Foto Arkive


Shkarkimi i kreut të FRESSH dështon mbledhjen e socialistëve. Spiropali braktis sallën


Përplasja në strukturat e larta drejtuese të Forumit Rinor Eurosocialist ka zbritur edhe në Kavajë. Tensione dhe debate të ashpra janë shkëmbyer dje gjatë një mbledhjeje të asamblesë lokale të PS-së së Kavajës. Shkarkimi i kreut të FRESSH-it, Elton Derjaj, ka shkaktuar pakënaqësi dhe qëndrime të ndryshme në degën e socialistëve të këtij qyteti. Pas braktisjes së Asamblesë Kombëtare të FRESSH-it, kryetarja e kësaj strukture rinore të Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, është larguar edhe nga mbledhja e socialistëve të Kavajës, ku do të diskutohej ndër të tjera edhe shkarkimi i drejtuesit lokal Elton Derjaj dhe zëvendësimi i tij. Mbledhja është zhvilluar ditën e shtunë me dyer të mbyllura në hollin e një hoteli në qytetin e Kavajës dhe është karakterizuar nga debate me tone të larta mes pjesëmarrësve në të, drejtues të organizatave lokale të PS-së së rrethit. Mbledhja ishte thirrur nga deputeti socialist, Dashamir Peza, i cili në përfundim të takimit që zgjati afro dy orë u shpreh jashtë kamerave se mbledhja nuk e arriti qëllimin, pasi nuk u ra dakord për axhendën e përcaktuar të mbledhjes. Shkarkimi nga detyra e kreut të FRESSH-it të Kavajës, Elton Derjaj, ka krijuar dy qëndrime të ndryshme mes socialistëve të këtij qyteti, ku baza socialiste ka ardhur në rritje pas fitores së kandidatit të majtë në zgjedhjet lokale të 2011-s. Janë të shumtë ata që e kundërshtojnë shkarkimin e Derjajt, i zgjedhur me votën e anëtarëve të konferencës së rrethit, ku kreu lokal i FRESSH-it ka mundur të sigurojë 70 për qind të votave. Spiropali është detyruar të braktisë mbledhjen e Kavajës, për shkak të mosmarrëveshjeje mes pjesëmarrësve dhe tendenca për të devijuar diskutimet mbi situatën e krijuar së fundmi, pas reagimit të Spiropalit dhe disa drejtuesve lokalë për listat e delegatëve në Asamblenë Kombëtare të FRESSH-it. Si pasojë e disa shkarkimeve të ndodhura në degët e FRESSH-it, situata në bazën e PS-së duket e acaruar. Dy ditë më parë, krerët e zgjedhur në Asamblenë e FRESSH-it të qytetit të Korçës dhe të Hasit, i dërguan një letër-ankesë për këtë çështje, kryetarit të PS-së, Edi Rama, kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçit, dhe kryetares së FRESSH-it, Elisa Spiropali. Në këtë letër-ankesë, krerët e forumeve rinore e quajnë si të padrejtë dhe jo ligjore shkarkimin që u është bërë, që sipas tyre u është komunikuar me telefon nga sekretari për rininë në PS, Erjon Veliaj. Në këtë letër të firmosur nga 12 kryetarët e Rrethit të Korçës dhe 11 krerët e FRESSH-it të Rrethit të Hasit, kërkohet që kryetari i PS-së, Edi Rama, të mbledhë së shpejti Kryesinë e Partisë Socialiste për të shqyrtuar këtë çështje. Po kështu, në këtë letër kërkohet edhe mbledhja e Komisionit të Garancive Statutore për të verifikuar vlefshmërinë e procesit të shkarkimit dhe zëvendësimit të krerëve të FRESSH-it nga Erjon Veliaj.


Pas braktisjes së Asamblesë Kombëtare të FRESSH-it, kryetarja e kësaj strukture rinore të Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, është larguar edhe nga mbledhja e socialistëve të Kavajës.


Në mbledhjen e asamblesë lokale të PS-së së Kavajës do të diskutohej ndër të tjera edhe shkarkimi i drejtuesit lokal të FRESSH, Elton Derjaj dhe zëvendësimi i tij.


Dy ditë më parë, krerët e zgjedhur në Asamblenë e FRESSH-it të qytetit të Korçës dhe të Hasit, i dërguan një letër-ankesë kryetarit të PS-së, Edi Rama, Gramoz Ruçit, dhe Elisa Spiropalit.