Përplasje me armë


Atentatet u raportuan në Kukës dhe Tiranë, policia dyshon se kanë lidhje mes tyre


Policia KukesGrupi hetimor mendon se të plagosurit janë përleshur në Kukës, por kjo nuk pranohet nga të dëmtuarit


Borxhi – Edhe pse varianti i policisë është hedhur poshtë nga të dëmtuarit, grupi hetimor mendon se përplasja me armë ka ndodhur për shkak të një borxhi mes dy biznesmenëve


Një përplasje me armë mes dy biznesmenëve, duke sjellë pesë të plagosur, dyshohet se ka ndodhur në Kukës dy net më parë, megjithëse dy palët e dyshuara kanë dhënë variante të ndryshme për krimin. Të dy palët, të cilat kanë përfunduar me plagë në Spitalin Ushtarak, kanë deklaruar për policinë se janë plagosur në atentate të ndryshme në Tiranë dhe në Kukës, megjithëse grupi hetimor mendon se pesë të plagosurit kanë lidhje me njëri-tjetrin. Bëhet fjalë për biznesmenët Ardian Trota dhe Vladimir Gjuta, të cilët mendohet se kanë pasur konflikt me njëri-tjetrin, megjithëse ata nuk e kanë pranuar një fakt të tillë. Megjithatë, policia ka arrestuar dy nga të plagosurit dhe pritet të arrestojë edhe persona nga pala tjetër.


Sipas të dhënave zyrtare, fillimisht është njoftuar policia e Kukësit për një ngjarje në dalje të këtij qyteti, ku ndodhet biznesi i Ardian Trotës, 45 vjeç. Menjëherë, në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e policisë lokale, të cilat kanë konstatuar se ishin plagosur me armë zjarri Ardian Trota, 45 vjeç, vjehrri i tij Besnik Axhami, 57 vjeç dhe Osman Voka, 50 vjeç, roja i karburantit të biznesmenit. Grupi hetimor tha se dyshohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:15 në aksin rrugor Kukës-Morin, te karburanti i 45-vjeçarit. Sipas dëshmive të mbledhura nga policia, objekti i atentatit ka qenë Ardian Trota, i cili ndodhej në lokalin e tij brenda karburantit, bashkë me disa persona të tjerë. Në atë kohë, dyshohet se dy persona me motor kanë shkuar aty dhe kanë plagosur Trotën me katër plumba, ndërkohë që dy të tjerët janë plagosur gabimisht. Kështu kanë pretenduar të pranishmit në vendngjarje, të cilët janë shprehur se pas atentatit, autorët janë larguar me motor, duke lënë kaskat e tyre në vendin e ngjarjes.


Por, pak orë më vonë, në Spitalin Ushtarak, ku janë dërguar të plagosurit e Kukësit, kanë shkuar dy të plagosur të tjerë, pikërisht Vladimir Gjuta dhe nipi i tij Baftjar Bruka. Policia tha se kjo ngjarje u raportua nga spitali rreth orës 01:00 të mëngjesit të djeshëm, rreth dy orë pas atentatit në Kukës. Të dëmtuarit, por edhe personi, i cili i ka dërguar në spital kanë pretenduar se ata janë qëlluar me armë zjarri pranë Pallatit të Brigadave te Rruga e Elbasanit në Tiranë. Ata janë shprehur se kanë qenë pranë vendit të quajtur “Vilat Gjermane”, kur janë qëlluar me armë zjarri, duke marrë plagë në këmbë. Ata mësohet se janë shprehur për policinë se nuk kanë vënë re asnjë të dyshuar për këtë krim dhe se nga u kanë ardhur plumbat. Policia tha se Gjuta njihet si pronar i një biznesi në Tiranë.


Megjithatë, policia ka dyshime të forta se asnjëra palë nuk ka qenë plotësisht e sinqertë në deklaratat e tyre. Sipas grupit hetimor, ka dyshime të forta se të plagosurit e dy rasteve janë përplasur me njëri-tjetrin në Kukës për një çështje borxhi. Policia dyshon se Gjuta ka shkuar në Kukës për të vrarë Trotën, por gjatë kësaj tentative është përplasur me armë me palën tjetër, duke mbetur i plagosur, bashkë me nipin e tij. Megjithatë, kjo nuk është pranuar nga të dëmtuarit dhe është hedhur poshtë në mënyrë kategorike nga të dëmtuarit, të cilët kanë dhënë pretendimet e tyre për dy atentate. Megjithatë, grupi hetimor ka vendosur të arrestojë Vladimir Gjutën dhe nipin e tij Baftjar Bruka. Policia po punon për dokumentimin e plotë të këtij krimi, ndërkohë që mësohet se Gjuta njihej si person me precedentë penalë të mëparshëm. Ai është arrestuar më parë, për pengmarrje, për mbajtje të lëndëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje. Gjatë kohës së qëndrimit në spital, policia ka mbajtur nën vëzhgim familjet e të dëmtuarve, me qëllim që të mos ketë ndonjë hakmarrje të mundshme mes tyre në ambientet e Spitalit Ushtarak, ku janë shtruar të gjithë të plagosurit.


