Pronarët dhe ndërtuesit propozojnë shtim të intensitetit, më shumë se në planin francez
Lorina Mixha
Plani urbanistik i qytetit të Tiranës brenda pak ditësh pritet të bëhet gati i plotë. Dokumenti më i rëndësishëm për zhvillimin e kryeqytetit do të diskutohet në mbledhjen e Këshillit Bashkiak më 24 dhjetor, në vigjilje të Krishtlindjeve, takimi i fundit ky i parlamentit vendor. Përveç planeve dhe projekteve që përfshihet në këtë dokument, i cili është diskutuar e konsultuar në çdo njësi bashkiake në vjeshtën e këtij viti, një nga çështjet me më shumë interes dhe me më shumë rëndësi për qytetarët dhe bizneset e konstruksionit është çështja e ndërtimeve.
Në Bashkinë e Tiranës, përkatësisht në zyrën e urbanistikës, kanë mbërritur kërkesa dhe propozime që në nisje të konsultimeve për të sjellë një ndryshim rrënjësor në masterplanin urbanistik të kryeqytetit. Sipas kërkesave, por edhe ndryshimeve të fundit që ekspertët po përfshijnë në dokumentin me më shumë se 500 faqe, në Tiranë ndërtimet, duke nisur nga viti i ardhshëm, do të jenë me shumë kate. Kjo do të thotë se ndërtimet që do të bëhen në të ardhmen nuk do të jenë të një intensiteti të ulët, por do të jenë madje me intensitet edhe më të lartë se sa ishin parashikuar më parë në kohën e qeverisjes së kryebashkiakut Edi Rama, në planin francez.
Plani urbanistik
Sipas planit urbanistik, edhe në zonat e ulëta, me karakter muzeor, siç është Rruga e Dibrës, Shkolla e Kuqe apo shtëpitë e vjetra tiranase në njësinë bashkiake numër 8, ndërtimet do të jenë me kate më të larta sesa parashikonte plani francez vite më parë.
Po ashtu, sipas planit urbanistik do të kemi ndërtime kryesisht në zonat e formuara në masën 30 për qind. Janë po ashtu rreth 50 zona të veçanta, të cilat do të trajtohen me përparësi dhe që plani parashikon zhvillim të veçantë, tashmë të konsultuar edhe me grupet e interesit, me shoqatën e ndërtuesve.
Ndërtimet në masterplan janë përfshirë në të gjithë kryeqytetin, në zemër të Tiranës, dhe në ato njësi bashkiake ku më parë nuk ka pasur plane dhe projekte për zhvillim të ndërtimit dhe të pronës.
Pronarët e shtëpive muze, apo ata që zotërojnë prona në zonat e kateve të ulëta, kanë rënë parimisht dakord me subjektet ndërtuese, por edhe ekspertët që përgatitën masterplanin për të ndërtuar në pjesën më të madhe të pronës së tyre, por sipas kushteve dhe kërkesave të tyre për përfitim nga zhvillimi i pronës së tyre.
Legalizimi
Një pjesë e mirë e qytetarëve që kanë ndërtuar shtesa, papafingo, dhoma shtesë në katet e para, shtesa katesh në shtëpitë private, apo çfarëdolloj zgjerimi tjetër, do të kenë mundësi të legalizojnë pronën e tyre. Edhe në rastet kur këto ndërtime janë pa leje, njësitë vendore, por edhe autoritetet e legalizimeve do të pranojnë kërkesat e tyre, do të shqyrtojnë motivacionin, si dhe do të këqyrin situatën për të legalizuar pronën shtesë apo jo. Bashkia e Tiranës ka bërë negocimin me autoritetet për t’u dhënë mundësi banorëve për legalizimin e shtesave të tyre, pasi shumica e tyre kanë deklaruar se për ndërtimin e bërë kanë marrë leje në njësitë vendore e madje kanë dorëzuar edhe aprovimin e komshinjve, të cilët kanë qenë dakord për shtesat dhe ndërtimet për zgjerim.