Policia e Dibrës ka ndërhyrë në kohë duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti fizik mes dy të rinjve, ku më pas u përfshinë edhe familjarët e tyre. Më datën 21.01.2017, në një lokal në qendër të njësisë Administrative Sllovë Dibër, shtetasit V.B dhe E.Ç, pasi kanë konsumuar alkool me njëri-tjetrin, kanë nisur të konfliktohen fizikisht mes tyre. Pasi janë larguar nga lokali dhe janë nisur për në drejtim të fshatit Trojak janë konfliktuar përsëri fizikisht me njëri- tjetrin dhe të dy kanë njoftuar familjarët e tyre. Në konflikt janë përfshirë dy vëllezërit e shtetasit V.B, si dhe babai e vëllai i shtetasit E.Ç.


Gjatë konfliktit fizik shtetasi M. Çera 59 vjeç, babai i shtetasit E.Ç, ka plagosur me thikë shtetasin B.B, 26 vjeç, vëllain e shtetasit V.B.


Gjithashtu si pasojë e konfliktit fizik, është dëmtuar me sende të forta njëri nga protagonistët e konfliktit shtetasi E.Ç, 29 vjeç, i cili është dëmtuar nga shtetasi H.B, 24 vjeç, vëllai i protagonistit tjetër të konfliktit, shtetasit V.B, 27 vjeç.


Policia me të marrë njoftim ka ndërhyrë në kohë duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të këtij konflikti, ku dhe ka bërë shoqërimin e palëve në ambientet e Komisariatit të Policisë Dibër.


Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale të “Plagosjes së lehtë me dashje”, për shtetasin M. Çera, 59 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Trojak, Dibër.


Gjithashtu u referuan materialet në gjendje të lirë për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, për shtetasin H. B, 24 vjeç, lindur e banues në fshatin Trojak, Dibër. Në bashkëpunim me Prokurorinë po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.


22 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)