Në një institucion të zbatimit të ligjit, paga e një pastruesi është më e lartë se paga e një punonjësi bazë të policisë
Paga e një drejtori në administratë që menaxhon në disa raste deri në 5 – 7 punonjës është e njëjtë me kreun e policisë
Diskriminimi i policisë në vite
RAPORTI
Bledi Gilaj
Të thuash që policia i ka pagat e ulëta në krahasim me punën që bën, pavarësisht që qeveria thotë të kundërtën, është një fakt që e dinë shumë vetë. Por, që paga e një polici, është më e ulët se paga e një pastruesi, është e vështirë ta besosh. Megjithatë, ky është realiteti në Shqipëri. Këtë e konfirmon vetë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në një raport të përgatitur nga specialistët më të mirë të saj, në bashkëpunim me programin ICITAP, misionin PAMECA dhe Sindikatën e Policisë, të cilin ia kanë dërguar edhe qeverisë, e cila bën një sy qorr dhe një vesh shurdh, duke mos e vënë ujin në zjarr për këtë problem, e duke vazhduar ritmin e saj, se pagat në Shqipëri janë rritur, e që policia është në qendër të vëmendjes së saj.
Raporti konfidencial, prej 35 faqesh, i cili tashmë është siguruar ekskluzivisht nga gazeta “Shqip”, tregon sesi realisht pagat e punonjësve të policisë janë ulur që nga viti 2003 e deri në vitin 2011. Në të vërtetë, paga bruto e çdo punonjësi policie është rritur, por ajo neto, pikërisht paratë që çdo efektiv dërgon në shtëpi, janë pakësuar, pa llogaritur në këtë mes rritjen ndër vite të inflacionit. Në raportin e përgatitur thuhet shkoqur se paga e policisë nuk i reflekton si duhet përgjegjësitë e pozicionit të punës. Në një institucion të zbatimit të ligjit, paga e një pastruesi është më e lartë se paga e një punonjësi të patrullës së përgjithshme në Policinë e Shtetit, apo paga e Drejtorit të Përgjithshëm në Administratën Publike që menaxhon në disa raste deri në 5 -7 punonjës është e njëjtë ose dhe më e lartë se paga e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i cili menaxhon 9915 punonjës policie”, thuhet në raportin për uljen e pagave. Uljet janë në shifra drastike dhe të shumëllojshme për çdo nivel apo strukturë të organizatës së policisë, që siç thonë vetë specialistët, kjo ndikon në ulje të performancës dhe në rritje të korrupsionit në radhët e uniformave blu. Domosdoshmëria për kryerjen e këtij raporti ka buruar nga analizat e brendshme të Policisë, dhe rekomandimeve të misioneve të huaja që asistojnë Policinë e Shtetit, si Programi ICITAP dhe plani i veprimit të Misionit PAMECA III, për përmirësimin e pagave të punonjësve të policisë. Sipas paragrafit 32 të Kodit Europian të Etikës për Policinë, “policia ka të drejtën që të ketë një pagë dhe siguri shoqërore të përshtatshme, si dhe masa speciale për shëndetin dhe sigurinë për shkak të natyrës së veçantë të punës së policisë”, po ashtu dhe në nenin 88 të Ligjit të Policisë së Shtetit, përcaktohet se “punonjësi i policisë ka përparësi në trajtimin në pagë për shkak të përgjegjësisë dhe të rrezikshmërisë së lartë në detyrë”, ndërkohë që trajtimi financiar aktual i punonjësve të policisë nuk i përligj këto detyrime. Madje, Policia e Shtetit ka nivelin më të ulët të trajtimit financiar krahasuar jo vetëm me policitë e vendeve perëndimore, por dhe me policitë e vendeve të rajonit.
Dilema nga studimi
- A janë pagat e punonjësve në raport me misionin e policisë dhe shkallën e rrezikshmërisë në detyrë?
- A është ndjekur e njëjta politikë pagash për strukturat e policisë në raport me strukturat e tjera të administratës publike?
- A kanë mundësi financiare punonjësit e policisë që të përballojnë koston reale të jetesës në familjet e tyre?
- A janë pagat e punonjësve të policisë të përafërta me organizatat policore të vendeve të rajonit?
Dilema nga studimi
- A i përfitojnë trajtimet financiare punonjësit e policisë në zbatim të akteve normative në fuqi?
- A ka mundësi Policia e Shtetit në nivelin aktual të pagave, të rekrutojë punonjës me cilësi të shkëlqyera dhe kryesisht në funksione specifike si krimi kompjuterik, krimi financiar, policia shkencore etj?
- A ka mundësi Policia e Shtetit që me nivelin aktual të pagave të ketë një performancë cilësore të punonjësve të saj?
