Pengmarrja në burg


Katër policët e burgut lihen të lirë 20 orë pas pengmarrjes


I dënuari shqiptar, Alket Rizai, dorëzohet pa rezistencë, bashkë me dy bashkëpunëtorët e tij


Taktika – Duke mos dashur të plotësojnë kërkesat e pengmarrësit, policia k dashur të ndjekë taktikën e lodhjes së Alket Rizait për të arritur në lirimin e pengjeve


Pengu – Po lutemi kaq orë, të ikin e të na lënë të lirë. Kaq e vështirë është? Kaq e vështirë është të sillet një makinë për ta?”, u shpreh një nga pengjet greke


Arratisjet – Rizai ka kryer në vitet e mëparshme dy arratisje spektakolare nga burgjet e sigurisë së lartë të Greqisë, por ai u arrestua disa ditë më vonë nga policia


Viti 2006 – Më 4 qershor 2006, Alket Rizai u arratis me helikopter së bashku me grekun Vasilis Paleokostas nga burgu i Koridhalosë, bazuar në një plan të mirorganizuar


Viti 2009 – Herën e dytë, më 22 shkurt 2009, Rizai dhe Paleokostas u arratisën me helikopter sapo ishin kthyer nga gjykata, ku po gjykoheshin për arratisjen e parë



Teksa policia po përgatitej për të ndërhyrë për herë të tretë për lirimin e pengjeve të marra nga Alket Rizai, ky i fundit është vetëdorëzuar, duke lënë të lirë katër policët e mbajtur peng prej tij, pasi një i pestë ishte arratisur gjatë ndërhyrjes së dytë të forcave speciale. Ndërhyrja e tretë e policisë ishte lënë për në orët e vona të natës, kur pengmarrësi mund të ishte më i lodhur fizikisht dhe psikologjikisht, por ai ka vendosur t’i japë fund, pasi siç ishte shprehur më parë, nuk kishte ndërmend t’u bënte keq pengjeve. Gjithashtu, në vendimin e vetëdorëzimit mendohet se ka ndikuar edhe arratisja e një prej pesë pengjeve, i cili ka treguar më vonë edhe mënyrën e të vepruarit të shqiptarit dhe personat që po e ndihmojnë brenda burgut, duke dashur të ndihmojë forcat speciale me qëllim që t’i japin fund kësaj ngjarjeje.


Pengmarrja


Gjithçka nisi dy net më parë, rreth orës 21:00 të së shtunës, kur Alket Rizai, i ndihmuar nga dy të burgosur të tjerë, ka marrë peng pesë gardianë të burgut të Malandrinos. I dënuari me burgim të përjetshëm, Alket Rizai, ka përfituar nga masat e dobëta të sigurisë dhe ka kërkuar pas pengmarrjes një makinë për t’u larguar, e cila nuk iu vu në dispozicion asnjëherë.


Dështimet


Sipas të dhënave, rreth orës 14:00 (ora greke) ka filluar një operacion i forcave speciale brenda burgut të Malandrinos, në një prej reparteve ku i burgosuri shqiptar Alket Rizai mbante peng pesë gardianë prej mbrëmjes së të shtunës. Forcat speciale kanë përdorur dy herë radhazi bomba me gaz lotsjellës, madje janë dëgjuar edhe krisma armësh, ndërsa në burg ku vuajnë dënimin mbi 500 persona, dëgjoheshin britma proteste për hyrjen e forcave policore të armatosura brenda qelive.


I liruari


Sipas Ministrisë greke të Rendit, forcat speciale kanë hyrë në mjediset e burgut me qëllim largimin e shtatë gardianëve të tjerë që ndodheshin atje gjatë pengmarrjes së pesë kolegëve të tyre, si dhe për të nxjerrë me siguri të plotë të burgosurit nga qelitë dhe për t’i çuar ata drejt mensës. Gjatë kësaj situate, një prej gardianëve të marrë peng, ka mundur të largohet. Sipas disa burimeve, ai ka mundur të arratiset nga presioni psikologjik që po ushtrohet ndaj Rizait, sipas disa të tjerave, e ka liruar vetë punonjësin e policisë.


Pengjet


Por, katër gardianë të tjerë vazhdonin të ngelnin ende nën kontrollin e të burgosurit shqiptar. Gjatë kësaj kohe, Rizai mbante një objekt katror prej të cilit dilnin disa kabllo dhe deklaronte se është një mekanizëm shpërthyes, ndërsa në dorën tjetër kishte një pult komandimi. Dy bashkëpunëtorët e tij thuhet se kishin thika, ndërkohë që nuk dihej nëse kishte një afat që Rizai u kishte lënë negociatorëve për të sjellë një makinë me anë të së cilës, ai dhe dy bashkëpunëtorët e tij, identiteti i të cilëve nuk është bërë i njohur deri tani, donin të arratiseshin.


Postblloqet


Ndërkaq, me kalimin e minutave, përveç forcave speciale, brenda ndërtesës dhe jashtë saj, janë ngritur postblloqe policore në gjithë zonën e Fokidhës, ku ndodhet burgu i Malandrinos, pasi janë vënë re dy automjete të dyshimta, sipas mediave greke, që prisnin arratisjen e tij. Nga ana tjetër, ende nuk dihet motivi pse policia greke ka rrezikuar kaq shumë, duke mos lejuar arratisjen e pengmarrësit, me qëllim për të shpëtuar jetën e pengjeve.


