Flet Fatos Lubonja
Pallatet aty-këtu, kancer me metastaza. Njësia nr. 8, restaurim me kujdes e dashuri
Lorina Mixha
Plani urbanistik i qytetit të Tiranës ndodhet në fazë konsultimesh. Bashkia e kryeqytetit ka botuar edhe një kalendar, ku parashikohen “ndalesat” në njësitë bashkiake të kryeqytetit.
Në takimin e parë, kreu i bashkisë, Lulzim Basha, ka folur për mundësitë që parashikon plani për banorët e kësaj zone, autoktonë apo të ardhur, për të zhvilluar pronën. Por mënyra se si duhet të projektohet plani urbanistik, nevojat emergjente që ka Tirana, si dhe gabimet që nuk duhen bërë, duke pasur shembull të shkuarën, duhet të jetë “bibla” e grupit hartues. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, intelektuali Fatos Lubonja jep mendimin e tij lidhur me problemet që ka sot Tirana, çfarë duhet t’u jepet banorëve kryeqytetas dhe cilat janë problemet për të cilat duhet të kthejmë faqen, e në çfarë binarësh duhet të ecë zemra e Shqipërisë.
Sipas mendimit tuaj, si duhet të projektohet plani i ri urbanistik i kryeqytetit?
Dy gjëra do të vija në dukje lidhur me pyetjet tuaja:
Së pari, arkitektura dhe urbanistika që kemi ndërtuar këto njëzet vjet flet (për të mos thënë ulëret) për njerëz që nuk dinë të harmonizojnë interesin e ngushtë personal me atë të shoqërisë, oborrin e vogël me oborrin e madh. Ajo flet për njerëz që nuk dinë të kuptojnë, se historia që përmban arkitektura e një qyteti, gjelbërimi i tij, hapësirat publike dhe peizazhi i tij urban rrit atë që quhet “cilësi e jetës” së tyre. Nuk mund të fajësoj tërë qytetarët e Tiranës, por them se sigurisht, po të kishte ekzistuar një kulturë tjetër, horroret që janë bërë nuk do të kishin ndodhur. Por përgjegjëse kryesore, gjithsesi, mbetet një pakicë injorantësh, të babëziturish dhe manipulatorësh që, për të ndërtuar “oborrin”e tyre, kanë shkatërruar qytetin.
Ajo çfarë kemi prodhuar është kaosi, shëmtimi, zhurma, ndotja – jo thjesht në kuptimin fizik, por edhe në kuptimin e gjendjes shpirtërore që të përçon kryeqyteti, të marrëdhënieve negative njerëzore që ai stimulon. Ajo për çka ka nevojë kryeqyteti sot është para së gjithash rikuperimi i çfarë mund të rikuperohet në aspektin e këtyre dëmeve. Urbanistët duhet të bëjnë përpjekjen mbinjerëzore që të krijojnë pak “rend” në këtë kaos, pak harmoni në këtë zhurmë, pak hapësirë në këtë denduri, pak bukuri në këtë shëmtim, pak gjelbërim në këtë çimentifikim dhe jo ta vazhdojnë atë, siç kam sinjale se po duan të bëjnë.
Në këtë kontekst më duket tregues i keq çështja e njësisë nr. 8, për të cilën po debatohet, ngase Edi Rama e ka lënë si zonë me ndërtime të ulëta, për shkak të ekzistencës atje të shumë shtëpive të Tiranës së vjetër. Më vjen keq që edhe Basha për të justifikuar shfrytëzimin edhe të kësaj zone për interesa të një pakice, përdor të njëjtën manovër si të Ramës dikur.
E quan “zhvillim të pronës” dhënien e lejeve për të ndërtuar pallate të larta aty ku ka shtëpi të ulëta, të vjetra. Atëherë pse u bë tërë ajo fushatë kundër Ramës si shkatërrues i qytetit? Të thuash se do të ruajmë shtëpitë që janë ligjërisht historike dhe të lësh të kuptosh se në ato pranë tyre do të ndërtosh pallate të larta, kjo të kujton pikërisht planet pjesore të Ramës, që në fakt ishin krejt në kundërshtim me ligjin që rregullon raportin ndërtim-gjelbërim në një zonë të tërë e që kanë krijuar shëmtimin dhe degradimin e qytetit, për të cilin fola më lart, por njëkohësisht edhe varfërimin e atyre që kanë mbetur nën hijen e pallateve. Një shtëpie historike nuk mund t’i ngrihet një pallat ngjitur, sepse ai e zhvleftëson dhe e mbyt atë, madje jo vetëm atë, por tërë bllokun me shtëpi të ulëta rreth tij. Pallatet e ndërtuara aty-këtu sipas pazareve të pronarëve dhe ndërtuesve që e kthyen sheshin e ndërtimit në njësinë e vetme urbane janë kanceri që u përhap me metastazat e tij nëpër tërë kryeqytetin. Tani duket se këto metastaza duan të pushtojnë edhe njësinë nr. 8. Për mua ajo zonë duhet restauruar dhe rikuperuar me shumë kujdes e dashuri dhe jo të mbytet me pallatet e shëmtuara dhe pa identitet, që janë ndërtuar anekënd Tiranës me të vetmin interes: nxjerrjen e sa më shumë metrave katrorë për shitje.
