Deklarata
“Nishani flet si anëtar i vjetër i PD-së”
Kreu i qeverisë, Edi Rama, reagoi në lidhje me qëndrimin e Presidentit të vendit, Bujar Nishani, i cili dy ditë më parë, në fjalën e mbajtur në Forumin Europian Alpbach në Austri, akuzoi qeverinë për mungesë transparence dhe konsensusi. Duke e quajtur Nishanin një anëtar të vjetër të Partisë Demokratike, kreu i qeverisë shpalosi dhe një herë përplasjet në distancë që ka me Presidentin e vendit. “E thënë nga një anëtar i vjetër i PD-së ka absolutisht besueshmëri dhe mjafton t’i referoheni PD-së në qeveri e PD-së opozitë për të kuptuar sa e vërtetë është kjo që ka thënë Presidenti”, tha Rama. Kreu i shtetit, në fjalën e tij dy ditë më parë në Austri, u shpreh: “Ndryshimi i mentalitetit është sfida më e vështirë e shoqërisë shqiptare dhe e shoqërive pastotalitare në përgjithësi. Mungesa e tolerancës dhe konsensusit dhe qëndrimi i dyfishtë me kërkesa për standarde të larta demokratike në opozitë dhe qëndrimet autoritare në pozitë, qëndrimi në pritje në vend të marrjes së nismave janë shfaqje e mentalitetit të shkuar, të cilat ngadalësojnë procesin e zhvillimit të demokracisë dhe të reformave”.
Samiti i Berlinit me krerët e vendeve të Ballkanit, i thirrur nga kancelarja Merkel, e ka zbehur “inatin” e Tiranës zyrtare për faktin se shërbimet sekrete gjermane kanë përgjuar Shqipërinë
ARTEMISA HOXHA
Tirana zyrtare nuk e ka problem përgjimin e bërë nga shërbimi sekret i Gjermanisë. Lajmi i publikuar pak ditë më parë nga revista gjermane “Der Spiegel”, ku citohej se shërbimi sekret gjerman ka përgjuar Shqipërinë, duket se nuk e ka shqetësuar palën shqiptare. Para nisjes në Gjermani, ku do të marrë pjesë nesër në samitin e Berlinit për Ballkanin, kreu i qeverisë, Edi Rama, duke mos e konsideruar një shqetësim faktin se vendi ynë është përgjuar nga një ndër shtetet më të fuqishëm në botë njëherësh anëtare edhe në NATO, u shpreh qartë se kjo temë nuk do të preket në bashkëbisedimin e tij me kancelaren gjermane. Por nga ana tjetër, ai theksoi se në rrugë diplomatike, do të kërkohej informacion nga organet përkatëse për të pasur një ide të qartë për këtë çështje. “Jo nuk do ta diskutoj. Besoj se askush nuk dyshon që Gjermania është një vend jo vetëm thellësisht demokratik, por në mënyrë themelore, një vend lider në Europë dhe me rëndësi të dorës së parë në NATO. Besoj se askush nuk e ka harruar që jemi pjesë e NATO-s dhe vendesh demokratike që bashkëpunojnë dhe luftojnë për më shumë siguri. Ne, në rrugët normale diplomatike, do të bëjmë shkëmbim të informacionit për të pasur qartësi mbi këtë çështje. Por, e përsëris, asnjë e keqe nuk i vjen Shqipërisë nëse Gjermania apo vendet e tjera aleate në funksion të sigurisë, në këtë fazë ku siguria kërcënohet nga faktorë afërsisht të lidhur me terrorizimin, të bëjnë punën e tyre”, tha Rama. Ndër të tjera, ai theksoi se ky veprim është i justifikuar me garantimin e sigurisë në vend. “Kur bëhet fjalë për siguri, përpjekja për informacion dhe për veprim për të garantuar sigurinë nuk njeh kufij. Besoj se nuk na shkon aspak ta zmadhojmë një gjë të tillë, por sigurisht duke mos i hequr asnjë presje, asaj që tha Merkel”, argumentoi kreu i ekzekutivit.
