Drafti


Si fitohen dhe hiqen licencat dhe kriteret për certifikimin e punonjësve


Policia privateShoqërive për shërbimin privat të sigurisë fizike në vendin tonë, tashmë do t’u shtohen edhe konkurrentë të huaj. Kjo është një risi që sjell ligji i ri për policinë private, ndërsa me ligjin aktual, kjo e drejtë ka qenë e ndaluar. Megjithatë, ky nuk është i vetmi telash për policitë private, pasi së shpejti ato do të përballen me kushtet e reja që nga certifikimi i titullarit, drejtuesi teknik e punonjësi i shërbimit, deri te plotësimi i kritereve për mbrojtjen e licencës.


Shtetasit e huaj


Certifikimi i shtetasve të huaj për shërbimin privat të sigurisë fizike është cilësuar si një risi edhe në relacionin e Ministrisë së Brendshme për projektligjin. “Është dhënë e drejta e hapjes së biznesit në këtë veprimtari nga shtetasit e huaj, si një e drejtë e veprimtarisë së ekonomisë së tregut të lirë, pasi në ligjin ekzistues kjo e drejtë ka qenë e mohuar, ndërkohë që në projektligj janë përcaktuar qartë edhe kushtet që duhen plotësuar nga aplikantët”, thuhet në relacionin e Ministrisë së Brendshme. Kjo e drejtë është përcaktuar në nenin 13 të projektligjit, ku deklarohet se cilat kritere duhet të plotësojnë shtetasit e huaj, që gëzojnë të drejtën të certifikohen si titullarë të një subjekti të tillë. “Një shtetas i huaj duhet të jetë i pajisur me leje pune nga autoritetet përgjegjëse të Republikës së Shqipërisë; të jetë i pajisur me leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë dhe të përmbushë kriterin e besueshmërisë, sipas kuptimit të këtij ligji”, thuhet në nenin 13 të projektligji. Në kuptim të këtij projektligji, besueshmëria është verifikimi i të dhënave të individëve në raport me regjistrat fizikë dhe elektronikë të të gjitha institucioneve shtetërore, një kusht që duhet plotësuar nga të gjitha subjektet dhe që më parë nuk ka qenë me detyrim.


Kushtet dhe shkeljet


Për licencimin e subjekteve në vendin tonë është përcaktuar si kusht edhe që të kenë të ngritur selinë dhe qendrën e kontrollit, drejtimit dhe koordinimit për të vepruar 24 orë në ditë, ndërsa subjektet që licencohen për veprimtarinë I.3.B, përveç sa më sipër, duhet të kenë të disponueshme edhe mjetet e blinduara. Një rëndësi e veçantë i është kushtuar kapitullit për shkeljet që përbëjnë kundërvajtje administrative dhe masat përkatëse disiplinore dhe masat shtrënguese si gjobë ose revokim, deri në heqjen e së drejtës së ushtrimit të veprimtarisë së sigurisë fizike, me qëllim plotësimin e disa vakumeve që ekzistojnë në ligjin aktual. Me qëllim monitorimin, evidentimin dhe respektimin e plotë të të drejtave të njeriut gjatë ushtrimit të veprimtarisë së sigurisë fizike, në këtë draft është përcaktuar detyrimi që në çdo rast që punonjësi i shërbimit do të përdorë forcën e çfarëdo lloji, apo do të përdorë armën, menjëherë duhet të informojë Policinë e Shtetit, veprime këto që mund të jenë edhe subjekte hetimi nga ana e policisë.


 


Kriteret për certifikim


Titullari


Pajiset me certifikatën e titullarit të SHPSF-së personi që plotëson këto kritere:


a) Të ketë zotësi të plotë juridike për të vepruar, si dhe të ketë punuar në institucionet publike e jopublike në funksione menaxheriale jo më pak se 5 (pesë) vjet;


b) Të përmbushë kriterin e besueshmërisë sipas kuptimit që i jep ky ligj, si dhe të ortakëve të tij në rast se ka;


c) Të mos ketë qenë dënuar më parë me vendim të formës së prerë për vepra penale.


Drejtuesi teknik


1. Pajiset me certifikatën e drejtuesit teknik personi që plotëson këto kritere:


a) Të jetë shtetas shqiptar me banim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë;


b) Të ketë zotësi të plotë juridike për të vepruar;


c) Të ketë aftësi fizike e mendore për të kryer detyrën, të vërtetuar me raportin mjekësor nga komisioni përkatës;


ç) Të ketë mbajtur gradën policore të nivelit të parë drejtues ose të ketë arsimin e lartë ushtarak, si dhe të ketë përfunduar trajnimin profesional që organizohet për këtë qëllim;


d) Të përmbushë kriterin e besueshmërisë sipas kuptimit që i jep ky ligj;


dh) Të mos ketë qenë dënuar më parë me vendim të formës së prerë për vepra penale të kryera me dashje.