Çfarë duhet të mbajnë parasysh ekspertët e urbanistikës?
Duhet të kemi parasysh se një plan urbanistik bëhet sipas një plani strategjik zhvillimi të qytetit. Për fat të keq ndërtimet në Tiranë dhe rrethinat e saj nuk janë bërë në funksion të ndonjë strategjie zhvillimi, të ndonjë industrie apo të ndonjë nevoje kësisoj, por thjesht duke manipuluar me njerëzit, me idenë se duke pasur një shtëpi, dy, tri, katër, në Tiranë, ky do të ishte një investim i mirë, si dhe për të ricikluar para të pista, pasi dihet se ndërtimi është një nga format klasike të kësaj pune. Absurdi është se ndërkohë që një e treta e popullsisë së Shqipërisë ka emigruar, ndërtimet e bëra në vend të krijojnë përshtypjen sikur Shqipëria të ketë ndonjë bum demografik të paparë në botë. Unë kam shkruar, rishkruar e folur për nevojën e njohjes së asaj se sa metër katrorë ndërtime kemi në Tiranë dhe rrethina për ta krahasuar me numrin e popullsisë dhe nevojën që kemi. Sepse, të bie menjëherë në sy se ndërtimet janë në një sasi tejet më të madhe sesa nevojat, paçka se mund të ketë edhe njerëz të pastrehë. Askush nuk e bën këtë, sepse një grushti njerëzish nuk i intereson një transparencë e tillë. Imagjinoni që në planin francez parashikoheshin dhjetë qendra biznesi, grataçiela si ajo që ka kaq vjet anës selisë së PD-së dhe s’po mbaron ende, a thua se Tirana do të bëhej si Londra apo Nju Jorku, kryeqendër e botës financiare në Ballkan e më gjerë.
Por edhe të mendosh se do të vijnë të gjithë shqiptarët të banojnë në kryeqytet, është absurde, jo vetëm se kjo largon njerëzit nga burimet natyrore që ka vendi, por edhe pse nuk kemi krijuar mundësi që ata të kenë vende pune këtu. Kriminaliteti që kemi sot vjen edhe për shkak të krijimit të një metropoli si Tirana, me papunësi të paparë.
Cilat janë karakteristikat që duhet të ruajë kryeqyteti dhe për çfarë ndryshimesh ka nevojë?
Pra, ideja ime është se plani urbanistik duhet të orientohet për kah përmirësimi i cilësisë së jetës së dëmtuar rëndë të qytetarëve të Tiranës, atje ku ata banojnë, duke bërë gjëra të thjeshta, por funksionale dhe jo duke bërë shou me ndërtime spektakolare apo punime e ripunime sheshesh qendrore, as duke vazhduar ndërtime që do ta rrisin edhe më popullsinë apo që do të mbesin monstra ekologjike të pabanuara. Kjo nënkupton se edhe paratë publike duhen investuar për këtë. Mirëpo problemi është se paratë që mund t’i hyjnë arkës së bashkisë, pikërisht për shkak të papunësisë që përmenda, janë ose nga paratë e pista të krimit, ose para investimesh të huaja, siç flitet për paratë e biznesmenëve të Katarit që duan të investojnë në bulevardin e ri. Dhe këta s’kanë ndonjë interes të ristrukturojnë shtëpi apo lagje të vjetra ose të rikuperojnë hapësira të gjelbra për banorët e kryeqytetit. Frika ime është se plani urbanistik mund të hartohet, siç ka ndodhur edhe në kohën e Ramës, i diktuar nga interesa të atilla, çka do të thotë vazhdim i masakrës që do të pasurojë pak individë dhe do ta rëndojë edhe më cilësinë e jetës së qytetarëve.
Gazheli: Masterplani, marketing politik
Këshilltarët e majtë nuk janë ftuar në asnjë takim konsultimi me grupet e interesit
Masterplani urbanistik i qytetit të Tiranës, që do të ishte përcaktimi i saktë për planin urbanistik kryeqytetas, nuk është konsultuar me grupet e interesit. Madje anëtarët opozitarë të Këshillit Bashkiak as nuk janë ftuar në takimet që bën kreu i bashkisë dhe anëtarë të tjerë të grupit teknik në njësitë bashkiake. Kjo është përmbledhja që bëjnë këshilltarët opozitarë lidhur me diskutimet e planit urbanistik.
