Krimet e Rënda mbyllin hetimet për ata që rrëzuan shtyllat e tensionit të lartë në Balldren
Në shtyllën e parë është shkaktuar një këputje e një elementi profil metalik
Në shtyllën e dytë, 5 metra nga toka, kishte këputje të një elementi metalik
Pesë persona akuzohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për qëllime terroriste të mbetura në tentativë. Mhill Thepi, 19 vjeç, Besmir Lugina, 25 vjeç, Xhevahir Lugina, 22 vjeç, Kastriot Gjeloshaj, 23 vjeç, dhe Gazmir Dedaj, 23 vjeç, akuzohen se kanë tentuar të kryejnë akte terroriste duke hedhur në erë shtyllat e tensionit të lartë në Komunën Balldren të Lezhës, në datën 1 janar 2012. Nën akuzë për posedim të municionit luftarak është vënë edhe Ernest Preçi, 47 vjeç. Dosja u hetua nga prokurori Ardian Nezha dhe në përfundim të tyre u arrit të zbulohej e gjithë veprimtaria e të pandehurve, të cilat kanë pranuar akuzën, si dhe kanë shpjeguar edhe arsyen e vendosjes së tritolit. Sipas akuzës, këta persona akuzohen për ngjarjen e datës 1 janar 2012 rreth orës 17:00, ku janë dëmtuar me eksploziv dy shtylla të tensionit të lartë (220 K/v) të linjës Vau i Dejës–Tiranë. Vendi ku është konstatuar dëmtimi i këtyre shtyllave ndodhej në një parcelë are 700 metra larg nga superstrada Lezhë-Shkodër, parcelë e cila ishte nën juridiksionin e fshatit Kallmet të Komunës Balldren, rrethi Lezhë. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezultoi e provuar se në shtyllën e parë, te njëra këmbë e saj, 5 metra larg bazamentit, është konstatuar një dëmtim (këputje e një elementi profil metalik), ndërsa tek elementi tjetër është konstatuar dëmtim masiv i këmbës dhe një këputje e elementit profilmbajtës. Në të njëjtën shtyllë, te këmba tjetër në lartësinë 5 metra nga bazamenti, futur në pjesën e brendshme të saj, janë gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde e ngurtë në formë kubi me përmasa 10x10x10 cm pako e mbështjellë me material natriban të tejdukshëm, brenda së cilës ndodheshin 4 kallëpe me peshë 1.6 kg. Kallëpet kanë rezultuar se ishin eksploziv tritol i llojit TNT, të vendosura në seri, ku në njërën prej tyre ishte vendosur një kapsolle e lidhur me fitil zjarrpërcjellës me ngjyrë të zezë që varej deri në tokë. Në shtyllën e dytë, e cila rezulton të jetë rreth 500 metra larg nga shtylla e parë, e ngjashme për nga bazamenti dhe struktura me të parën, në njërën këmbë të saj, 5 metra nga toka është konstatuar një dëmtim i profilit metalik, këputje e plotë e shkaktuar me lëndë plasëse. Po aty është gjetur një lëndë e ngurtë e pashpërthyer, e cila rezultoi se ishte identike me të parën, pra 1.6 kg tritol. Nga hetimet rezultoi se të pandehurit tritolin e kanë blerë në Shkodër te shtetasi Ernest Preçi, i cili nuk kishte dijeni për aktet që do të kryenin të pandehurit. Në datë 14 shkurt 2012, nga shërbimet e policisë gjyqësore në Shkodër janë shoqëruar për hetime në lidhje me disa vepra penale të kryera në Rrethin e Shkodrës e konkretisht të 2 vjedhjeve të pasurisë dhe 1 vjedhjeje me dhunë, shtetasit Mhill (alias Nikoll) Thepi, Kastriot Gjeloshaj, Besmir Lugina, Xhevahir Lugina, Gazmir Dedaj, të cilët dyshoheshin se në harkun kohor, dhjetor 2011-janar 2012, kanë kryer një numër të konsiderueshëm veprash penale në këtë rreth. Gjatë hetimit ata kanë pranuar dhe më pas deklaruar se kanë kryer këto akte ndaj shtyllave të tensionit të lartë, duke treguar edhe detaje të vendosjes së tritolit, si dhe bashkëpunimin me njëri-tjetrin. S. Çobo
