KOmisioni Europian_1


Prioritetet


Mblidhen grupet e përbashkëta për 5 prioritetet e BE-së ndaj Shqipërisë


 


Kushtet – Shqipëria ka pesë kushtet për t’u plotësuar, ku ndër kryesoret mbetet reforma në drejtësi. Ndërsa Gjosha ka bërë të ditur se në tetor ajo mund të votohet


Udhërrëfyes – “Të gjitha prioritetet kyçe janë caktuar dhe ne do të shohim se ku ju mund të ndërhyni për të pasur dhe një mbarëvajtje më të mirë”, tha Matuella


Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, gjatë mbledhjes së  tretë të grupeve të përbashkëta të punës, për monitorimin e 5 prioriteteve, u shpreh optimiste për realizimin e tyre nga ana e qeverisë shqiptare. Të pranishëm në këtë takim, ishin përfaqësues të institucioneve shqiptare dhe Komisionit Europian. “Do doja të nënvizoj  në këtë mbledhje edhe faktin se janë pikërisht këto grupe të përbashkëta pune, të cilat duke monitoruar me një mekanizëm specifik secilën nga masat e përcaktuara në Udhërrëfyesit për 5 prioritetet, na japin një analizë të qartë se ku jemi dhe ku duhet të punojmë më shumë. Ne ndihemi vërtet krenarë kur themi se Udhërrëfyesi për 5 prioritetet është plotësuar në pjesën më të madhe të tij”, tha Gjosha.


Ministrja theksoi rëndësinë që ka reforma në drejtësi për hapjen e negociatave me BE-në, duke shprehur vendosmërinë e qeverisë për të vijuar luftën kundër korrupsionit. Gjosha, në fjalën e saj, konfirmoi angazhimin e qeverisë për të miratuar brenda tetorit reformën në drejtësi, një ndër pesë prioritetet. “Ne nuk e kemi ndalur asnjëherë punën tonë për implementimin e prioriteteve, duke vazhduar të ecim sipas udhëzimeve. Që nga takimi i fundit janë marrë disa angazhime të tjera të mëtejshme, ku kemi pasur dhe mbështetjen e qeverisë shqiptare për të shtyrë përpara reforma të rëndësishme. Një nga reformat më të mëdha është ajo në administratën publike, për të cilën mendoj se duhet bërë një punë më e madhe”, tha ministrja. Drejtoresha për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, Michela Matuella, duke vlerësuar progresin e bërë tha se fokusi i diskutimeve më shumë sesa te sasia duhet të fokusohet te dakordësia mbi rekomandimet dhe instrumentet me të cilat mund të ndërhyhet për rezultate më të mira. “E rëndësishme është të kemi një udhërrëfyes për plotësimin e prioriteteve. Të gjitha prioritetet kyçe janë caktuar dhe ne do të shohim se ku ju mund të ndërhyni për të pasur dhe një mbarëvajtje më të mirë. Sigurisht, ne na vjen mirë për punën e madhe që është bërë në këta muaj. Por kur ne shohim drejt udhërrëfyesit, ne shohim tek instrumentet që nevojiten. Megjithatë, ne shikojmë më shumë për rezultatet. Unë do doja të përqendrohemi jo më shumë te niveli i masave, por të qartësojmë rekomandimet me të cilat ne biem dakord ose jo”,  tha drejtoresha Matuella.


 


Raporti


Jepen të dhënat e integritetit të Zgjedhjeve Vendore


Partitë përdorën paratë për të ndikuar mbi votuesit


Një raport për integritetin e zgjedhjeve vendore të 21 qershorit bën të ditur mangësitë për procesin që kaloi Shqipëria, duke mos shmangur as tentativat për blerjen e votës. “Indikatori mbi financat e fushatës është më i ulëti nga të gjithë indikatorët e analizuar. Partitë kanë përdorur financat si mjet për të ndikuar mbi votuesit, duke tejkaluar shpenzimet e parashikuara nga buxheti për zgjedhjet. Megjithatë, subjektet konkurruese dhe institucionet e ngarkuara me sigurimin e transparencës financiare të zgjedhjeve dështuan në mbledhjen, publikimin dhe vlerësimin e financimit të fushatës. Në shumë raste ka pasur përdorim të burimeve shtetërore në funksion të kandidatëve”, thuhet në këtë raport. Nga raporti i hartuar nga puna e 20 organizatave të shoqërisë civile dhe Dhomës Zgjedhore rezultoi se: “Legjislacioni zgjedhor është i paplotë dhe jo i qartë; partitë politike kanë përdorur financat si mjet për të ndikuar te votuesit; regjistri zgjedhor ka nevojë të përmirësohet; dhe partitë politike dhe kandidatët nuk respektojnë afatet e përcaktuara në ligj për regjistrimin në KQZ”.