Vendi i ngjarjes BulqizeBulqizë


Përplasje me armë mes tregtarëve të kromit, një  i vrarë e dy të plagosur


Atentati për hakmarrje, 50 metër larg policisë


Përplasja mes vëllezërve Shehu dhe Tërnova ndodhi për shkak të një konflikti në vitin 2009


Hysen Likdisha


Katër persona, të cilët njihen për bizneset e kromit në Bulqizë, por edhe si kontingjent i policisë, janë përplasur dje me armë, duke sjellë vrasjen e njërit prej tyre dhe plagosjen e dy të tjerëve. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në verandën e një lokali në dalje të Bulqizës, kur dy vëllezër kanë tentuar të vrasin për hakmarrje dy vëllezër të tjerë, ndërkohë që i vdekur ka mbetur një prej atentatorëve. Hakmarrja mes tyre zë fill katër vjet më parë, kur palët janë zënë mes tyre për një femër. Pas ngjarjes, policia ka arrestuar dy prej tre protagonistëve të mbetur gjallë.


Përplasja me armë


Drejtoria e Policisë së Dibrës deklaroi se rreth orës 15:00 ka marrë njoftim se në qytetin e Bulqizës ka pasur shkëmbim zjarri me armë mes disa personave, ku për pasojë ka mbetur i vrarë një person dhe janë plagosur rëndë dy të tjerë. Menjëherë, për në vendin e ngjarjes kanë shkuar uniformat blu, të cilat kanë konstatuar se katër persona janë qëlluar mes njëri-tjetrit dhe nga shkëmbimi i zjarrit ka mbetur i vrarë Shefqet Shehu, 41 vjeç, banues në qytetin e Bulqizës. Po ashtu, nga të shtënat janë plagosur vëllai i viktimës Vehap Shehu, 38 vjeç, dhe personi tjetër i përfshirë në konflikt, kundërshtari i familjes Shehu, Fadil Tërnova, 25 vjeç. Sipas policisë, nga kryerja e veprimeve paraprake hetimore dhe procedurale të grupit hetimor, ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur në hyrje të qytetit të Bulqizës, pak metra larg komisariatit të policisë, në verandën e një lokali, ku vëllezërit Shefqet dhe Vehap Shehu kanë shkëmbyer zjarr me Fadil Tërnovën. Nga grupi hetimor mësohet se Tërnova, në momentin e shkëmbimit të zjarrit, ka qenë në lokal së bashku me të vëllain e tij, Luan Tërnova.


Vendi i ngjarjes Bulqize 1Ndërhyrja e policisë


Disa minuta pas ngjarjes, policia ka bërë kapjen dhe arrestimin e Fadil Tërnovës, të cilit i është sekuestruar edhe një pistoletë, me të cilën dyshohet të jetë qëlluar nga ky i fundit në drejtim të dy vëllezërve Shefqet dhe Vehap Shehu, si dhe ka bërë shoqërimin e vëllait të tij, Luan Tërnova, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në ngjarjen e ndodhur. Gjithashtu, nën arrest është edhe personi tjetër Vehap Shehu, i cili për shkak të plagëve të rënda është dërguar në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Nga kryerja e veprimeve të grupit hetimor ka rezultuar se ngjarja e rëndë ka ndodhur për motive hakmarrje, pasi në vitin 2009, Fadil Tërnova ka plagosur me armë zjarri shtetasin Vehap Shehu. Ndërsa dje, Vehap Shehu, bashkë me vëllain e tij, i cili mbeti i vrarë, kanë shkuar për të vrarë vëllezërit Tërnova, por që kanë hasur në kundërpërgjigjen e tyre, po me armë zjarri.


Hetimet dhe kromi


Policia deklaroi se, duke hetuar mbi zanafillën e këtij krimi, rezulton se në vitin 2009, Fadil Tërnova dhe Vehap Shehu janë zënë për një femër. Megjithatë, fillimisht, në zonë u mendua se ata janë zënë për çështjet e kromit, pasi të dy familjet zotërojnë biznes të tillë. Madje, këtë e hetoi edhe policia, por pas verifikimeve të kryera rezultoi se ata nuk kishin përplasje për kromin. Gjithashtu, policia u shpreh se të katërt personat e përfshirë në përplasjen me armë janë kontingjent kriminal, pasi kanë qenë të shoqëruar, ose të arrestuar për vepra të ndryshme penale. Madje, Fadil Tërnova nuk kishte shumë kohë që ishte liruar, pasi ishte kapur në fillim të vitit 2012 me armë pa leje. Megjithatë, policia tha se po punon për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë, ndërkohë që pritet përmirësimi i gjendjes së të plagosurit në Spitalin Ushtarak, me qëllim zbardhjen e plotë të motiveve të krimit.