Dy përgjime të reja të të akuzuarit për çështjen “Babale”, Fredi Alizotit me drejtorin e Policisë së Fierit, Albert Nushi është publikuar sot në selinë blu nga ish-deputeti Ervin Salianji.
Në këto përgjimet telefonike, Alizoti kërkon të flasë me “shefin e madh”, por pa i përmendur emrin në telefon. Por, sipas Salianjit “shefi” që përmendet në këto biseda është ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Salianji thotë se kjo mund të vërtetohet duke parë hyrjet dhe daljet në sistemin TIMS, pasi rezulton se më 08.06 2018, ditën kur është realizuar telefonata, Fatmir Xhafaj ka qenë jashtë shtetit, për një vizitë zyrtare në Kroaci.
Më 7 qershor 2018 siç dëgjohet edhe në audio-përgjim, Alizoti ka kërkuar nga drejtori i policisë së Fierit të takohet me shefin e madh.
Ndërkohë, në bisedën Nushi-Alizoti, Shefi i Policisë së Fierit i ka sqaruar në disa raste të akuzuarit se shefi i madh ishte jashtë shtetit dhe se ia ka deleguar kompetencat një personi tjetër.
Nushi i ka thënë se do ti dërgonte dikë ta takonte. “Një sekondë, do ti thuash i çik shefit të më takoj mua sesbën… E di , e di ku do të dalësh ti se i kam marrë masat. Më erdhën ja dy telefona nga krahë tjetër mua, por nuk behet”, thekson Alizoti.
Në një përgjim tjetër, sipas Salianjit me Alizotin ka komunikuar edhe me nëndrejtorin e Policisë së Fierit, Andon Marko, i cili thuhet se është takuar disa herë me të akuzuarin e “Babales” në Tiranë.
PD sipas Salianjit ka vendosur të kallëzojë penalisht drejtuesit e Policisë së Fierit dhe prokurorët e çështjes për shpërdorimin e detyrës, ndërsa ish-deputeti bën fajtor kryeministrin Rama, për “fabrikimin dhe mbajtjen me para të dëshmitarit të rremë të çështjes Babale, Fredi Alizotin”.
“Rama u investua në fabrikimin e dëshmitarit të rremë. Por të verbuar nga pushteti ata lanë pas në dosje gjurmë të falsifikimit të provave. Dosja Xhafaj është prova më konkrete që Shqipëria është sot një narkoqeveri. Përgjigjet zyrtare të pazbardhura nga prokuroria në mënyrë të qëllimshme tregojnë se dëshmitari i Ramës është blerë. Faktojnë vendosjen e policisë, prokurorisë nën urdhrat e një trafikanti që mori përsipër rolin e aktorit për të shpëtuar Ramën. Drejtuesit e policisë në Fier paguajnë Fredi Alizotin me urdhër nga ai që ka deleguar qepjen e kësaj historie. Është Fatmir Xhafaj”, tha Salianji.
PËRGJIMI ME DREJTORIN E POLICISË SË FIERIT (Albert Nushi):
Drejtori i Policisë: Fredi çfarë po bën?
Fredi Alizoti: Ja po pi një kafe…
Drejtori i Policisë: Ku je mo?
Fredi Alizoti: Në Tiranë jam. Fole me shefin?
Drejtori i Policisë: Je i madh…I more ato?
Fredi Alizoti: Unë nuk kthehem mbrapa…
Drejtori i Policisë: E more atë… atje…
Fredi Alizoti: Prit, prit se do dëgjosh të tjera ti… Do vish të më takosh se jam aty ku me le atë nate, se s’dua të marr në telefon.
Drejtori i Policisë: Po ku je o?
Fredi Alizoti: Aty ku me le atë natë..
Drejtori i Policisë: Po unë jam në Fier.
Fredi Alizoti: Po mirë fol i çik me shefin, me shefin e madh.
Drejtori i Policisë: Kë do?
Fredi Alizoti: E di vetë ti se s’dua ta them në telefon.
Drejtori i Policisë: Mire dëgjo, me kujdes.
Fredi Alizoti: E di , e di ku do të dalësh ti se i kam marrë masat. Më erdhën ja dy telefona nga krahë tjetër mua, por nuk behet..
