Trafikantët përfitojnë më shumë para duke shitur sasitë e drogës së korrur gjatë viteve të kaluara
Fushata e Policisë së Shtetit në Lazarat për parandalimin e korrjes së parcelave të hashashit të mbjella në pranverën e këtij viti duket se u po u sjell fitime më të mëdha trafikantëve të kësaj lënde narkotike. Për shkak të prishjes së parcelave nga forcat speciale të policisë, sasitë e mëdha të kanabis sativës, të vjela gjatë verës së vitit të kaluar, por edhe më parë, po shiten me një çmim më të madh si në Shqipëri, ashtu edhe në vendet që janë si destinacion final i tregtimit, Italia dhe Greqia. Lajmi është bërë i ditur për gazetën “Shqip” nga burime kofidenciale të Policisë së Shtetit, të cilat sqaruan se pak javë, pasi u ndërhy në Lazarat të Gjirokastrës, hetimet, lidhur mbi prodhimin dhe trafikimin e kanabis sativës, kanë nxjerrë në dritë edhe faktin e rritjes së çmimit të saj.
Dyfishimi i çmimit
Burimet pohojnë se çmimi është dyfishuar brenda një kohe të shkurtër, si në tregun vendas, ashtu edhe në ato fqinje, ku u shitet përdoruesve me pakicë. Nga të njëjtat burime mësohet se gjatë hetimeve, oficerët e antidrogës kanë siguruar informacione se trafikantët e narkotikëve disponojnë sasi të mëdha hashashi gati për shtije si në Shqipëri, ashtu edhe në vendet fqinje, të cilën e kanë trafikuar më parë. Ndërkaq, mësohet se humbjet që kanë pësuar për shkak të pamundësisë së korrjes së disa parcelave të mbjella në fshatin Lazarat janë të papërfillshme, krahasuar me përfitimet e siguruara për shkak të rritjes së çmimit. Sipas burimeve, trafikantët e kanë rritur çmimin me justifikimin e mungesës së hashashit, për shkak të operacioneve të policisë në Lazarat.
Operacionet
Edhe pas rrethimit të Lazaratit nga forcat speciale, u arrit të ndaloheshin vetëm punëtorët që kultivonin parcelat me hashash dhe jo trafikantët. Gjatë operacioneve pati edhe shkëmbime zjarri, por për fat të mirë nuk rezultuan të dëmtuar. Gjatë këtij viti, policia ka evidentuar mjaft parcela të mbjella me kanabis sativa në zona të ndryshme të Shqipërisë së Jugut. Kryesisht, kultivuesit e kanë mbjellë hashashin në tokë që i përkasin komunave, duke shmangur kështu ndjekjet penale. Kështu, në luginën e lumit Vjosë, në disa fshatra janë gjetur dhjetëra parcela me qindra rrënjë kanabis sativa, të cilat janë asgjësuar, por nuk është arritur asnjëherë të gjenden autorët.
Sekuestrimet
Gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti janë kapur tonelata të lëndës narkotike kanabis sativa, si në Shqipëri, ashtu edhe në vendet fqinje, Itali e Greqi. Rreth dy tonë e gjysmë hashash janë sekuestruar nga Drejtoria e Policisë së Gjirokastrës, pjesa më e madhe e së cilës është kapur nga forcat policore të Komisariatit të Sarandës. Ndërkaq, pak kohë më parë u kap nga policia greke një gomone më një ton hashash. Gomonia, ku fshihej droga e llojit kanabis sativa, ishte nisur nga Shqipëria, prej Gjirit të Lukovës dhe më pas është diktuar nga policia greke. Të tjera sasi hashashi janë kapur gjatë muajve të fundit nga policia në qytete të ndryshme të vendit. Edmond Hoxhaj