100-vjetori
Zv.kancelari austriak i premton kryediplomatit Haxhinasto për rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë
Ne shpresojmë që të sjellim në Shqipëri përkrenaren dhe shpatën e Skënderbeut. Do të bëjmë të gjitha rregullimet e rastit, me qëllim që veprimtaria e madhe e 28 Nëntorit të zhvillohet në Tiranë dhe unë do të përpiqem të marr pjesë
Bledar Hoti
Austria i premton zv.kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Edmond Haxhinasto, dërgimin në Shqipëri të përkrenares dhe shpatës së Skënderbeut në prag të festimit të 100-vjetorit të Pavarësisë. Premtimi është bërë nga zv.kancelari dhe ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Michael Spindelegger, në takimin që pati me homologun, Haxhinasto. “Qëndrimi i Austrisë dihet, ne mbështesim anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ju keni dijeni për planin austriak. Ne mendojmë se 2020-a është viti kur të gjithë vendet e ndryshme të Ballkanit Perëndimor duhet të anëtarësohen në BE, dhe hapi i afërt është marrja e statusit kandidat nga Shqipëria, çka ne e mbështesim plotësisht. Së dyti, ne biseduam për zhvillimet në Shqipëri. Unë urova për zgjedhjen e presidentit të ri. Sigurisht ai është një personalitet i mirënjohur, me karrierë politike dhe me mbështetje të madhe në Shqipëri. Ne vlerësojmë faktin që ai është tani presidenti i zgjedhur. Së treti, ne biseduam për zhvillimet e pritshme të vjeshtës. Ne shpresojmë që të sjellim në Shqipëri përkrenaren dhe shpatën e Skënderbeut. Do të bëjmë të gjitha rregullimet e rastit, me qëllim që veprimtaria e madhe e 28 Nëntorit të zhvillohet në Tiranë dhe unë do të përpiqem të marr pjesë. Do shoh se çfarë do ndodhë deri atëherë. Sigurisht që ka një bashkëpunim të gjatë dhe efektiv mes Shqipërisë dhe Austrisë dhe ne dëshirojmë të vazhdojë”, tha Spindelegger. Kryediplomati shqiptar, nga ana e tij, ka falënderuar qeverinë austriake për ndihmën e dhënë ndaj Shqipërisë në procesin e anëtarësimit, si dhe në bashkëpunimin e vyer në fushën ekonomike.
“Sikundër e tha dhe z. Spindelegger, ne kemi diskutuar edhe shumë evente që kemi këtë vit, 100-vjetori i pavarësisë së Shqipërisë. Ne duam të përkujtojmë edhe rolin e jashtëzakonshëm të Austrisë për pavarësinë e Shqipërisë dhe ne besojmë se këtë vit duam të përkujtojmë atë që është bërë tashmë një marrëdhënie shumë e qëndrueshme dhe tradicionale mes Shqipërisë dhe Austrisë”, theksoi Haxhinasto. Ndërsa sa i përket shanseve të Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat, zv.kancelari austriak theksoi se “sigurisht mendoj që i takon gjithmonë vendeve të ndryshme të bëjnë përpjekjet e tyre dhe reformat. Por unë mendoj se Shqipëria po bën shumë. Ne e dimë se kjo është e nevojshme në Shqipëri për rrugën drejt Europës, por duhet të merreni brenda vendit me të gjitha partitë politike. E di që nuk është një punë e lehtë, por të jesh me më shumë mendje europiane, kjo është një histori shumë e mirë. Ne mbështesim plotësisht Shqipërinë. Unë mendoj se gjatë viteve të fundit ju keni bërë shumë përpjekje dhe po afroheni me dyert e Europës. Ne dëshirojmë t’i hapim ato nga brenda.
