
Pesë deputetë të PS-së i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së Ministrisë së Shëndetësisë, që të bashkohen në luftën kundër koronavirusit.
Ata janë Klodiana Spahiu, Edlira Bode, Arben Kamami, Ilir Pendavinji dhe Florenc Spaho, të cilët do të kenë detyrën e vështirë që të përballen me personat e infektuar nga virusi e të kujdesen për ta.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ndërsa u bëri thirrje mjekëve që të bashkohen me stafin mjekësor, shtoi se “sa më shpejt ta fitojmë betejën, aq më shpejt i rikthehemi normalitetit”, në një status në Facebook.
Statusi
Mjekët dhe infermierët janë vendosur në vijën e parë të betejës. E megjithatë, çdo ndihmë shtesë që mund t’i vijë sot sistemit shëndetësor është pa diskutim, e dobishme si kurrë më parë.
Thirrjes së Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale drejtuar të gjithë mjekëve të licensuar, ndër aplikuesit e parë që janë përgjigjur pozitivisht janë pesë kolegët deputetë Klodiana Spahiu, Edlira Bode, Arben Kamami, Ilir Pendavinji dhe Florenc Spaho.
Kush është i të gatshëm të kontribuojë në menaxhimin e situatës, sot është pikërisht dita për ta dhënë atë kontribut dhe ky kontribut mund të jepet me veprime konkrete. Për llafe dihet kë kemi.
Situata e krijuar nga COVID-19 është pa diskutim një sfidë e një natyre të veçantë, që ka në zemër të saj bashkëpunimin e shumanshëm me çdo individ. Në këtë çast, sistemi shëndetësor është i mobilizuar për të përballuar këtë situatë të pazakontë.
Çdokush që mendon se mund t’i japë një dorë sistemit shëndetësor është i lutur të aplikojë sa më parë sepse sa më parë ta fitojmë këtë betejë, aq më shpejt do mund t’i rikthehemi rutinës dhe normalitetit të jetëve tona.