kuvend, seance


Seanca e sotme plenare e ka nisur rendin e ditës me diskutimin për pr/ligjin e aderimit të Shqipërisë në Marrëveshjen e Londrës për patentat, por që është kthyer nga opozita në diskutime lidhur me situatën poltike pas shpërbërjes së KQZ.


Dy deputetet e PS, Arta Dade dhe Mimi Kodheli kanë theksuar se përpos kësaj marrëveshjeje, rëndësi parësore në këto momente për vendin tonë ka legjitimiteti i zgjedhjeve dhe mënyrës se si po funksionin parlamenti çka ka sjellë reagimin e menjëhershëm të kryetares Topalli që i ka paralajmëruar se janë jashtë rendit të ditës.


Bejtja i reciton Topallit:  Të lutem na lër të të puthim në faqe. Topalli: T’i meriton tamam një patent të budallallëkut


Në seancën e sotme plenare nuk kanë munguar momentet e humorit. Deputeti socialist, Ilir Bejtja, që në fund të fjalës së tij ka recituar një poezi për kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.


Bejtja fillimisht ka sulmuar ashpër ish-deputetin socialist, Kastriot Islami, që sipas tij ka sharrë dhe fyer deputetët socialist dhe pas reagimit të Topallit, i ka recituar një poezi.


“Zonja Jozefina, Zonja Jozefinë, Me kët që bën, KQZ-në që vjedh, Oh sa na kënaq,


Për gjithë këtë turp, që mbi shpinë na hedh, Të lutem na lër të të puthim në faqe”, ka recituar Bejtja nga foltorja e Kuvendit. Pas kësaj  Topalli ka reaguar duke i thënë: “t’i meriton tamam një patent të budallallëkut me këtë që bën more djalë. Po i pafejum tërë jetën ke me mbet. Kush t’i jep faqet ty”.


Deputeti Dashnor Sula fyen dhe kërcënon Taulant Ballën


Deputeti i PD, Dashnor Sula i është drejtuar me fjalë fyese dhe ka kërcënuar  deputetin socialist, Taulant Balla, gjatë seancës së sotme plenare. Sula a ka sharë Taulant Ballën dhe i ka bërë me shenjë se do t’i presë kokën.


“Po je burrë hajde dalim jashtë”, i ka thënë Sula deputetit socialist, duke vazhduar me fyerjet dhe me shenjat kërcënuese.


Situata është tensionuar ndjeshëm dhe ka përfshirë edhe deputetët e tjerë, mes të cilëve edhe socialistin Armando Prenga, që i tha Sulës të dilnin bashkë jashtë ambienteve të Kuvendit, ta zgjidhin çështjen. Deputetët e tjerë socialist kanë qetësuar situatën, mes tyre dhe Ruci, ndërsa Fatmir Xhafaj ka kërkuar nga ana e Jozefina Topallit që, siç përjashton deputetët socialist, të bëjë të njëjtën gjë edhe për Dashnor Sulën.


 Patozi: Rama synon të prishë zgjedhjet, por ato do mbahen dhe do i fitojë PD


Ndërkohë, kreu i grupit kuvendor demokrat Astrit Patozi, akuzoi Edi Ramën se po kërkon t’i prishë zgjedhjet dhe se e ka kthyer çështjen e shkarkimit të anëtarit të propozuar nga LSI, Ilirjan Muho, në një çështje shumë të madhe, kur në fakt në historinë e Kuvendit janë shkarkuar edhe zyrtarë më të rëndësishëm se ai.


“Çfarëdo vendimi që të marrë Rama, zgjedhjet do të mbahen, sepse ato janë e drejta kushtetuese e shqiptarëve dhe do i fitojë PD”, tha Patozi.


Ruçi: Keni marrë peng KQZ, në Shqipëri ka vdekur parlamentarizmi


Kreu i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi u shpreh se e vetmja temë për të cilën do të flasin deputetët e PS do të jetë çështja e KQZ. pasi sipas tij kemi të bëjmë me një shkelje të rëndë të kushtetutës që cenon zgjedhjet.


“Në vendin tonë shkelet kushtetuta dhe ligji, a ka patentë evropiane më të mirë se këtij vendi i mungojnë gjithçka por më shumë i mungon parlamentarizmi me gjithë këto shantazhe që bëni ju. A ka patentë më të mirë se ky vend nuk vuan nga mungesa e ligjit por nga moszbatimi i ligjit.


