Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka reaguar për operacionin anti- drogë në Kukës, ku fokusin e ka vendosur te arrestimi i dy punonjësve të policisë.


Lleshaj shkruan se një efektiv policie nuk është vetëm fytyra e një drejtuesi, por edhe e popullit, e për pasojë duhet që ta bëjnë punën me nder.


“Policia e Shtetit, SHÇBA dhe Prokuroria finalizuan sot një operacion të rëndësishëm, në sajë të të cilit, krahas të tjerëve, u arrestuan edhe dy punonjës policie për përfshirje në veprimtari kriminale. Procesi i ndarjes së Policisë nga ata që nuk e meritojnë nderin e të shërbyerit në radhët e saj do të vijojë me rigorozitet të plotë.


Policia është jo vetëm imazhi i drejtuesve të saj, por edhe i vetë shoqërisë. Si e tillë ajo duhet dhe do të jetë larg kujtdo që nuk i shërben me nder dhe angazhim interesit publik. Përgëzime për këtë operacion të suksesshëm për Policinë, SHÇBA dhe Prokurorinë”, shkruan Lleshaj.