[callout]Ngjarjet
Numri i viktimave, ndoshta mbi 1 mijë
Të vrarët nga përleshjet e të mërkurës janë së paku 525 vetë, të raportuar nga Ministria e Shëndetësisë, por vlerësohet se dhjetëra të tjerë nuk janë regjistruar nga autoritetet. “Reuters” tha se ka numëruar 259 të vrarë në një xhami, të cilët nuk janë raportuar nga ministria. Dje, Vëllazëria Myslimane vijoi të protestojë dhe mbështetësit e saj sulmuan dhe pushtuan një ndërtesë publike në Kajro. Zëdhënësi i Vëllazërisë, Gehad El-Haddad, i tha “Reuters” se zemërimi mes miliona mbështetësve të lëvizjes është “i pakontrollueshëm”. Myslimanët kanë bërë thirrje për më shumë protesta ndërsa funeralet e të vdekurve pritet të bëhen veçanërisht të nxehta. Televizionet transmetuan pamje ku protestues tërësisht paqësorë rrëzoheshin në tokë nga plumbat e forcave të sigurisë. Egjipti është nën presion të fortë ndërkombëtar për të ndaluar dhunën kundër protestuesve të Vëllazërisë. Turqia i kërkoi Këshillit të Sigurimit të OKB-së të ndërhyjë. Presidenti i Francës thirri ambasadorin e Egjiptit në vend për t’i komunikuar kërkesën për të ndaluar dhunën. Fati i gjeneralit Sisi është tashmë në lojë. Me largimin e liberalëve nga qeveria e përkohshme e emëruar prej tij, tashmë gjeneralëve u mbetet të zgjedhin mes rikthimit në diktaturë dhe lëshimit të pushtetit.
Organizata e Kombeve të Bashkuara kërkoi hetim të besueshëm për vrasjet e ndodhura gjatë të mërkurës. Navi Pillay, komisionere për të drejtat e njeriut, tha se numri i lartë i viktimave flet për përdorim eksesiv e ndoshta ekstrem kundër protestuesve.
Qeveria e Egjiptit vijon të deklarojë se përgjigjja e saj qe e ligjshme. Ambasada e Egjiptit në Tiranë publikoi një njoftim për shtyp dje për të shprehur mendimin e qeverisë së Kajros.
Dënimi i ngjarjes dje erdhi edhe nga Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, i cili urdhëroi pezullimin e stërvitjeve të përbashkëta me ushtrinë e Egjiptit.[/callout]
Gjakderdhja në Egjipt
“Reuters” raporton se diplomacia ndërkombëtare u përpoq të bindte gjeneralët për zgjidhje paqësore
Paul Taylor, Reuters
Aleatët perëndimorë u kërkuan udhëheqësve ushtarakë të Egjiptit deri në momentin e fundit të mos përdornin dhunën për të shtypur protestat e mbështetësve të presidentit islamist të rrëzuar, Mohamed Morsi, duke argumentuar se nuk janë në gjendje të përballojnë pasojat politike dhe ekonomike të një zgjidhjeje të tillë.
Një fund i dhunshëm i përplasjes së ngrirë gjashtëjavore mes Vëllazërisë Myslimane të Morsit dhe forcave të armatosura që rrëzuan presidentin e parë të zgjedhur me vota të Egjiptit dukej se do të ndodhte sapo autoritetet deklaruan javën e kaluar se ndërmjetësimi i huaj pati dështuar.
Por Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian vijuan të dërgojnë mesazhe të koordinuara te komandanti i ushtrisë, gjenerali Abdel Fattah al-Sisi dhe te zëvendëspresidenti Mohamed ElBaradei gjatë katër ditëve të Bajramit që përfunduan të dielën, duke iu lutur të gjejnë një zgjidhje përmes bisedimeve.
“Ne patëm një plan politik që ishte në tryezë dhe që ishte pranuar nga pala tjetër (Vëllazëria Myslimane)”, tha i dërguari i BE-së, Bernardino Leon, i cili bashkëudhëhoqi përpjekjet për ndërmjetësim me zëvendëssekretarin e Shtetit të SHBA-së, William Burns.
“Ata mund ta kishin marrë këtë opsion. E gjitha kjo që ndodhi qe e panevojshme”, tha Leon në një intervistë telefonike. Lutja e fundit iu dërgua autoriteteve të Egjiptit të enjten, disa orë para se të fillonte shtypja e dhunshme.
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, qe në mënyrë të pazakontë i drejtpërdrejtë në dënimin publik të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme – një kthim në sundimin autoritar të Egjiptit që zgjati për 30 vjet nën udhëheqjen e aleatit të SHBA-së, Hosni Mubarak, i cili u rrëzua nga populli në vitin 2011.
