetë pronare e një pike të shitjes së karburanteve 150 metër katrorë, një palestre, një lokali, një apartamenti në Fier, 120 metra katrorë dhe një trualli 782 metra katrorë në Cakran, të cilat janë të pajustifikuara financiarisht prej saj. Sipas prokurorisë, këto prona janë në përdorim nga djemtë e tjerë të saj, Pëllumb dhe Arsen Hamzaraj. Por pasuritë e pensionistes Teferi Hamzaraj nuk mbaronin me kaq. Ajo rezulton të ketë pasur edhe disa llogari bankare në tri banka të ndryshme, nëpërmjet të cilave janë qarkulluar shuma në disa qindra mijëra euro të depozituara nga bashkëpunëtorët e djalit të saj, sqarohet në kërkesën për gjykim. Prokuroria e Fierit ka kërkuar që tre të pandehurit e sipërcituar, 62-vjeçarja Teferi Hamzaraj dhe dy djemtë e saj Arsen e Pëllumb Hamzaraj, përkatësisht 37 e 33 vjeç, të gjykohen për veprën penale të “pastrimit të parave nga aktiviteti kriminal”.


 


Hetimi


Një vit e gjysmë më parë, në dhjetor të 2011-s, Policia dhe Prokuroria e Fierit sekuestruan pronat dhe llogaritë bankare të përfituara nga të ardhurat e trafikut të drogës, për të cilin është arrestuar në Angli, Fatos Hamzaraj. Nga hetimi i kryer edhe në bashkëpunim me drejtësinë britanike, Prokuroria e Fierit ngre dyshimet se pronat dhe bizneset e regjistruara në emër të Teferi Hamzarajt, në Cakran të Fierit, ishin krijuar nga paratë që ajo merrte nëpërmjet transfertave bankare të kryera prej Anglisë nga djali i saj, Fatosi, i cili akuzohet atje për trafik droge. Por, veç dërgesave, dyshohet se nëna e të arrestuarit ka marrë shuma të konsiderueshme parash në dorë nga persona të ndryshëm që vinin në vendlindje e që i transportonin shumat me porosi të djalit të saj, Fatos Hamzaraj, i cili u prangos në janar të vitit 2011 në Angli si drejtuesi i një grupi të trafikut të kokainës nga Amerika e Jugut drejt Anglisë.


 


Trafiku


Sipas dosjes së drejtësisë britanike, Fatos Hamzaraj nga Cakrani i Fierit, prej 3 vitesh kishte krijuar një organizatë të trafikut ndërkombëtar të drogës, të cilën e drejtonte vetë. Si bashkëpunëtorë të tij, Fatosi kishte zgjedhur persona me kombësi të ndryshme, si italianë, anglezë dhe kolumbianë. Pas arrestimit të Fatosit në Angli, nisi një hetim i përbashkët i drejtësive të dy vendeve, me qëllim zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal të Fatos Hamzarajt dhe destinacionin e parave të përfituara prej tij nga aktiviteti i paligjshëm.


Nga verifikimet e transaksioneve bankare të kryera prej të riut shqiptar të arrestuar në Angli, është konkluduar se paratë ai i niste në emër të së ëmës 62-vjeçare Teferi Hamzaraj dhe të vëllait Arsen Hamzaraj. I pandehuri Arsen Hamzaraj ka tentuar t’i justifikojë si të ligjshme bizneset dhe pronat që figurojnë në emër të nënës 62-vjeçare dhe për këtë arsye kanë siguruar edhe dokumente pronësie në formë trashëgimie, që dyshohet të kenë qenë të falsifikuara. Gjykata e Fierit ka vendosur sekuestron e pronave dhe llogarive bankare të tre të pandehurve, të cilët pritet të përballen së shpejti me togat e zeza.