_93195287_37492b41-4a54-4a85-967e-ac9ad432cdc2Mbrëmja e ndërrimit të viteve ka qenë një tragjedi e vërtetë për Stambollin. Të paktën 39 persona raportohet se kanë vdekur si pasojë e një sulmi në një lokal nate. 15 prej viktimave janë shtetas të huaj.


Ndërsa 69 persona po marrin mjekim në spital dhe raportohet se 4 prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë.  Një person i armatosur ka hapur zjarr në një lokal nate në orën 01:30 me orën lokale.


Ministri i Punëve të Brendshme të Turqisë, Suleyman Soylu ka dhënë detaje mbi sulmin terrorist.


“Sipas informacioneve që kemi marrë nga forcat e sigurisë, ka pasur një sulmues. Nuk ka pasur më shumë se një agresor. Një person i veshur me pantallona dhe xhup ka hyrë brenda duke gjuajtur mbi njerëzit e ndodhur aty. Ndërkohë është munduar të dalë jashtë me një tjetër veshje. Vlerësimi i këtyre informacioneve nga ana e forcave të sigurisë vazhdon. Puna e policisë për kapjen e autorit është duke vazhduar.


Në këtë sulm është bërë një masakër. Ky sulm është çnjerëzor. Deri më tani 39 njerëzit tanë kanë humbur jetën, identiteti i 20 prej të cilëve është mësuar. Nga këto 15 janë të huaj dhe 5 janë shtetas të Turqisë. Ndërkohë nga këto 5 persona 3 ose 4 janë nga punonjësit. Puna për identifikimin e të tjerëve është duke vazhduar”, bëri me dije ministri i Brendshëm.


1 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)