“Përgjatë javës së fundit, si në çdo rast… ne dhe të tjerë kemi nxitur qeverinë të respektojë të drejtat për lirinë e grumbullimit dhe shprehjes së lirë dhe ne kemi nxitur gjithashtu të gjitha palët të zgjidhin këtë krizë në mënyrë paqësore dhe kemi theksuar se demonstruesit duhet të shmangin përdorimin e dhunës apo nxitjen e saj”, tha Kerry.
Diplomatët thanë se disa nga mesazhet më të ashpra të SHBA-së iu dhanë gjeneralit Sisi personalisht në biseda telefonike pothuajse të përditshme nga sekretari i Mbrojtjes, Chuck Hagel.
Sinjal pakënaqësie
Shtetet e Bashkuara hodhën një hap të pazakontë duke sinjalizuar pakënaqësi ndaj aleatit të vet strategjik në Lindjen e Mesme, vendi që ka një traktat paqeje me Izraelin, duke pezulluar dorëzimin e katër avionëve F-16 nën programin e ndihmave ushtarake.
Uashingtoni i ka kërkuar gjithashtu Arabisë Saudite t’i thoshin Sisit se ai duhej të gjente një zgjidhje paqësore dhe gjithëpërfshirëse, “për të ruajtur mbështetjen financiare dhe politike ndërkombëtare”, tha një diplomat.
Të mbështetur nga ministrat e Jashtëm të Katarit, një financier i rëndësishëm i qeverisë së Morsit, si dhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një mbështetës i ushtarakëve, ndërmjetësuesit nga SHBA dhe BE u përpoqën të çojnë palët në një seri veprimesh për ndërtimin e besimit të ndërsjellë. Këto veprime duhej të fillonin me lirimin e të burgosurve të Vëllazërisë dhe me një dalje me nder të Morsit, një kushtetutë të përmirësuar dhe zgjedhje të reja vitin e ardhshëm.
Një burim nga ushtria e Egjiptit tha se gjeneralët nuk besonin se Vëllazëria do të pranonte marrëveshjen dhe ndienin se ata vetëm po luanin blofin për të fituar kohë. “Ata u thonë ndërmjetësve një gjë dhe mbështetësve të vet një gjë tjetër”, tha burimi nga ushtria.
Burimi diplomatik tha se ndërmjetësuesit perëndimorë u përpoqën të bindin Sisin se Egjipti do të vuante polarizim politik afatgjatë dhe vështirësi ekonomike në rast se do të kishte gjakderdhje.
Sisi dhe ministri i Brendshëm, Mohamed Ibrahim, u paralajmëruan hapur se ElBaradei do të dorëhiqej në rast se ata përdornin forcën në vend të bisedimeve, duke u hequr ushtarakëve burimin kryesor të respektit si qeveri civile apo liberale.
“Injorimi i realitetit”
ElBaradei e njoftoi dorëheqjen pas fillimit të sulmit duke thënë se shtegu i paqes duhej të kërkohej sërish dhe se dhuna e qeverisë thjesht ka ndihmuar ekstremistët.
“Njerëzit e vijës së ashpër janë një aftësi mbresëlënëse për të injoruar realitetin”, tha burimi duke folur në kushtet e anonimitetit.
Ndërmjetësit e huaj paralajmëruan se shpërndarja me dhunë e protestuesve do të shkaktonte qindra të vdekur dhe do të shtynte shumë aktivistë myslimanë salafistë, të cilët fillimisht mbështetën përmbysjen e Morsit, drejt bashkimit me Vëllazërinë Myslimane në opozitë ndaj autoriteteve.
Mesazhi ekonomik qe po kaq negativ. Një burim perëndimor tha se Egjipti është paralajmëruar se nuk është në gjendje të shpenzojë 1.5 miliardë dollarë në muaj nga rezerva valutore derisa kjo rezervë të mbarojë. Ndërsa turizmi dhe investimet kanë rënë me shumë herë për shkak të pasigurisë politike që nga viti 2011, rezerva valutore është sot e mjaftueshme për vetëm tre muaj importe, sa gjysma e kuotës që qenë në 3 korrik kur u rrëzua Morsi.
Arabia Saudite, Emiratet dhe Kuvajti, të lumtura për rrëzimin e Vëllazërisë, të cilën e shohin si kërcënim për monarkitë e veta, menjëherë premtuan 12 miliardë dollarë ndihma për autoritetet e veta për të kapërcyer vështirësitë në furnizim me energji dhe grurë. Këto para do të mjaftojnë për më pak se një vit. Një burim tha se brenda qeverisë pati që kuptuan se Kajro ka nevojë për mbështetje më të gjerë ndërkombëtare, si p.sh. Fondi Monetar Ndërkombëtar për të rigjallëruar ekonominë, por këto argumente nuk është se i bënë shumë përshtypje estabilishmentit të sigurisë.