[callout]Reforma – 24 orë


E martë – 20:45 – Kryeministri Edi Rama shkoi në Ministrinë e Brendshme, ku takoi ministrin Tahiri, drejtorin e Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, dhe drejtorin e Policisë së Tiranës, Bernard Çaushaj


E mërkurë – 09:00 – Drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, firmos propozimet e ministrit Tahiri për ndryshimet në polici. Largohen nëndrejtorët e Policisë së Shtetit, drejtorët, si dhe 12 drejtorët e policisë në qarqe


E mërkurë – 10:00 – Emërohen dy nëndrejtorët e rinj të Policisë së Shtetit, Altin Qato dhe Sokol Bizhga. Emërohen edhe 12 drejtorët e qarqeve, madje janë firmosur edhe pesë ripranime. Mes tyre ishte edhe Niko Brahimaj


E mërkurë – 19:20 – Ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, del në një konferencë për shtyp, ku jep detaje nga lëvizjet e drejtuesve të policisë. Ministri thotë se në krye të Policisë së Shtetit u emërua Artan Didi, që pason në detyrë Hysni Burgajn. Ky i fundit emërohet drejtor i Akademisë së Policisë


E mërkurë – 20:30 – Qeveria zbardh VKM-në, ku largohet kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj dhe në vend të tij emërohet Artan Didi, i cili gjatë katër viteve të fundit ka qenë në SHBA, ku ka punuar në një firmë private. Më parë ka punuar te RENEA dhe te siguria publike[/callout]


Reforma


Artan Didi emërohet drejtor i përgjithshëm. Cilët janë krerët e rinj në qarqe, disa ripranime. Ish-drejtuesit, specialistë


sajmir tahiriPolicia e Shtetit ndryshon “fytyrë”. Të gjithë drejtorët janë shkarkuar nga detyra, për të përfunduar specialistë të thjeshtë, apo instruktorë në Qendrën e Formimit Policor. Hysni Burgaj, tashmë ish-drejtor i Policisë së Shtetit ka shkarkuar të gjithë vartësit, me të cilët kishte punuar për vite me radhë. Pasi ka firmosur të gjitha ndryshimet, në fund ka paraqitur dorëheqjen, e cila iu pranua. Zëvendësimi i Burgaj është kryer dje pasdite, me vendim të Këshillit të Ministrave, duke emëruar dhe duke graduar në këtë post, Artan Didin. Ky i fundit ishte larguar nga policia në vitin 2006 dhe më parë ka mbajtur disa pozicione drejtuesi. Janë larguar të gjithë nëndrejtorët e Policisë së Shtetit, ndërsa janë emëruar dy të rinj. Ata janë Sokol Bizhga, që ka një karrierë të gjatë në polici dhe Altin Qato, që ka qenë më parë drejtor i Policisë së Beratit dhe së fundmi shefi i OPGj-ve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Në listën e të shkarkuarve janë të gjithë policët të përfolur gjatë muajve të fundit, si Nikolin Bala, Tonin Vocaj, Gjergj Jorgo, Mërgim Hoxha, Pëllumb Seferi e të tjerë. “Furtuna” e nisur nga ministri i Brendshëm, Tahiri, ka përfshirë çdo drejtues në polici që mban gradën e lartë të drejtuesit të parë.


 


Kupola e policisë


Lëvizjet më të rënda kanë qenë në kupolën e Policisë së Shtetit. duke nisur nga drejtori Hysni Burgaj, i cili ka paraqitur dorëheqjen te Kryeministri. Më pas janë larguar të gjithë nëndrejtorët, Muhamet Rrumbullaku, Tonin Vocaj, apo edhe drejtorët e rëndësishëm Nikolin Bala dhe Mërgim Hoxha. Deri dje, këta kanë drejtuar Policinë e Shtetit, ndërsa disa muaj më parë, disa prej tyre, duke përfshirë edhe ish-nëndrejtorin Agron Kuliçaj, i dorëhequr para se mazhoranca e re të merrte detyrën, dhanë dorëheqjen nga hetimi i vrasjes së kryekomisar Dritan Lamaj, për shkak të një fotoje komprometuese. Sipas ministrisë, Rrumbullaku është emëruar shef i Programeve Mësimore në Qendrën e Formimit Policor, Vocaj dhe Bala janë emëruar specialistë tek studimet strategjike.


Dje janë emëruar edhe krerët e rinj të Policisë së Shtetit. Drejtor i Përgjithshëm u emërua Artan Didi, i cili ka marrë vendimin e Kryeministrit për gradimin. Didi ka punuar në polici pas viteve ‘90 dhe ka mbajtur një sërë funksionesh. Ka drejtuar RENEA-n dhe në vitin 2004 është emëruar nga ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Bajram Ibraj, në postin e drejtorit të Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit. Këtë detyrë e ka mbajtur deri në vitin 2006 ku dhe është larguar nga Policia e Shtetit, për t’u rikthyer dje, me vendim të kryeministrit. Mësohet se drejtori i ri ka qenë një nga hartuesit e strukturës së re të Policisë së Shtetit, të cilën ia ka vënë në dispozicion ministrit të Brendshëm.


