Bizhga reagon ndaj deklaratave për zbatimin e ligjit


BLEDAR HOTI


Partia Socialiste i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme që të hetojë nëse Shërbimi Informativ Shtetëror ka shkelur ligjin gjatë interceptimeve të realizuara. Deputeti i PS-së, Gazmir Bizhga, e bëri një deklaratë të tillë në mbledhjen e djeshme të Komisionit Parlamentar të Sigurisë ku në axhendë ishte shqyrtimi i draftit “Për përgjimet e telekomunikimeve”. Duke marrë shkas nga deklarata e dy ditëve më parë e inspektorit të Përgjithshëm të Kryeministrit në SHISH-it, Bizhga, e cilësoi si tepër shqetësuese një qëndrim të tillë. “Nëse ne do të ecim me filozofinë se mund të shkelim ligjin sa herë të duam për përgjimet dhe komunikimet elektronike se kjo është në të mirë të punës, atëherë zoti përfaqësues i Prokurorisë së Përgjithshme besoj se ka indicie të mjaftueshme për të filluar një çështje penale, sepse shkelja e përgjimeve të komunikimeve elektronike nuk mund të ndodhë për shkak të gabimeve teknike. Nëse është deklaruar, dhe është deklaruar nga inspektori i përgjithshëm i Kryeministrit dhe jo nga njeri dosido. Kemi indicie të mjaftueshme për të nisur një çështje penale, sepse janë përgjuar privatësia e njerëzve duke tejkaluar autoritetin e institucioneve”, deklaroi socialisti Gazmir Bizhga. Por deputetët e mazhorancës e përcollën me indiferentizëm një gjë të tillë, duke e cilësuar si një diçka që i përket vetëm medias. Dy ditë më parë, inspektori i Përgjithshëm i Kryeministrit në SHISH, Sajmir Kodra, gjatë një diskutimi në një tryezë të rrumbullakë tha se në punën e SHISH mund të ndodhë që mund të shkelet ligji. “Në një shërbim të tillë mund të ndodhë edhe kjo, prandaj institucionet duhen kontrolluar dhe mbikëqyrur. Mund të ndodhë që të shkelin ligjin, edhe nga dëshira për të bërë punën, jo aq shumë nga dëshira ose vullneti për të ndihmuar një person apo një krah politik. Unë personalisht mendoj se kjo është e kapërcyer në Shqipëri, por për të parandaluar mundësinë e kapërcimit të hapësirave që ka lejuar ligji është patjetër e domosdoshme rritja e nivelit të kontrollit dhe sidomos mbikëqyrjes parlamentare”, deklaroi inspektori i përgjithshëm i SHISH-it, Kodra, i cili është emëruar në këtë detyrë nga Kryeministri Sali Berisha.


Prokuroria kundër PD-PS


Në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Sigurisë, përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme, Thoma Jano, kontestoi propozimin e Komisionit të Ligjeve për të hequr të drejtën e prokurorisë në rrethe për të realizuar interceptime. Relatori i draftit, deputeti i PD-së, Fatos Hoxha, deklaroi se Komisioni i Ligjeve mbi bazën e një konsensusi e ka gjetur të pabazuar në ligj një lejim të tillë dhe se duhej të parashikohej në një draft tjetër. Përfaqësuesi i PP-së, Jano, bëri të ditur se një propozim i tillë ka pasur dhe mbështetjen e partnerëve europianë. “Mendojmë që kjo është e bazuar dhe nuk ka ndonjë shkelje të ligjit. Të gjitha prokuroritë të kenë mundësinë për të marrë të dhënat në mënyrë të drejtpërdrejtë nëse sot një prokuror i Prokurorisë vendore merr një vendim përgjimi, informacioni për çështjen që ai ka në hetim e merr nëpërmjet kësaj strukture të policisë gjyqtare që do të thotë nuk e merr në kohë reale, vendimet do të ekzekutohen përsëri në PP, dhe prokurorisë vendore do t’i çohet vetëm një sinjal për çështjen që ai ka marrë vendimin e përgjimit”, tha Thoma Jano, përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme. Nisur nga këto kontestime, kryekomisioneri Leonard Demi e shtyu mbledhjen deri në marrjen e një vendimi më të mirëmenduar.


 


Reagimi


Saimir Kodra: Nuk jam shprehur për tejkalim të ligjit nga SHISH


Inspektori i Përgjithshëm në Shërbimin Informativ Shtetëror, Saimir Kodra, në një reagim të tij për gazetën “Shqip” shprehet se fjalia e cituar nga gazeta: “SHISH mund të ketë tejkaluar ligjin, por kjo ka ndodhur vetëm për shkak të punës së tij”, nuk është korrekte. Ai thotë se kjo pjesë e deklaratës se tij është nxjerrë nga konteksti. Kodra sqaron se në tryezën e organizuar nga IDM nuk ka folur në mënyrë specifike për përgjimet, por, duke argumentuar nevojën e mbikëqyrjes së shërbimeve sekrete, ka thënë se mund të ndodhë që të tejkalohet ligji, por jo se kjo ka ndodhur me shërbimin shqiptar. Inspektori i Përgjithshëm i qëndron pjesës tjetër të deklaratës të cituar prej gazetës, ku thotë: “Në një shërbim të tillë mund të ndodhë edhe kjo, prandaj institucionet duhen kontrolluar dhe mbikëqyrur. Mund të ndodhë që të shkelin ligjin, kjo edhe nga dëshira për të bërë punën, jo aq shumë nga dëshira ose vullneti për të ndihmuar një person apo një krah politik. Unë personalisht mendoj se kjo është e kapërcyer në Shqipëri, por për të parandaluar mundësinë e kapërcimit të hapësirave që ka lejuar ligji është patjetër e domosdoshme rritja e nivelit të kontrollit dhe sidomos mbikëqyrjes parlamentare”. Ai sqaron se citimi i mësipërm është interpretuar në mënyrë të gabuar nga gazeta, pasi në asnjë moment aty nuk pohohet se shkelja e ligjit ka ndodhur në ndonjë rast.