2. Kur personi që kërkon të pajiset me certifikatën e drejtuesit teknik është ish-punonjës i Policisë së Shtetit dhe ka pasur gradën policore minimale të nivelit të parë drejtues nuk kryen trajnimin profesional.


Punonjësi i shërbimit


1. Pajiset me certifikatën e punonjësit të shërbimit personi që plotëson këto kritere:


a) Të ketë mbushur moshën 18 vjeç;


b) Të ketë zotësi të plotë juridike për të vepruar;


c) Të ketë aftësi fizike e mendore për të kryer detyrën, të vërtetuar me raportin mjekësor nga komisioni përkatës;


ç) Të jetë shtetas shqiptar me banim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë;


d) Të ketë kryer arsimin e mesëm;


dh) Të përmbushë kriterin e besueshmërisë sipas kuptimit që i jep ky ligj;


e) Të mos ketë qenë i dënuar më parë me vendim të formës së prerë për vepra penale të kryera me dashje;


ë) Të ketë kryer, në qendrën e trajnimit të licencuar, kursin e nevojshëm profesional dhe të jetë pajisur me dëshminë përkatëse.


2. Kur personi që kërkon të pajiset me certifikatën e punonjësit të shërbimit të sigurisë fizike është ish-punonjës i Policisë së Shtetit apo i strukturave të tjera ligjzbatuese me gradë policore e ushtarake nuk kryen kursin e nevojshëm profesional dhe testimin.


 


Kushtet


Kriteret për licencim


1. Për pajisjen me licencë të nënkategorisë I.3.A subjekti duhet të plotësojë këto kritere:


a) Subjekti të jetë i regjistruar në QKR si sh.a. ose sh.p.k. dhe të ketë përcaktuar më parë drejtuesin teknik për këtë veprimtari;


b) Titullari i subjektit të jetë i pajisur me certifikatën e nënkategorisë I.3.A;


c) Drejtuesi teknik të jetë i pajisur me certifikatën e nënkategorisë I.3.A dhe të jetë me kohë të plotë pune;


ç) Të ketë lidhur kontratë pune ndërmjet titullarit dhe drejtuesit teknik.


2. Për pajisjen me licencë të nënkategorisë I.3.B subjekti duhet të plotësojë këto kritere:


a) Subjekti të jetë i regjistruar në QKR si sh.a. ose sh.p.k. dhe të ketë përcaktuar më parë drejtuesin teknik për këtë veprimtari;


b) Titullari i subjektit të jetë i pajisur me certifikatën e nënkategorisë I.3.B;


c) Drejtuesi teknik të jetë i pajisur me certifikatën e nënkategorisë I.3.B dhe të jetë me kohë të plotë pune;


ç) Të ketë lidhur kontratë pune ndërmjet titullarit dhe drejtuesit teknik.


 


Heqja e licencës


1. Subjektit të SHPSF-së i hiqet licenca në këto raste:


a) Kur vërtetohet se përdoret në kundërshtim me kushtet dhe kriteret e vendosura në këtë ligj;


b) Me kërkesën e vetë subjektit;


c) Kur është marrë vendim i formës së prerë nga gjykata, si masë penale plotësuese;


ç) Kur është dënuar administrativisht me gjobë më shumë se dy herë brenda vitit kalendarik;


d) Me heqjen e certifikatës së titullarit të subjektit të SHPSF-së, licenca e humbet vlefshmërinë;


dh) Kur veprimtaria e subjektit të SHPSF-së ushtrohet pa drejtues teknik të certifikuar sipas kërkesave të këtij ligji;


e) Kur punëson persona të pacertifikuar sipas kërkesave të këtij ligji;


ë) Kur ushtron veprimtari të SHPSF-së të padeklaruar më parë, sipas kërkesave të këtij ligji;


f) Kur nuk e ushtron veprimtarinë për një afat njëvjeçar, nga data e marrjes së licencës;


g) Kur nuk njofton brenda 10 (dhjetë) ditëve strukturat e Policisë së Shtetit dhe QKL-së për ndërprerjen e aktivitetit të shërbimit të SHPSF-së;


gj) Kur nuk njofton organet e Policisë së Shtetit për ndryshimet që ka bërë në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR) dhe që kanë të bëjnë me kriteret e licencimit.


2. Vendimi për heqjen e licencës publikohet në Regjistrin Kombëtar të Licencave dhe Lejeve nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.