Ndërkohë, zëvendësues i tij është emëruar Sokol Bizhga. Më parë ka qenë specialist në Policinë e Shtetit. Ai do të zëvendësojë në këtë post Agron Kuliçajn, i dorëhequr disa ditë para se qeveria e re të merrte detyrën. Bizhga ka qenë me poste të lartë në disa drejtori të qarqeve, ndërsa është plagosur në krye të detyrës, në të ashtuquajturën masakra e “Qafë Gjashtës”, ku dhe u vra një punonjës policie.


Zëvendësuesi tjetër i Didit është Altin Qato, i cili është emëruar në Departamentin për Sigurinë Publike. Së fundmi ka qenë shef i OPGJ-ve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ndërsa ka mbajtur një sërë funksionesh në Drejtorinë e Policisë së Beratit, që nga shef komisariati e deri tek drejtor policie.


 


Drejtorët e qarqeve


Burgaj ka firmosur ndryshimet në të 12 Drejtoritë e Policive të Qarqeve. Në Tiranë, është larguar Bernard Çaushaj dhe vendin e tij e ka zënë Ardian Çipa. Çaushaj është emëruar specialist në Policinë e Shtetit, ndërsa drejtori i ri vjen nga kupola e policisë, ku ka kryesuar sektorin kundër trafiqeve. Më parë, Çipa ka qenë shef Komisariati i Policisë Nr.3. Ndërkohë, janë emëruar edhe drejtorët e rinj të Fierit, ku është larguar Arjan Bozhaj. Në vend të tij është emëruar Ervin Hodaj. Kastriot Skenderaj ka pasuar Artan Cukun si drejtor i Policisë së Vlorës, ndërsa Haki Çako është emëruar në Gjirokastër. Lorenc Panganika rikthehet të mbajë një post të rëndësishëm dhe është emëruar drejtor i Policisë së Beratit, ndërsa në Kukës është emëruar Ilirjan Balla. Perlat Vatoci emërohet në Dibër.


Dje, Policia e Shtetit ka ripranuar në detyrë edhe disa ish-drejtues. Kështu, Edmond Tarkaj, pas ripranimit është emëruar drejtor i Policisë në Korçë, ndërsa Perlat Çullhaj, emërohet në Durrës. Shaban Nexhi emërohet në Shkodër dhe Neritan Nallbani emërohet në Elbasan.


Një nga rikthimet më të bujshme është padyshim Niko Brahimaj, i cili është emëruar drejtor i Policisë së Lezhës. Brahimaj është larguar nga policia disa muaj pasi PD-ja erdhi në pushtet në vitin 2005. Ai ka mbajtur detyrën e shefit të antiterrorit në Policinë e Tiranës. Emri i tij është lakuar nga ish-mazhoranca si personi që ka ekzekutuar urdhrin për shoqërimin e ish-kryeministrit Sali Berisha në Policinë e Tiranës, pas disa trazirave në qytetin e Tropojës.


 


Takimi


Tahiri, drejtuesve të rinj: S’ka të fortë, të gjithë në provë


Ministri i Brendshëm ka takuar dje pasdite drejtuesit e rinj të Policisë së Shtetit. Burime nga ministria thanë për gazetën se Tahiri u ka kërkuar që të jenë më afër qytetarëve. “Hiqni njëherë e përgjithmonë konceptin e të fortit dhe të të pazëvendësueshmit në polici” mësohet t’u ketë thënë ministri krerëve të rinj të Policisë së Shtetit dhe të qarqeve, ndërsa u ka bërë të qartë se pret rezultate, përndryshe do të ketë zëvendësime. “Jemi të gjithë në provë, duke filluar nga unë, e deri tek i fundit. Duhet të bëjmë që të sundojë vetëm ligji. Ndërhyrja e asnjërit, qoftë edhe kryeministrit, nuk vlen për të falur një kundërvajtës të ligjit”, ishte apeli i Tahirit.


 


Drejtori i Policisë së Shtetit


Artan Didi ka marrë dje vendimin e Kryeministrit për gradimin si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Didi është pranuar në polici pas viteve ‘90 dhe ka mbajtur një sërë funksionesh. Ka drejtuar RENEA-n dhe në vitin 2004 është emëruar nga ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Bajram Ibraj, në postin e drejtorit të Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit. Këtë detyrë e ka mbajtur deri në vitin 2006 kur dhe është larguar nga Policia e Shtetit, për t’u rikthyer dje, me vendim të Kryeministrit. Mësohet se drejtori i ri ka qenë një nga hartuesit e strukturës së re të Policisë së Shtetit, të cilën ia ka vënë në dispozicion ministrit të Brendshëm.


