Projekti i studios “Grimshaw”, e cila fitoi të drejtën për të transformuar bulevardin dhe për të rehabilituar lumin e Tiranës, do të jetë në zyrën e kreut të bashkisë të hënën.


Duke nisur nga data 3 dhjetor, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, do të shqyrtojë planin e përgatitur, për t’i hapur rrugë së shpejti çeljes së punimeve. Lajmi u bë i ditur gjatë pritjes që Basha i bëri asistent/sekretarit të Ministrisë së Jashtme të shtetit të Katarit, Ali Bin Fahad, në Tiranë.


Kryebashkiaku shprehu mirënjohje për gatishmërinë e shprehur nga Emiri i Katarit, Lartësia e Tij, Sheiku Hamad Bin Khalifa Al-Thani, për të mbështetur financiarisht realizimin e këtij projekti. Basha mirëpriti njëkohësisht interesin e shprehur nga Ali Bin Fahad, për disa kompani shtetërore nga Katari, që duan të vendosin aktivitetin e tyre në Tiranë, pikërisht në bulevardin e ri. Kryebashkiaku theksoi gjithashtu se Bashkia e Tiranës është e hapur dhe se do të krijojë të gjithë lehtësitë e nevojshme, për çdo investitor që zgjedh Tiranën për të shtrirë aktivitetin e tij.