Drejtori i Policisë: Po me kujdes, me kujdes, më dëgjo mua…Nesër në orën 9 më bëj telefon. Mire?
Fredi Alizoti: Një sekondë, do ti thuash i çik shefit të më takoj mua sesben.
Drejtori i Policisë: Shefi është jashtë tani. Shefi është jashtë, ka deleguar ato kompetencat një tjetri.
Fredi Alizoti: Urdhëro?
Drejtori i Policisë: Shefi është jashtë. Nuk është këtu…
Fredi Alizoti: Nuk e vë në dyshim ore.
Drejtori i Policisë: Ka shumë mundësi që nesër pasditë të jetë këtu..
Fredi Alizoti: Nesër kur të vënë ato…(Qesh). Unë nuk bëj mbrapa, e kam marrë parasysh. E di ku do vete.
Drejtori i Policisë: Këto që të them unë verifikoi. Por unë të them s’është këtu..
Fredi Alizoti: Po mirë nuk ka ndonjë njeri tjetër të më takoj i çik mua?
Drejtori i Policisë: Çfarë do ti?
Fredi Alizoti: Dua të flas me një njeri tjetër, s’ta them në telefon. Ça ke ti?
Drejtori i Policisë: Me prokurorin mo çfarë ke ti..
Fredi Alizoti: Ma jep i cik numrin e ti.
Drejtori i Policisë: Të prokurorit nuk e ke numrin?
Fredi Alizoti: Jo nuk e kam. Ma jep i çik.
Drejtori i Policisë: Do ta nis unë me mesazh.
PËRGJIMI ME NËNDREJTORIN E POLICISË SË FIERIT: (Andon Marko):
Nëndrejtori i Policisë: Fredi çfarë po bën mo? SI je?
Fredi Alizoti: Mirë jam mirë.
Nëndrejtori i Policisë: Mirë jo mo?
Fredi Alizoti: Mirë jam në banjo, po bëj i çik shurrë, më merr për një minutë.
PËRGJIMI ME DREJTORIN E POLICISË SË FIERIT (Albert Nushi):
Drejtori i Policisë: Fredi si je mo?|
Fredi Alizoti: Hiç mirë ishta icik në banjo, bëra icik shurrën. Tani po pi kafe.
Drejtori i Policisë: Si ke qenë ti?
Fredi Alizoti: Mirë ke qene ti?
Drejtori i Policisë: Nga shtëpia mirë?
Fredi Alizoti: Mirë, hajt mo.
Drejtori i Policisë: Ku e more vesh se kush jam unë?
Fredi Alizoti: Nuk dëgjoj ore.. Si Leti dukesh..
Drejtori i Policisë: Po mirë ku ta japi Leti një birrë ty. Ku e do një birrë.
Fredi Alizoti: Nuk dëgjo ore...
Drejtori i Policisë: Jam Berti unë, Berti. Si je?
Fredi Alizoti: Po mirë shtyhet..
Drejtori i Policisë: Ku do ta pimë një birrë, por që të jesh i qetë.
Fredi Alizoti: I qetë jam unë.
Drejtori i Policisë: Që të ndiheshit i qetë them. Ku në çfarë vendi?
Fredi Alizoti: Ore kush Bert je, se jam shumë Berta këtu..
Drejtori i Policisë: Jam Bert Nushi. Drejtori o vlla..
Fredi Alizoti: Aaa të mora vesh.. Jam në Tiranë tani..
Drejtori i Policisë: A je në Tiranë ti.. Ou. PO ku në çfarë vendi.
Fredi Alizoti: Sa zbrita te Shqiponja që merr për nga Tirana e re, te lokali i parë kam marrë një kafe.
Drejtori i Policisë: Po erdha unë do vij të jap një kafe. Po nuk erdha unë do të dërgoj dikë aty. Prandaj të pyes ke pasur ndonjë problem ndonjë shqetësim.
Fredi Alizoti: Kam patur një, por s’ta them në telefon.
Drejtori i Policisë: Do të vij në Tiranë të takoj?
Fredi Alizoti: Hajde, hajde.. E më fal se s’të njoha se jam trullos.