Përplasja mes kreut të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, si dhe paraardhësit të tij, Edi Rama, vijon të thellohet në rrjetet sociale, ku në fokus të saj mbeten investimet e dy institucioneve të ndryshme për restaurimin e sheshit “Nënë Tereza”, në kuadër të vizitës së Papa Françeskut më 21 shtator në kryeqytet. Kryeministri Edi Rama, duke ironizuar punën e Bashkisë së Tiranës, me anë të një mesazhi në rrjetin social “Facebook”, e ka ‘rekomanduar’ atë që të lyejë shtyllat e kryeqytetit, ndërsa nga ana tjetër, është kundërpërgjigjur kjo e fundit. Po në rrjetin social “Facebook”, kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, njëherësh kryetar i PD-së, u është kundërpërgjigjur akuzave, duke shtuar “se për 11 vite Rama e la kryeqytetin në pikë të hallit”.
“T’ia thotë dikush bashkisë të lyejë shtyllat e bulevardit se boll u krenuan me punët e të tjerëve për vizitën e madhe”, shkruan Rama. Ndërkohë që i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi kryebashkiakut Basha, i cili në “Facebook” akuzon Ramën se në 11 vite drejtim të bashkisë, nuk ka bërë asnjë rregullim, duke e akuzuar në të njëjtën kohë se nuk ka dhënë asnjë fond për projektin e altarit ku pritet që të mbajë fjalimin Papa Françesku. “Bashkia rregullon sheshin ‘Nënë Tereza’, Vajmedeti që e la në pikë të hallit për 11 vjet del e bën selfie. Bashkia financon altarin, Vajmedeti që refuzoi ta financonte poston fotot e projektit. Tani që Bashkia nis lyerjen e shtyllave, del Vajmedeti dhe bërtet: Të lyhen shtyllat! Çfarë mjerimi”, thuhet në mesazhin e Bashës.