Kuvendi
Polemika të ashpra mes dy drejtuesve të Komisionit të Veprimtarisë
Shqyrtimi i draftit të qeverisë për “Peshkimin” degjeneron në sherre dhe përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe të opozitës. Personazhe janë dy drejtuesit e Komisionit Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, kryetari Jemin Gjana i PD-së, dhe nënkryetari Eduard Shalsi i PS-së. Shkak i acarimit ndërmjet dy deputetëve janë bërë mënyra e paraqitjes së pyetjeve për draftin e paraqitur nga ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, “Për peshkimin”. Kryekomisioneri Jemin Gjana tha që socialistët duhet të jenë më konciz në mënyrën e paraqitjes së pyetjeve ndaj ekspertëve për draftin e paraqitur. Në mbyllje të mbledhjes, kur Shalsi po dilte iu është afruar Gjanës dhe e ka ofenduar me fjalë, ndërsa menjëherë janë nisur për t’u konfliktuar me njëri-tjetrin me grushte. Shalsi i ka shpëtuar shkelmit të Gjanës, ndërsa të dy deputetët kanë qenë të rrethuar nga kolegët e mazhorancës. Debati më pas vijoi dhe në korridorin e Kryesisë së Kuvendit.
Debati në komision
Eduard Shalsi (PS): Sikur t’ju eksitonte nafta, ashtu siç ju eksiton peshku, do të ishte shumë mirë. E vlerësoj mënyrën e paraqitjes së pyetjeve, e përgëzoj, sepse është pikërisht ky roli që duhet të ketë Parlamenti.
Ardian Turku (PD): E kemi bërë edhe më parë, por ju s’keni marrë pjesë në mbledhje.
Eduard Shalsi (PS): A ta mbaroj një sekondë se unë se e kam shumë për ters kur më ndërpresin…
Jemin Gjana (PD): Kush ka pyetje të tjera. S’ka. Do të shtoja edhe unë disa. Së pari ju garantoj se nuk paragjykoheni nga pyetjet nëse referoheni në nene siç u referua zoti Metalla.
Eduard Shalsi: Ç’lidhje ka kjo!
Jemin Gjana: Ka lidhje, si s’ka lidhje. Ka qenë dikur edhe Shkëlqim Cani që bënte 120 pyetje. Ne nuk e paragjykojmë numrin e pyetjeve tuaja…
Eduard Shalsi: Jo më, ç’thua mër! Lëre tani mos na hap barkun tani.
Jemin Gjana: O koleg, unë të lashë të flisje dhe të jap përsëri të drejtën të flasësh, po ç’ke që nervozohesh.
Eduard Shalsi: Injoranca më nervozon, për hir të së vërtetës.
Jemin Gjana: Dëgjo, duhet të matesh mirë kur flet, mos guxo ta bësh më këtë, palaço, i pafytyrë.
Eduard Shalsi: Jo vetëm do ta bëj, por do të them mos e bëj më ti këtë veprim. Kur unë flas, mos më bëj mua ashtu (sheh nga kamerat).
Bedri Hoxha (PD): O Shals, po kush je ti që sillesh në këtë mënyrë. Nuk është hera e parë që e bën këtë veprim.
Eduard Shalsi: Kam të drejtën si të gjithë anëtarët e komisionit, po më tregon ti mua…
Gjana ngrihet në këmbë dhe i flet, Shalsi reagon: U bërë ti të flasësh në këtë gjuhë, burrë 60 vjeç.
Jemin Gjana: Dil përjashta, palaço, ik.
Eduard Shalsi: Mos më thuaj mua ashtu, jo mua ashtu, dëgjove apo jo, unë dal kur të dua unë. Ti dil përjashta, kush je ti që më thua mua dil përjashta. Dil ti përjashta. Respektoni komisionin.
Osman Metalla (PD): Tregoni etikë, komisioni duhet ta ketë një gjë të tillë. Do të flasësh, merre fjalën, vendosni etikën.
Eduard Shalsi: Unë thashë se s’paska faj injoranca. Po më tregon mua ai.
Jemin Gjana: Ta mbyllim këtë mesele.
Besnik Baraj (PS): Se si i formulojmë ne pyetjet është e drejta jonë, ju s’keni të drejtë që të bëni komente të tilla dhe vërejtje. E bëj të gjatë e të shkurtër e kemi ne, është puna jonë. Se po të flasim për kulturë e profesionalizëm pastaj kalon në një histori tjetër.
Jemin Gjana: S’paragjykojmë askënd për pyetjet. Nëse na paragjykoni ne kam detyrën të bëj ta qartë një gjë të tillë. Atë që bëri zoti Metalla ia vuri si element krahasues.
Eduard Shalsi: S’kam marrë pyetje për privatizimin.
Jemin Gjana: Zoti Shalsi, komisioni është komision. Statusi i deputetit është status deputeti. Disa gjëra pastaj dalin jashtë kësaj mbledhjeje.
Eduard Shalsi: Jam koshient.
Jemin Gjana: Nëse je koshient, matu mirë pastaj.
Eduard Shalsi: Jam superkoshient, shumë i matur, jam i bindur se namin e kam të mirë, për kulturën e qytetarinë.
Jemin Gjana: Nëse njerëzit janë mësuar ta marrin dajakun sa herë t’ju pëlqejë, është punë tjetër.
Sherri jashtë komisionit
Deputeti i PS-së, Shalsi, kërkon të konfliktohet me demokratin Gjana. Kolegët i ndajnë që të mos kacafyten.
Gjana: Zoti Shalsi, mos bëj si i fortë këtu në komision, mësohu të sillesh, mos dil më përpara në komision.
Shalsi, Gjanës: U bëre ti të më thuash dil përjashta, ik se s’më ka përzënë njeri nga komisioni.
Ardian Turku (PD): O Shals, po ik tani mos na bëj kështu se s’ka lezet, mos na bëj si gangster.
Bedri Hoxha (PD): O Ed, mos bëj si i fortë, se e dimë se sa i fortë je.
Deputeti Shalsi ikën dhe tenton të godasë Gjanën, i cili po futet në zyrën e tij, por nuk e kap atë.