Dilema nga studimi
- A ka burime financiare të brendshme Policia e Shtetit, të cilat mund të përdoren më me eficencë?
- A përfitojnë punonjësit e policisë trajtim suplementar mbi bazën e kontributeve të paguara?
- A ka mundësi Policia e Shtetit që me trajtimin aktual financiar për pension të parakohshëm të ofrojë alternativa për punonjësit të cilët duhet të largohen për t’i dhënë frymëmarrje organizatës?
Vitet 2003-2011
Si u ulen pagat e policisë krahasuar me administratën
Struktura e pagave në Policinë e Shtetit nga viti 1991 deri në shtator 2003 ka qenë pagë për funksion (sipas klasave), sistem i njëjtë me atë të administratës publike, me përjashtim të shtesës në përqindje mbi pagë, e cila ishte 65 – 80%. Paga ishte e njëjtë në të gjitha komponentët e saj si: klasa, vjetërsia dhe punë e dëmshme për shëndetin. Në total, një punonjës i Policisë së Shtetit, pavarësisht se ku shërbente, trajtohej financiarisht me 80% dhe një punonjës civil me 65% më tepër se një punonjës i administratës publike. Në shtator 2003, u kalua në dy sisteme të ndryshme pagash. Për punonjësit me gradë policore në vitin 2003, paga u rrit në masën 21.8% në krahasim me pagat e mëparshme, duke ruajtur të njëjtin raport prej 80% më të lartë se pagat e punonjësve të administratës publike, ndërkohë në vitet në vazhdim nuk u ruajt ky raport duke bërë që diferenca e pagave me administratën publike të ulet nga 80% në 18%. Për punonjësit civilë, deri në muajin korrik të vitit 2007, janë ruajtur të njëjtët komponentë page si më parë, ndërkohë që pas këtij viti u hoqën shtesat, duke barazuar pagat me të gjithë administratën.
Raportet e zhdrejta
Pagat bruto u rritën, por ndalesat zvogëluan neton
Në vitet 2003-2011, koeficienti i rritjes së pagës neto nga viti në vit ka ardhur në ulje, nga 23% në vitin 2003, në minus 4% në vitin 2011, ndërkohë që duke marrë parasysh inflacionin e deklaruar në vite, rezulton se koeficienti i rritjes së pagave për gradë nga viti në vit, për punonjësit e policisë, ka ardhur në ulje të vazhdueshme nga 19.7% në vitin 2003 në minus 8.1% në vitin 2011. Në disa vite si viti 2004 dhe viti 2011 jo vetëm që nuk ka pasur rritje të pagës neto, por rezulton se pagat neto janë ulur në minus 0.3% në vitin 2004 dhe minus 4% në vitin 2011, ndërkohë që duke marrë parasysh inflacionin e deklaruar në vite rezulton se ka pasur ulje të pagës neto në vitin 2004 me minus 2.5%, në vitin 2005 me minus 1.1%, në vitin 2008 me minus 1.1% dhe në vitin 2011, nga minus 0.7% në minus 9.8%. Nga tabelat e krahasuese të nxjerra në raport vërehet se linja e ndalesave dhe rritjes së pagave janë në raport të zhdrejtë. Gjithashtu, pagat bruto në vitet 2003–2011, kanë pësuar rritje, kjo pa marrë parasysh inflacionin dhe ndalesat e ndryshme në pagë, ndërkohë që vihet re, se rritja e pagave bruto nuk është në raport të drejtë me rritjet e pagës neto.
Nën minimumin jetik
Kostoja reale e jetës në familjet e policëve
Nga anketimi i punonjësve të policisë, sa i përket përbërjes së tyre familjare dhe të ardhurave bruto për frymë, rezulton se 75% e tyre kanë të ardhura familjare për frymë më pak se paga minimale në shkallë vendi prej 20 mijë lekësh, ndërkohë që po të shohim të ardhurat për frymë në raport me minimumin jetik prej 7500 lekësh, vihet re se punonjësit me gradë “inspektor” janë më afër këtij minimumi në të ardhurat për frymë si familje. Kjo vjen si pasojë e pagave të ulëta të punonjësve, transferimeve të punonjësve larg vendbanimit të tyre, apo papunësisë së pjesëtarëve të familjeve të punonjësve, të cilët shpeshherë humbasin punën si rezultat i këtyre transferimeve. Megjithëse, në rastet e transferimeve punonjësit përfitojnë trajtim financiar për largësinë nga vendbanimi, trajtimi financiar është në masën rreth 30% të shumës së harxhuar për shpenzime udhëtimi. Gjithashtu, në rastet e transferimeve, bashkëshorti/ja e punonjësit të policisë trajtohet financiarisht për kohën e qëndrimit pa punë, por masa e trajtimit financiar është 50% më e ulët se paga që do të merrte nëse do të vazhdonte në marrëdhënie pune.