 


Zv/drejtorët e Policisë së Shtetit


Sokol Bizhga emërohet në detyrën e zv/drejtor i përgjithshëm në Departamentin për Krimin e Organizuar, më parë ka qenë specialist në Policinë e Shtetit. Do të zëvendësojë në këtë post Agron Kuliçajn, i dorëhequr disa ditë para se qeveria e re të merrte detyrën. Bizhga ka qenë me poste të lartë në disa drejtori të qarqeve, ndërsa është plagosur në krye të detyrës, në të ashtuquajturën masakra e “Qafë Gjashtës”, ku dhe u vra një punonjës policie.


Altin Qato emërohet në detyrën e zv/drejtor i përgjithshëm në Departamentin për Sigurinë Publike. Së fundmi ka qenë shef i OPGJ-ve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ndërsa ka mbajtur një sërë funksionesh në Drejtorinë e Policisë së Beratit, që nga shef komisariati e deri te drejtor policie.


 


Drejtorët e rinj të policisë në qarqe



  1. Ardian Çipa emërohet në detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Tiranës

  2. Ervin Hodaj emërohet në detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Fierit

  3. Kastriot Skenderaj emërohet në detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Vlorës

  4. Haki Çako emërohet në detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës

  5. Lorenc Panganika emërohet në detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Beratit

  6. Ilirjan Balla emërohet në detyrën drejtor i Drejtorisë së Policisë, Qarku i Kukësit

  7. Perlat Vatoci emërohet në detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Policisë, Qarku i Dibrës

  8. Edmond Tarkaj ripranohet dhe emërohet në detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Korçës

  9. Perlat Çullhaj ripranohet dhe emërohet në detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Durrësit

  10. Shaban Nexhi ripranohet dhe emërohet në detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Shkodrës

  11. Niko Brahimaj ripranohet dhe emërohet në detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Lezhës

  12. Neritan Nallbati ripranohet dhe emërohet në detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Elbasanit


Lëvizjet e tjera


1. Muhamet Rrumbullaku, ish-nëndrejtor për Rendin në Policinë e Shtetit, emërohet në detyrën e shefit të Sektorit të Programeve Mësimore në Qendrën e Formimit Policor


2. Tonin Vocaj, ish-drejtor i Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, së fundmi i komanduar si nëndrejtor pas dorëheqjes së Kuliçajt, emërohet në detyrën e specialistit në Sektorin e Studimeve Strategjike në DPP


3. Nikolin Bala emërohet specialist në Sektorin e Studimeve Strategjike në DPP


4. Mërgim Hoxha emërohet në detyrën specialist në Sektorin e Studimeve Strategjike në DPP


5. Gjergj Jorgo, emërohet në detyrën Specialist në Sektorin e Studimeve Strategjike në DPP


6. Pëllumb Seferi emërohet në detyrën specialist në Sektorin e Studimeve Strategjike në DPP


7. Arjan Bozhaj, ish-drejtor i Policisë në Fier, emërohet në detyrën specialist në Sektorin e Studimeve Strategjike në DPP


8. Artan Cuku, ish-drejtor i Policisë së Vlorës, emërohet në detyrën specialist në Sektorin e Studimeve Strategjike në DPP


9. Bernard Çaushaj, ish-drejtor i Policisë së Tiranës, emërohet në detyrën specialist në Sektorin e Studimeve Strategjike në DPP


10. Halit Murataj emërohet në detyrën specialist në Sektorin e Studimeve Strategjike në DPP


11. Emri Vata, ish-drejtor i Policisë së Durrësit, emërohet në detyrën specialist në Sektorin e Programeve Mësimore në Qendrën e Formimit Policor


12. Arben Hajdarmataj emërohet në detyrën specialist në Seksionin e Trajnim, Shkollim të Nivelit të Mesëm e të Lartë Drejtues në Qendrën e Formimit Policor


13. Aleks Hajdari emërohet në detyrën shef i Sektorit të Trafiqeve të Paligjshme, në DPP


14. Muharrem Furriku emërohet në detyrën specialist në Sektorin e Programeve Mësimore në Qendrën e Formimit Policor


15. Izet Hysa emërohet në detyrën specialist në Qendrën e Formimit Policor


16. Saimir Muça emërohet në detyrën specialist në Qendrën e Formimit Policor


17. Shkëlzen Aliaj emërohet në detyrën specialist në Sektorin e Studimeve Strategjike në DPP


18. Astrit Halilaj emërohet në detyrën specialist në Sektorin e Studimeve Strategjike në DPP


19. Jashar Vrekaj emërohet në detyrën specialist në Sektorin e Programeve Mësimore në Qendrën e Formimit Policor


20. Ilo Keçka emërohet në detyrën Specialist në Qendrën e Formimit Policor


21. Besnik Muçmata emërohet në detyrën shef i Sektorit të Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Forcës së Posaçme në DPP


22. Gentjan Shehaj emërohet në detyrën shef i Sektorit të Aseteve Kriminale në DPP