Gjykata, urdhër ekzekutimi: Zabit Deda t’i paguajë Skejës 2.5 mln lekë. Familja: Gardisti të na marrë shtëpinë dhe lopën


Premtimi – “‘Prisni Berishën për vizitë, pasi keni një shumë parash që i kam mbajtur në valixhe dhe do ju tregoj fotografinë që ka qëlluar mbi Hekuranin’”


Shpifjet – Për gardistin Skeja, deklaratat e familjes Deda nuk janë gjë tjetër veçse shpifje, ndaj ka vendosur të ndjekë rrugën gjyqësore


Gjoba e parë – Zabit Deda duhet të paguajë një gjobë prej 2.5 milionë lekësh ndaj Skejës, pasi, sipas gjykatës, kishte “shpifur” për një takim mes familjes së tij me gardistin


Gjoba e dytë – Gjykata e Tiranës ka dënuar disa ditë më parë Hilmi Dedën, i cili duhet t’i paguajë Fatos Skejës një shumë prej 10 milionë lekësh


Sokol Çobo


Zabit Deda

Zabit Deda


Një tjetër vendim i gjykatës ka rënduar pozitat e familjes së Hekuran Dedës, një nga katër viktimat e demonstratës së 21 janarit 2011, ku u qëllua me plumb në kokë. Për këtë vrasje u hetuan dhe u gjykuan dy gardistë, Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, të dy të shpallur të pafajshëm, ndërsa tashmë në shënjestër të drejtësisë janë vënë pikërisht viktimat. Shprehja popullore se “viktima është gjithmonë fajtori” është zbatuar nga institucionet tona që pretendojnë së bëjnë drejtësi, të cilat janë kujdesur që personat që ngrenë zërin për të drejtat e tyre të dënohen, të përndiqen, të gjobiten, madje edhe të shantazhohen. E tillë është edhe historia e Hilmi dhe Zabit Dedës, dy prej “denoncuesve” më të mëdhenj të “pazareve” që janë bërë për blerjen e gjakut të viktimave të 21 janarit.


Pas deklaratës se një njeri i afërt me Kryeministrin u kishte premtuar se do të gjente vrasësin e Hekuranit dhe do i ndihmonte financiarisht, në këmbim të vizitës së Kryeministrit, ata u përndoqën nga “regjimi”, madje u dënuan për shpifje. Hilmiu dhe Zabiti duhet t’i paguajnë Fatos Skejës shuma në lekë, bazuar edhe në dy procese civile në Gjykatën e Tiranës. Më herët është dënuar Zabiti, ndërsa disa ditë më parë edhe Hilmiu. Për vendimin e parë, pra për Zabitin, gjykata e gjeti fajtor dhe e urdhëroi që të përgënjeshtrojë deklaratat e tij në një televizion dhe në tri gazeta, madje ai duhet t’i paguajë edhe një shumë prej 2.5 milionë lekësh gardistit Skeja.


Pa kaluar shumë kohë, Gjykata e Tiranës ka nxjerrë një tjetër vendim, që nxjerr një urdhër ekzekutimi: Zabit Deda duhet t’i paguajë menjëherë Fatos Skejës 2.5 milionë lekë. Në të kundërt, atij do i sekuestrohet pasuria. Vendimi është dhënë disa ditë më parë, pasi Zabiti nuk e ka zbatuar këtë vendim në mënyrë vullnetare.


Megjithatë, i kontaktuar nga gazeta “Shqip”, Zabit Deda, vëllai i Hekuranit, është shfaqur i habitur me këtë vendim gjyqësor, për të cilin thotë se nuk është vënë në dijeni. Ai tha se nuk ka asnjë informacion përse është dënuar, aq më tepër me një shumë të hollash. Pasi e vëmë në dijeni të urdhrit të ekzekutimit, ai thotë se është i hapur që paditësi i tij t’i sekuestrojë pasurinë. “Nuk kam asnjë pasuri. E vetmja pasuri është jeta ime. Jetoj vetëm me dinjitetin. Nuk kam llogari bankare dhe automjete. Kapitali im është një shtëpi modeste në fshat, pulat, e lopët”, pohon Zabiti, duke i kërkuar paditësit, Fatos Skejës, që t’ia sekuestrojë edhe këto pasuri. “Le të vijë në fshat, me ç’të mundet, me përmbaruesit, apo me policinë dhe të ekzekutojë këtë vendim. E presim, pasi herën e parë na tha që do ju ndihmojmë financiarisht. Duket se po e mban fjalën, pasi dëshiron që të na marrë pronat”, pohon Zabiti, teksa duket shumë i sigurt në atë që thotë, duke qenë se gjatë kësaj kohe, familja e tij nuk është ndihmuar nga askush. Ata vazhdojnë të jetojnë me kushte minimale jetese. Asnjëri prej tyre nuk është në marrëdhënie pune, pasi cilësohen si “delja e zeze”. Por sërish nuk ankohen dhe shpresojnë se një ditë do të vihet drejtësi për Hekuranin.