Përplasja
Policia e Shtetit dhe e Bashkisë së Kamzës kanë penguar aktivistët e PS-së të vendosin flamuj në akset rrugore në periferi të Tiranës. Megjithëse në Kamzë janë vendosur flamujt e PD-së prej tri ditësh, policia ka penguar kandidatin për deputet të Partisë Socialiste, Pjerin Ndreu, së bashku me mbështetësit e tij, të vendosin flamuj në afërsi të Bashkisë dhe Komisariatit. Për pasojë, rruga është bllokuar totalisht, ndërsa mes palëve ka pasur konfrontime verbale dhe fizike. Në mbështetje të Ndreut kanë dalë dhjetëra banorë të Kamzës, të cilët, mes presioneve nga policia bashkiake dhe e rendit, kanë vijuar që të vendosin flamuj, në shenjë mbështetje për Partinë Socialiste. Ndërhyrja e policisë me mjete ka sjellë që rruga nga Fushë-Kruja të bllokohet për disa orë.