 


Dëshmia


I plagosuri Axhami: Nuk i njoha autorët


Besnik Axhami nuk ka dëshirë që të komentojë ngjarjen e tmerrshme që ka përjetuar mbrëmjen e së enjtes. Të afërmit e tij thonë se nuk ka arritur që t’i njohë atentatorët, pasi kanë qenë të maskuar. “Për ne ishte e papritur e gjithë kjo histori. Nuk kemi pasur konflikte me askënd. Fatmirësisht shpëtuan nga vdekja. Autorët e krimit kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi gjatë kohës që Besniku ka qenë duke pirë në lokalin e Ardianit. Brenda ka pasur edhe klientë, të cilët po shikonin ndeshjen e futbollit. Më thanë që ka qenë një tmerr i vërtetë”, shprehet i afërmi i Besnik Axhamit. Ndërsa policia thotë se të plagosurit nuk kanë dhënë informacione të sakta, në lidhje me atentatin e dy netëve më parë. Besniku në dëshminë e tij, pretendon se nuk di asgjë, në lidhje me konfliktet e dhëndrit. Ndër të tjera, thotë se nuk ka arritur që të identifikojë personat që qëlluan ndaj tyre, sepse kanë qenë të maskuar. Ai është mjaft i rezervuar në ato që thotë, duke u shprehur se personat që e qëlluan lëviznin me motor dhe janë larguar me të njëjtën mënyrë. Kanë qenë dy persona dhe nuk kanë tentuar që të bisedojnë me pronarin e lokalit, por kanë qëlluar nga jashtë ambienteve. S. Muça


 


Intervista


Rasim Trota rrëfen momentet e krimit dhe që dy autorët lanë kokoret e motorit në vendngjarje


Babai i biznesmenit: Objekti i sulmit ishte im bir, por nuk dimë ndonjë motiv


Silvana Muça


Babai i Ardian Trotës, Rasimi pretendon se objektivi i atentatit ka qenë djali i tij, pavarësisht se nuk di të japë një motiv për këtë krim të rëndë. Ai ka rrëfyer sesi ka ndodhur krimi, ku i pranishëm ka qenë edhe vjehrri i Ardianit, i cili është plagosur bashkë me të. Sipas Rasim Trotës, i biri ka marrë katër plumba dhe deri mesditën e së premtes, nuk i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale, për nxjerrjen e tyre, ndërsa Axhami ka marrë një plumb në pjesën e barkut dhe ka dëmtuar zorrët.


Si është gjendja shëndetësore e Ardianit?


Mjekët thonë se nuk ka rrezik për jetën, por pavarësisht kësaj plagët janë serioze dhe të rënda. Ai është qëlluar dy herë në shpatullën e majtë, një plumb e ka në dorën e djathtë dhe një në këmbë. Ka ardhur që mbrëmjen e së enjtes në spital, por mjekët nuk kanë ndërhyrë për t’i nxjerrë plumbat sepse nuk ia pranonte gjendja shëndetësore. Ardiani ka humbur shumë gjak, rrugës për në spital.


Jeni në dijeni të konflikteve që ka pasur djali juaj?


Ne nuk kemi asnjë konflikt. Po ta dinim një gjë të tillë, do kishim marrë masat që të ruheshim. Djali im ka qenë duke parë ndeshjen Spanjë-Itali së bashku me miqtë, në lokalin e tij dhe nga jashtë lokalit është dëgjuar një breshëri kallashnikovi. Fatmirësisht nuk pati të vdekur dhe djali im i shpëtoi atentatit.


I njohu djali personat?


Di që kanë qenë dy persona, të cilët kanë lëvizur me motor. Ishte errësirë dhe nuk arritën që t’i identifikonin. Pavarësisht kësaj, policia do ta zbardhë sepse autorët e atentatit që desh më vranë djalin, kanë lënë në vendin e ngjarjes dy kokore, sepse u rrëzuan nga motori dhe nuk arritën që t’i merrnin. Policia i sekuestroi.


Cili ishte objekti sulmit?


Djali im.


Nga e dini?


Në tavolinë kanë qenë 5-6 persona. Ata kanë qëlluar në drejtim të djalit tim, i cili ka marrë 4 plumba. Të tjerët janë plagosur aksidentalisht.


Çfarë kërkoni?


E vetmja gjë që kërkoj, është që im bir të shërohet sa më shpjet dhe falënderoj Zotin që është gjallë nga ajo breshëri plumbash!