Riorganizimi


Duke mos dashur të plotësojnë kërkesat e pengmarrësit shqiptar, forcat e policisë kërkuan të ndjekin taktikën e lodhjes së Alket Rizait për të arritur në lirimin e pengjeve. “Kanë kaluar më se 20 orë nga fillimi i pengmarrjes dhe përveç një pengu të liruar nga situata kaotike e krijuar gjatë ndërhyrjes së forcave speciale MAT, nuk ka asgjë të re, kështu që presim lodhjen e tij që të ndërhyjmë sërish”, u shpreh një burim i policisë greke për mediat vendase. Forcat MAT ishin në pritje të urdhrave të mëtejshme për të ndërhyrë pikërisht aty ku ndodhej pengmarrësi, por kjo tentativë ka mbetur vetëm. Në kohën, kur forcat speciale ishin duke mbledhur dëshmi edhe nga pengu i liruar, për të përgatitur planin operacional, me qëllim që t’i japin fund kësaj ngjarjeje pa viktima, shqiptari i ka dhënë fund pengmarrjes.


Vetëdorëzimi


Rreth orës 19:30 minuta të mbrëmjes, Alket Rizai ka njoftuar nëpërmjet avokatit dhe negociatorëve se do të lironte katër pengjet e mbetura, pjesë e stafit drejtues të policisë së burgjeve. Më pas, ai ka kërkuar që policia të shkojë ta marrë, pasi nuk do bënte rezistencë. Fillimisht nga dhoma ku mbaheshin të izoluar kanë dalë katër pengjet, ndërkohë që aty kanë hyrë forcat speciale, duke vënë në pranga Alket Rizain dhe dy bashkëpunëtorët e tij shqiptarë. Policia nuk ka dhënë detaje për bashkëpunëtorët, por mësohet se për kapjen e tyre ndërhynë tri skuadra speciale me nga pesë vetë dhe dy snajper. Megjithatë, mbetet i dyshimtë motivi i vetëdorëzimit të Rizait, i cili mendohet se i lodhur ka vendosur që mos të lëndojë njeri. Por, mësohet se shumë në këtë vendim ka ndikuar edhe e dashura e tij, e cila ka negociuar herë pas here me të. Alket Rizai ka kryer në të kaluarën dy prej arratisjeve më spektakolare nga burgu i Koridhalosë, që të dyja me helikopter, në 4 qershor të 2006-s dhe në 22 shkurt të 2009-s. Sipas zyrtarëve të policisë greke, Rizai është një prej keqbërësve më të përfolur shqiptarë me një dosje penale të mbushur me akuza për trafik të lëndëve narkotike, armëmbajtje pa leje, vrasje dhe arratisje të bujshme.


 


Negociatat


Alket Rizai, të dashurës dhe avokatit: Jam i vendosur


E dashura greke, Sula i është lutur për disa minuta Rizait që të lirojë pengjet, por ai nuk ka pranuar të dorëzohet


Policia ka provuar të gjitha metodat e mundshme për të bindur Alket Rizain që të lirojë pengjet, por ai nuk ka pranuar të thyhet as në bisedë me të dashurën e tij, të paktën deri në orët e pasdites së djeshme. Të njëjtën përgjigje i ka dhënë edhe avokatit Saki Kehajoglu, i cili tha se ka folur disa herë në telefon me klientin e tij. “Iu luta t’i japë fund pengmarrjes, të mos derdhet gjak i pafajshëm. Iu luta të kujdeset për njerëzit dhe për veten”, tha avokati. Ai bën të ditur se i ka thënë Rizait se kjo situatë nuk merr dot një zgjidhje siç dëshiron ai. “I thashë Alketit se kjo situatë nuk ka rrugëdalje, ndaj të ketë kujdes njerëzit dhe veten”, tha avokati dhe pohoi se gjendja e klientit të tij është e rënduar psikologjikisht. Por, Alketi i ka thënë avokatit se është i vendosur në kërkesën e tij, se do një makinë dhe do të largohet. Ka qenë avokati që i ka kërkuar së dashurës së tij, Sula, të komunikojë me të dhe ajo i është lutur, gjithashtu, t’i japë fund pengmarrjes, por Rizai nuk pranoi. E dashura i ka kërkuar Rizait përmes telefonit të lirojë pengjet. Mësohet se shqiptari i dënuar me burgim të përjetshëm nuk ka pranuar një kërkesë të tillë. “Të më lënë të iki ose të më vrasin, nuk ka rrugë tjetër”, ka thënë Rizai. Alket Rizai ka folur gjatë natës edhe me gazetarët grekë dhe ka protestuar për sistemin e drejtësisë dhe dënimin e tij, që e cilëson të padrejtë, duke thënë ndër të tjera: “Unë kam durim dhe nuk më soset durimi. Do të presim fundin e kësaj pune. Gjykata ka abuzuar me mua, vendimi për burg përjetë është i padrejtë dhe nuk e meritoj. Më sillni një makinë dhe unë do t’i liroj pengjet e do të largohem. Të shohim kush do të dalë i fituar. Unë i kam marrë masat e mia”. “Nuk dua të filloj t’i vras ata një nga një. Unë s’kam asgjë me ta”, thotë Alket Rizai për pengjet e tij, duke vënë në dukje se ai ka durim dhe mund të presë. Më pas i jep telefonin njërit prej pengjeve që të kërkojë një makinë dhe pengu pyet: “Kaq e vështirë është për të sjellë një makinë që të na lërë të lirë?”. Megjithatë, ashtu siç ishte shprehur Rizai nuk ka lënduar asnjë nga pengjet, por kur ka parë se ka dështuar tentativa e tij për arratisje, ka pranuar të vetëdorëzohet.