Bushati
Ndërsa kreu i qeverisë tha se çështja e përgjimeve nuk sjell shqetësime për vendin tonë, por gjithsesi ajo do të trajtohet në rrugë diplomatike normale, për kreun e diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati, çështja e përgjimit duhet të trajtohet me të gjitha instrumentet zyrtare dhe diplomatike me Gjermaninë. “Shqipëria do ta trajtojë këtë çështje në kanalet zyrtare e diplomatike dhe besoj se këtu, ndoshta, nuk kam çfarë t’i shtoj asaj që ka deklaruar kancelarja Merkel, që çështjet e sigurisë kombëtare gjejnë adresim në kanalet diplomatike zyrtare”, tha ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Duke marrë parasysh faktin që të dy vendet janë anëtare në NATO, si dhe kanë ndërveprim politik me njëra-tjetrën, Bushati mbështeti qëndrimin e kreut të qeverisë për sigurinë kombëtare të shteteve. “Nga ana tjetër, ne jemi vende anëtare të NATO-s dhe mes dy vendeve tona ka ndërveprime në nivel politik, ushtarak dhe të shërbimeve inteligjente. Dhe kur vjen puna te çështjet e sigurisë kombëtare, ndërveprimi është element kyç, sepse këto janë fenomene që kalojnë kufijtë e një shteti”, deklaroi Bushati.
Merkel
“BND-së i është kërkuar që të sigurojë nga jashtë të gjithë informacionin e nevojshëm për sigurinë tonë”. Ka qenë kjo përgjigjja e kancelares gjermane, Angela Merkel, në lidhje me një shkrim të botuar pak ditë më parë nga revista gjermane “Der Spiegel”, ku thuhej se “BND, shërbimi sekret gjerman, kishte përgjuar Shqipërinë e Turqinë”. Ajo ka vijuar më tej në qëndrimin e saj edhe në lidhje me një shprehje të cituar nga vetë ajo për të mos spiunuar miqtë. “Nuk duhet të ketë spiunazh mes miqsh” – është thënë në kontekstin e aktiviteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky kontekst është i rëndësishëm. Në fund, BND-së i është kërkuar që të sigurojë nga jashtë të gjithë informacionin e nevojshëm për sigurinë tonë”, është shprehur kancelarja gjermane.
Ministri i Jashtëm
“Letonia, pro integrimit të Shqipërisë”
Në kuadër të marrjes së Presidencës së BE-së në janar të 2015-s, nga Letonia, ministri i Jashtëm letonez, Edgars Rinkevics, është takuar me homologun e tij shqiptar, Ditmir Bushati, si dhe me kreun e qeverisë, Edi Rama. Në takim, dy ministrat e Jashtëm diskutuan mbi bashkëpunimin dypalësh midis dy vendeve, si dhe për intensifikimin dhe forcimin e marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë midis dy vendeve, si në dimensionin politik, ashtu dhe në atë ekonomik. Ministri i Jashtëm letonez u takua edhe me kreun e qeverisë, ku të dy vlerësuan se fryma miqësore dhe bashkëpunuese karakterizon marrëdhëniet mes vendeve, si dhe shprehën vullnetin e përbashkët të qeverive për konsolidimin e këtyre marrëdhënieve në të ardhmen, si dhe për zgjerimin e hapësirave të bashkëpunimit në sferën ekonomike dhe atë politike”, bën të ditur Kryeministria. Nga ana e tij, ministri i Jashtëm letonez, Rinkevics, vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria në fusha të ndryshme, si dhe arritjet e saj në procesin e integrimit, duke theksuar se Letonia do të vazhdojë të mbështesë dhe do të përkrahë Shqipërinë në këtë rrugëtim. Nga ana e tij, Kryeministri Rama u shpreh se qeveria shqiptare mbetet e angazhuar që të ecë përpara me procesin e integrimit të vendit, duke përmbushur të gjitha detyrimet që i takojnë. Letonia pritet të marrë Presidencën e radhës së BE-së. Takimet zyrtare janë fokusuar pikërisht në avancimin e procesit të integrimit nga ana e Shqipërisë.