“Jemi fiks dy muaj para zgjedhjeve institucioni i kryesor i zgjedhje është inekzistent, ka vdekur Parlamentarizmi dhe besimi i shqiptarëve tek vota e lirë. Si nuk iu vjen marrë para vendit dhe me dërgoni ftesën mua zoti Ruçi plotëso vendet. Cilat vende? Të atij institucioni që përdhoset dhe e morët peng dhe e bëtë të politizuar. I keni mbledhur shifrat e popullit, jeni opozitë me shifrat e popullit. Nuk behet fjalë as ne as ju të keni opozitën por të kemi institucione garante të votës së lirë të shqiptarëve. Kryefjala jonë sot do jen problemet që parashtrova”, tha Ruçi.


Ndërkohë, edhe deputeti Erjon Braçe në fjalën e tij kërkoi që t’i kthehej legjitimiteti Kuvendit dhe KQZ-së, që është cenuar, sipas tij, pas zëvendësimit të anëtarit të KQZ-së të propozuar nga LSI.


“Parlamenti nuk mund të funksionojë në mënyrë të tillë; të papërgjegjshmit që firmosin që janë ministrat nuk vijnë në Kuvend. Në rast se kjo quhet axhendë po zonjë është axhendë personale e mazhorancës suaj dhe ka të bëjë me qëllimet elektorale të partisë suaj. Ky ligj shoqërohet me një relacion. Nëse ka patentë të dytë evropiane dedikuar Shqipërisë janë zgjedhjet e lira dhe të drejta, dhe ju i hodhën në erë seancën që shkoi. Cenuat KQZ, i keni hequr legjitimitetin Kuvendit”, tha Braçe.


Sot Kuvendi diskuton balancen e re ne KQZ


Seanca e sotme plenare e Kuvendit pritet të shoqërohet nga debate të forta mazhorancë-opozitë pas situatës së krijuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga dorëheqja e dy anëtarëve të propozuar nga opozita, Denar Bibës dhe Albana Shtyllës.


Largimi i dy anëtarëve të PS nga KQZ e la praktikisht PS pa përfaqësim në institucionin më të lartë zgjedhor çka e fut atë në një ngërç që duhet zgjidhur.


Dje, menjëherë pas dorëheqjes së anëtares së dytë të PS në KQZ, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i kërkoi kryetarit të grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, paraqitjen e propozimeve për plotësimin e dy vendeve të mbetura bosh.


Por burime të PS bëjnë të ditur se nuk kanë ndërmend të propozojnë emra, ndërsa lideri socialist, Edi Rama, u shpreh pas dorëheqjes së Bibës, se PS nuk ka ndërmend  të merret thjesht me zëvendësimin e një emri me një tjetër, por për rikthimin e ligjshmërisë në KQZ.


 


Vendimet


Kuvendi miratoi me 101 vota ndryshimet në Kodin Civil dhe me 102 vota pro dhe 1 kundër ndryshimet në Kodin e Procedurës Civile. Ndryshimet e paketës së Kodit Civil dhe atij të Procedurës Civile konsistojnë në reformimin e kuadrit ligjor për lëshimin e trashëgimisë, kolateralin dhe kreditë e këqija në banka. Po sot, Kuvendi miratoi të enjten me 101 vota pro ndryshimet në p/ligjin “Për taksat kombëtare”, i cili parashikon përgjysmimin e taksave për makinat e përdorura.


Ndryshimi parashikon përgjysmimin e taksës fikse për karburantin, nga 25 në 12.5 për naftën dhe nga 20 në 10 për benzinën. Formula e llogaritjes së taksës vjetore shumëzon cilindratën e motorit të makinës me koeficientin e vjetërsisë dhe me taksën fikse për llojin e karburantit.


Përgjysmimi i kësaj të fundit sjell rrjedhimisht përgjysmimin e pagesës për çdo makinë. Përgjysmimi i taksës vlen edhe për të gjitha mjetet e tjera, pasi në ligj nuk është parashikuar përjashtimi i tyre. Kështu, krahas veturave dhe furgonëve, përfitojnë edhe kamionët apo autobusët. Efekti në buxhet është 2.5 miliardë lekë. Ndërkohë është miratuar pr/ligji për taksat kombëtare.


 


18 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)