Gent Gazheli, këshilltari opozitar, deklaron se plani urbanistik në këtë rast po përdoret si “kartë” elektorale nga ana e kryetarit të bashkisë. Sipas tij, ky masterplan ka një sërë të panjohurash, enigmash, pasi askush nuk po flet qartë për detajet e këtij plani. Askush nuk ka një dokument në dorë që ta paraqesë e të flasë qartë. “Frika ime është se ky masterplan do të përfundojë si një dokument që do të shqyrtohet brenda dy ditëve, e ndërsa ekspertët do t’u duhet të shohin detajet për të rënë në konkluzione, do të na jepet mundësia vetëm për të parë një maket me pallate të bukura, por që nuk tregojnë asgjë konkrete për gjërat që fshihen më pas”, sqaron Gazheli. Sipas tij, askush nuk e di ku prezantohet ky plan, cilat janë këto grupe interesi për të cilat diskutohet.
“Plani urbanistik në radhë të parë quhet masterplan dhe jo plan, pasi është ende projekt. Më pas, kreu i bashkisë ka detyrimin ligjor për të bërë konsultime me grupet e interesit. Por mendoj se ky është një marketing politik për të realizuar një premtim elektoral. Kryeqytetasit duhet të dinë sa vende pune parashikohen të hapen, çfarë parashikon projekti në këtë rast. Po ashtu, si e ka zgjidhur masterplani çështjen e shpronësimeve. Ku do të ndërtohen veprat publike dhe sa është kosto totale e shpenzimeve”, argumenton Gazheli.
Ai thotë se, sipas logjikës së Bashës, për njësinë bashkiake numër 8, në këtë rast, lagjet muzeore nuk mund të prishen.
“Sipas kësaj logjike, të zhvillimit të pronës, duhet të ishin shkatërruar lagje në Romë e në Berlin. Tirana prandaj është e bukur, se ka brenda historinë, të shkuarën e të tashmen. Ndoshta opsionet për t’u pasuruar shpejt në Tiranë nuk pengohen as nga ligjet.
Mendoj se duhet të mendohet edhe për të ardhmen, por edhe për të kaluarën, për historinë, për shtëpitë muzeore, për zonat muzeore”, argumenton Gazheli.
Sakaq, plani urbanistik mund të diskutohet edhe në Këshillin Bashkiak, por sipas këshilltarëve opozitarë, mbledhja është shtyrë e nuk po zhvillohet, për shkak se kreu i bashkisë ka humbur mazhorancën. “Nuk mblidhemi, herën e fundit u anulua mbledhja pesë minuta përpara, nuk ka ndodhur kurrë që anëtarët të lihen jashtë e të mbyllet dera. Basha ka humbur mazhorancën, prandaj ka frikë të mbledhë këshillin”, përfundon Gazheli.
Bashkia, plani projekton Tiranën me 7 pole zhvillimi
Plani parashikon, përveç sistemit të autobusëve, ndërtimin e sistemit të tramvajit
Pas njësisë bashkiake nr. 8, konsultimet për planin urbanistik të Tiranës do të vazhdojnë dhe me 10 njësitë e tjera vendore. Ekspertët që janë marrë me hartimin e këtij plani, por dhe drejtuesit e Bashkisë së Tiranës, do të mirëpresin sugjerime dhe do t’i japin përgjigje çdo pyetjeje që do u drejtohet nga banorët e këtyre njësive, në bashkëbisedime të hapura që do të vazhdojnë ditën e hënë, me njësinë bashkiake nr. 10 e me njësitë e tjera në vazhdim, sipas një kalendari të përcaktuar, që gjendet i publikuar në uebin e Bashkisë së Tiranës.
Ky plan projekton Tiranën metropolitane, me 7 pole zhvillimi, disa parqe rajone dhe me sistem pesë unazor. Plani i përgjithshëm vendor parashikon, përveç sistemit të autobusëve, ndërtimin e sistemit të tramvajit, i cili do të jetë komplementar, me sistemin e autobusëve, si nga pikëpamja kohore ashtu edhe nga pikëpamja e linjave të ofruara. Sugjerohet që të projektohen edhe pesë linja urbani autobusësh, komplementare me linjën e tramit. Studimi urbanistik sjell një vlerësim të barabartë të pronës private, si në rastet kur ndërtohet pallat, ashtu edhe kur është e destinuar për lulishte apo për rrugë.