Demotivimi në punë
Kushtet ekonomike çojnë policët drejt korrupsionit
Sikur të mos mjaftojnë pagat e vogla, pjesëtarët e tjerë të familjes së policëve nuk e kanë mundësinë e punësimit në rrethin ku transferohet punonjësi i policisë. Në raport citohet se ky nivel të ardhurash për familjet e punonjësve të policisë bën të mundur që punonjësit aktualë të jenë të pamotivuar, pasi nuk plotësojnë nevojat minimale të jetesës, duke bërë të mundur që shpeshherë ata të bëhen objekt për abuzime me detyrën si rastet korruptive apo veprimtari të tjera të jashtëligjshme. Njëkohësisht punonjësit me pagesën aktuale nuk janë të motivuar, pasi trajtimi financiar nuk plotëson nevojat minimale të tyre, kjo duke marrë parasysh koston e lartë të jetesës, punën jashtë vendbanimit, gjendjen familjare të punonjësve etj. Punonjësi i policisë nuk mund të ushtrojë të drejtën e dypunësimit për shkak të natyrës së punës policore, duke hequr çdo mundësi tjetër për rritjen e të ardhurave familjare. Kjo është paraqitur në studim edhe me grafik, duke vërtetuar konkluzionet mbi të ardhurat e familjeve të punonjësve të policisë, në raport me pagën minimale, si dhe minimumin jetik.
Krahasimet
Pagat e policisë sonë, më të voglat në rajon
Punonjësi i policisë merr pagë mujore më të ulët së punonjësit e policisë në vendet fqinjë si Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni dhe Mal i Zi. Në këto vende, punonjësi me gradën Inspektor merr pagë mujore 380 €, 478.65 €, 340€ dhe 697.95 €, ndërkohë i njëjti nivel në policinë shqiptare merr 317.86 € (Pagë bruto). Punonjësi me gradë Nënkomisar merr 660 €, 635 €, 550€ dhe 745 € ndërkohë që te ne paguhet me 417.86 € (Pagë bruto). Punonjësi me gradë Drejtues i Parë merr 820 €, 1.051.40 €, 1000€ dhe 1.037.01 €, ndërkohë që në Policinë Shqiptare merr 789.29 € (Pagë bruto). Paga mesatare mujore e policisë e krahasuar me pagën mesatare në shkallë kombëtare është 1 : 1.29, ndërkohë, që ky raport në shtete të tjera është nga 1 : 1.29 deri 1 : 2.5 (P.sh. Maltë 1 : 1.29, Bosnja 1: 1.59, Portugali 1 : 1.88, Lituania 1 : 2.5). Pagat e ulëta në Policinë e Shtetit dhe mungesa e burimeve financiare kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në një strukturë pagash me diferenca në raport jo të drejtë midis gradave e niveleve. Ndërsa pagat e ulëta të punonjësve civile në Policinë e Shtetit, e bëjnë të vështirë rekrutimin e ekspertëve cilësorë në fusha të veçanta.
Numri i ulët
Diferencat e pagave mesatare femra-meshkuj
Duke analizuar të ardhurat midis meshkujve dhe femrave, vihet re që fondi i pagave që shpenzohet për meshkujt është 15.86 herë më i lartë se fondi i pagave që shpenzohet për femra. Kjo kryesisht vjen si pasojë e numrit të ulët të femrave në polici, të cilat zënë 5.99% të numrit të punonjësve me gradë policore. Gjithashtu, fondi i pagave që harxhohet për femrat zë 5.93% të buxhetit të pagave, ndërkohë që numri i femrave zë 5.99% të punonjësve. Nëpërmjet krahasimeve të kryera vihet re se femrat me gradë Inspektor marrin pagë në masën 11.8% më pak se meshkujt, ose femrat me gradë Kryeinspektor marrin pagë në masën 12.4% se meshkujt me këtë gradë. Ky raport tregon se përveç përfaqësimit të ulët të femrave në polici, femrat përfaqësohen pak në funksionet e larta dhe në strukturat operacionale, si dhe angazhohen më pak në punën me turne apo aktivitete të tjera jashtë kohës normale të punës e shërbimit. Niveli i ulët i trajtimit financiar të punonjësve ka sjellë pasoja dhe në cilësinë e rekrutimeve, ku pjesa më e madhe e aplikantëve që konkurrojnë për t’u pranuar në strukturat e Policisë së Shtetit kanë një mesatare notash 5 – 6.
